Familjarët e pengjeve udhëheqin protestën në Tel Aviv

The Times of Israel raporton se qindra persona në Tel Aviv po marrin pjesë në një protestë për të detyruar qeverinë të pranojë një marrëveshje për kthimin e pengjeve.
Sipas raportit, familjarët e pengjeve kanë ngritur një kamp me tela me gjemba për të tërhequr vëmendjen ndaj fatit të të afërmve të tyre, pasi Hamasi publikoi ditët e fundit video të dy pengjeve, Evyatar David dhe Rom Braslavski.
“I pamë videot e vështira të Romit dhe Evyatarit nga robëria,” citohet të ketë thënë Einav Zangauker, nëna e pengut Matan Zangauker.
“Hebrenjtë po bëhen lëkurë e kockë për shkak të mbijetesës politike,” shtoi ajo, me raportin që sqaron se kjo deklaratë i referohej akuzave se Netanyahu po e zgjat luftën në Gaza për të ruajtur pushtetin e tij.
“Nëse nuk i lirojmë të gjithë tani, ata nuk do të mbijetojnë edhe për shumë gjatë,” tha Zangauker.