Fan S. Noli, kolosi i përplasjeve

Shkruan: Ismail SINANI

Kur ecim nga Keshani drejt Stambollit, në provincën e Edrenesë, aty në të majtë është një rrugë dytësore që të shpie në Ibriktepe. Më të kujdesshmit e rrokin menjëherë si asocim për fshatin e lindjes të kolosit shqiptar. Të tjerët, ata e shohin vetëm si një tabelë që të shpie në një fshat me një toponim krejt të zakonshëm, Ibrik dhe Tepe. Ibrik, po ai i njëjti që i themi edhe ne, ‘ibrik’ dhe tepe, majë, kodër…, që i bie Maja e Ibrikut, Kodra e Ibrikut, varet se kush si ka dëshirë ta quajë e përkthejë.

Dhe, për shumicën ky rrëfim mbaron këtu. Por, sikurse çdoherë, të vëmendshmit, ata që i kapin detajet e imta, e dinë se në këtë fshat ka lindur Fan S. Noli. Një figurë që ka zënë vend të rëndësishëm në histori, por si të gjithë të tjerët, nuk ka arritur t’i shpëtojë as lavdit deri në qiell, por as edhe kritikave të papërballueshme. E sot, 60 vjet pas vdekjes së tij, debati për të vazhdon…

Si zakonisht për atë kohë, politikanët, ata më prijatarët, nuk kanë qenë dosido, sikurse shumica e të sotmëve. Ata, medoemos, është dashur të jenë “të knueshëm, njerëz me dije të thellë intelektuale, të cilët kur e kanë marrë fjalën, s’kanë pasur problem as me përmbajtjen e fjalisë, e as me porosinë që kanë dashur ta dërgojnë. E si do të mund të ishte ndryshe një figurë që vjen në skenë pas krejt asaj plejade të fuqishme të rilindësve?!

Noli ishte i tillë, madje edhe një orator i papërsëritshëm deri më tani, ishte dhe është ciceroni shqiptar. Megjithatë, dallgët e jetës e kishin shpjerë aq lart e aq larg, saqë sot e kemi vështirë ta kuptojmë, kuptohet nëse përpjekjet tona janë me qasje objektive dhe pa cinizma.

Të shkojmë me radhë! Noli ishte shqiptar. Ose, siç kanë dëshirë të flasin nacionalistët e regjur, ai ishte me gjak shqiptari, një term sa absurd, aq edhe fashizoid, pasi që gjaku vetvetiu është vetëm një lëng me ngjyrë të kuqe te çdo krijesë njerëzore.

Megjithëse ishte shqiptar, shkruante shqip, përkthente në shqip, këndonte shqip, ai thuajse asnjëherë nuk u bë tamam shqiptar”, pasi që jeta e fëmijërisë në provincën e Edrenesë, pastaj shkollimi në Athinë, fillet e aktivitetit në Egjipt, jeta në Perëndim, kryesisht në SHBA, ecejaket deri në Bashkimin Sovjetik… nuk i kanë lënë shumë kohë për ta përpirë atë shqiptarinë primordiale që e kanë pasur ata të zakonshmit, nga jugu deri në veri.

Ndoshta ka qenë shkak pikërisht kjo mosnjohje që ai jo rrallëherë është dukur si një Don Kishot që përpiqet ta rregullojë botën e të vendosë rend mbi të. Ndoshta në subkoshiencë e ka prekur përkthimi i kësaj vepre monumentale, që pavarësisht disa kritikave, kur e lexon me ndjesinë se ai libër është shkruar para 400 vjetësh, të krijohet bindja se është shkruar në shqip, pasi që gjuha e Nolit e përdorur në të, të rrëmben deri në shkretëtirat e labirintet e shtigjeve gjarpëruese të asaj periudhe.

Por, nuk është vetëm kjo vepër. Pena e Nolit ka prekur mijëra faqe letre, që ne sot kemi mundësi t’i shfletojmë. Ai është nga ata që, përmes shkronjave, ka arritur ta përçojë mesazhin se u takon atyre të paktëve në këtë botë që e duan artin, duke e bërë kështu të jetë i veçantë. E dikush që e do të bukurën, edhe atë shumë, shpesh ndodhë që karshi të tjerëve të duket edhe naiv, edhe komik. Ai e ka parë botën me syrin e zemrës, me syrin e notave të muzikës dhe jo të çfarëdo muzike, por të klasikes, si zhanri më i mprehtë dhe më artikulues i asaj të fshehte artistike që e rrethon botën dhe njerëzimin. Ndaj si personalitet që ka arritur t’i prekë aq lart ato nota artistike, e ka të vështirë ta kuptojë dikë që përpiqet ta kapë armën në dorë për çështje më banale  kodifikuara në Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Dikush që e ka kuptuar Princin e Makiavelit në atë kohë e që përkufizimin politik të arenës politike e ka bërë me ato parametra, e ka pasur të vështirë të përshtatet me ata që nuk e kanë ditur se çfarë duan ose që politikën e kanë pasur vetëm trampolinë për egon e vet, si një katapult për të mbërritur “diku”.

Duke qenë shumë artist në politikë, Noli pavarësisht dijes së madhe, s’kishte arritur ta kuptonte se shteti është kontratë sociale dhe se nuk mund të ndërtohet me ide të huaja”, pa e analizuar kapacitetin e brendshëm shoqëror. Duke qenë idealist e, ndoshta, edhe utopist, ai s’e kishte parë se sistemet politike nuk funksionojnë me imponime dhe improvizime, por se ato duhet të burojnë si vlera nga gjiri i popullit. Përkundër vullnetit të madh, nuk kishte arritur ta kapte këtë moment. Ai mendonte se demokracia e kohës, çfarëdo që të ketë qenë ajo, mund të imponohej në çast edhe në një shoqëri ku secili burrë kishte nga një mauzer në krah e një kobure në brez.

E, megjithatë, duhet të jemi pak më tolerantë me të. Jo se duhet ta hipim në majën e Olimpit, e mos t’ia zbërthejmë ksenofobinë dhe bolshevizmin e përkohshëm, por ama duhet ta kuptojmë se angazhimi i tij mes dy luftërave botërore ka përkuar me krizën e madhe ekonomike në gjithë hemisferën perëndimore dhe shpërthimin e një regjimi që në atë kohë premtonte barazi sociale. Kjo periudhë e tij, nëse nuk shikohet nga kjo dioptri, nuk na bën nder as si shqiptarë e as si intelektualë. Aq më tepër që të gjitha të dhënat tregojnë se ai ka qenë konservator, pasi që kurrë nuk i është shmangur idealit të tij fetar. Për të mos i ngelur borxh – duke e ripërsëritur – ai ka gabime periodike si te ideja e konvertimeve, por ai ka qenë njeri që ka ditur edhe të reflektojë dhe ka reflektuar.

Ka bërë gabime edhe me shqiptarët nën Mbretërinë Serbe, por edhe ky detaj duhet parë nga prizmi i kohës, pasi që “Shqipëria e tij” as atëherë e as sot kur është pjesë e NATO-s, nuk është se ka shfaqur ambicie të mëdha për bashkëkombësit këndej kufirit.

Ne mund ta analizojmë, madje edhe ta kritikojmë pjesën e tij letrare, artistike, publicistike, por duhet nënvizuar se pas Frashërlinjve, nëse ka dikush që mund ta bartë stafetën intelektuale në trungun shqiptar, është pikërisht Noli.

Opusi i tij intelektual duhet parë ndër periudha të ndryshme. Ai në “pleqëri” regjistron edhe një fakultet dhe mbron disertacionin. Kurse shkollimin “bazik” e mbaron në Harvard, i cili si në atë kohë ashtu edhe sot, është pishtari i dijes intelektuale në gjithë rruzullin tokësor.

Sot mund ta akuzojmë këtë personalitet edhe për bashkëpunimin me Enver Hoxhën, por duhet pasur parasysh se ai ka qenë edhe personi i vetëm që është munduar që “atë Shqipëri të vockël” ta bëjë pjesë të familjes së madhe të Lidhjes së Kombeve dhe ta lidhë me aleatin më të fuqishëm të kohës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E se sa i ka besuar Diktatorit, ai shihet qartë kur e refuzon në mënyrë kategorike ftesën për t’u kthyer në atdhe, ndonëse premtimet për një jetë të qetë i ishin dhënë përmes emisarëve të shumtë.

Gjithsesi, këtu paraqiten edhe hamendësimet se si një “sovjetik”, siç e kanë cilësuar qarqe të asaj kohe, të bëjë përpjekje aq vetëmohuese për ta lidhur Shqipërinë e Enverit me Amerikën?! Kjo flet për idealin e tij shtetëror dhe dashurinë që ai e ka mbrujtur për shqiptarinë. E këta që e akuzojnë, e harrojnë detajin se ka qenë pikërisht kisha ruse që e ka pranuar kishën shqiptare si autoqefale, hap ky që i ka shpëtuar ortodoksët shqiptarë nga asimilimi grek dhe serb.

Ndonëse armik me Ahmet Zogun, ai ka ditur të vendosë edhe ura bashkëpunimi. Po kështu ka vepruar edhe me Faik Konicën, i cili, në të shumtën e rasteve, njëjtë sikurse Noli, ka ditur të përdorë fjalë pezhorative për ata që nuk i kanë pëlqyer fort. E kjo ndoshta është e meta më e madhe e Nolit, pasi që gjithkush që nuk i ka pëlqyer, është cilësuar me termat më përbuzës të kohës.

Ai pati guximin që shqiptarët t’i ftojë të bashkohen edhe me devletin osman në kohën e luftërave ballkanike, sepse e dinte fort mirë se grekët dhe serbët – të krishterë, do ta asgjësonin kombin shqiptar. Ai nuk ishte oportunist.

I gjithë ky spektër i Nolit nuk do të ishte i plotë po të mos përmendej edhe i ashtuquajturi Revolucion i Qershorit”, që ishte një dështim shumë i madh. Por, kjo ndërmarrje e tij nuk e bën më pak shqiptar se pasardhësi i tij.

E kur t’i hedhim sy jetës së tij, e shohim ndoshta se ka qenë utopist, por njëkohësisht ka qenë edhe idealist.

Pra, siç mund të vërehet nga kjo hyrje e gjatë, numri i radhës i revistës “Shenja” do t’i kushtohet një figure tjetër të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, Fan S. Nolit. Përmes këtij numri, duam të sjellim një pasqyrë sa më përfshirëse të jetës dhe veprës së tij, pasi që ai paraqet një hallkë tejet të rëndësishme në formimin e historisë sonë.

Sikurse çdo personalitet i shquar i kohës së tij, edhe Noli mund të karakterizohet ndër ata që – shikuar nga perspektiva e sotme, shkaktojnë habi se si mund një njeri për një kohë aq të shkurtër t’i bëjë të gjitha ato lëvizje?! Duke qenë se historia jonë shpesh ka qenë e diktuar nga presione të ndryshme të kohës, gjithsesi me taban politik – ideologjik, revista “Shenja”, përmes bashkëpunëtorëve të vet, do të përpiqet t’i ofrojë pikat rreth të cilave secili autor mund të shkruajë, por jo vetëm, pasi që me siguri ka diçka që edhe ne nuk kemi arritur ta përthekojmë. Ndaj analizën tonë e kemi përqendruar në tre segmente kryesore: I pari, Noli si personalitet i gjithanshëm: si intelektual dhe roli i tij në formësimin e mendimit shqiptar; si doktor shkence dhe përmasat akademike të veprimtarisë së tij; si shkrimtar, poet dhe përkthyes, duke sjellë në shqip vlera universale; si autor i veprës së Skënderbeut; si themelues i “Vatrës”; si themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe nismat e tij fetare-kombëtare; si deputet dhe kontribuues në jetën parlamentare; si kryeministër dhe vizionet politike për Shqipërinë; I dyti, Noli dhe marrëdhëniet e tij ndërkombëtare e politike: lidhjet e tij me Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene; roli si njohës i Bashkimit Sovjetik dhe vështrimet e tij mbi atë sistem; bindjet ideologjike dhe politike që e shoqëruan gjatë jetës; relacionet me personalitete të tjera shqiptare, si Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Ahmet Zogu, Faik Konica, Enver Hoxha etj. I treti, Noli në Amerikë: veprimtaria e tij me mërgatën shqiptare; themelimi dhe organizimi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Boston; bashkëpunimi me klerikë e figura të tjera në Shtetet e Bashkuara.

Lexim të këndshëm!

(Editoriali i revistës “Shenja”)

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button