FAKTOR: “Profesori i BDI-së” fiton qindra mijëra euro nga hidrocentrali pa licencë

Një mbështetës i BDI-së prej disa vitesh me radhë fiton qindra mijëra euro nga një hidrocentral që e ka ndërtuar në fshatin e tij në rajonin e Pollogut, pa poseduar licencë të përhershme.
Nuri Bexheti, profesor në universitetin e Tetovës, përmes kompanisë së tij “Ani-Energetik” është pronar i hidrocentralit “Gabrovska Reka 104”, i ndodhur në shpatet e Sharrit, pranë fshatit Dobroshtë.
Megjithatë, të ardhurat nga ky hidrocentral, edhe pse bëhet fjalë për prodhim të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, nuk janë të garantuara me një licencë të përhershme si prodhues i privilegjuar. Këto të ardhura do të ishin të qasshme publikisht vetëm nëse prodhuesi, respektivisht pronari, do të kishte një licencë të përhershme për prodhim të energjisë nga hidrocentrale, centrale fotovoltaike, biogazike ose parqe me erë, dhe atëherë EVN si furnizues universal do të detyrohej ta blinte energjinë prej tij.
Në këtë rast, kompania “Ani-Energetik” ka marrë për herë të parë licencë provuese për hidrocentralin me kapacitet prej 1.24 megavatësh në vitin 2021 nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, dhe që nga ajo kohë licenca i është zgjatur plot 13 herë si e tillë, pa u shndërruar kurrë në licencë të përhershme.
“Fakti që prodhuesi nuk ka licencë të përhershme për vite me radhë do të thotë se ka vështirësi për të mbledhur të gjitha dokumentet e nevojshme në formë të lejeve dhe vendimeve nga organet kompetente. Për këtë arsye nuk mund të marrë licencë të përhershme dhe të bëhet prodhues i privilegjuar, por gjithsesi mund ta shesë energjinë në tregun e bursës dhe të përfitojë”, thonë ekspertët që kontaktuam për këtë rast.
Nëse krahasohen të ardhurat e “Ani-Energetik”, të cilat i kemi marrë nga Regjistri Qendror, me të ardhurat e hidrocentraleve që kanë statusin e prodhuesve të privilegjuar dhe janë të qasshme publikisht, rezulton se “Gabrovska Reka 104” e Nuri Bexhetit realizon njërin ndër fitimet më të mëdha nga ky lloj i prodhimit të energjisë elektrike.
Në vitin 2024, “Ani-Energetik” ka raportuar të ardhura prej 23.876.287 denarësh (rreth 390.000 euro) nga hidrocentrali i saj, ndërsa fitimi vjetor ka qenë 7.369.597 denarë (rreth 120.000 euro). Fitimi një vit më parë ka qenë edhe më i lartë për 25 përqind. Kompania e profesorit universitar vitin e kaluar kishte pesë të punësuar.
Përveç kësaj, Qeveria në seancën e saj të 3 qershorit të këtij viti ka marrë vendim që “Ani-Energetik” t’i japë truall shtetëror ndërtimor me qira afatgjate me marrëveshje të drejtpërdrejtë, për nevojat e hidrocentralit në Dobroshtë të Tetovës.
Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej gjithsej 960 metra katrorë “në përputhje me Projektin për infrastrukturën për ndërtimin e hidrocentralit të vogël ‘Gabrovska Reka’ me nr. referent 104 dhe objekte shoqëruese me nr. teknik 171/13 nga gushti i vitit 2014, i miratuar me vërtetimin nr. 75-2400/9 të datës 15.9.2014 nga Ministria për Transport dhe Lidhje, si dhe Projekti për ndryshim dhe plotësim të atij projekti të mëhershëm me nr. teknik 0801-400/19 nga korriku i vitit 2020, i miratuar me vërtetimin nr. 71-7270/2 më 2.11.2020 nga e njëjta ministri”.
Nuri Bexheti si person fizik ka 59% të pronësisë në “Ani-Energetik”, si dhe 6% shtesë përmes kompanisë tjetër “AK-Invest Tetovë”.