“Fabrika e botës” | Si arriti suficiti tregtar i Kinës në 1 trilion dollarë?

Suficiti tregtar i Kinës – diferenca midis vlerës së mallrave që importon dhe atyre që eksporton – ka arritur në 1 trilion dollarë për herë të parë, një tregues domethënës i rolit të vendit si “fabrika e botës”, duke prodhuar gjithçka nga çorapet dhe perdet deri te makinat elektrike.
Për 11 muajt e parë të këtij viti, eksportet e Kinës u rritën në 3.4 trilion dollarë, ndërsa importet u ulën lehtë në 2.3 trilion. Kjo e çoi suficitin tregtar të vendit në rreth 1 trilion dollarë, njoftoi të hënën Administrata e Përgjithshme e Doganave të Kinës.
Dërgesat kineze jashtë vendit kanë lulëzuar pavarësisht luftës tregtare globale të presidentit amerikan Donald Trump, e cila përfshinte tarifa të gjera “reciproke” ndaj shumicës së vendeve dhe u lançua më herët këtë vit me synimin për të ulur deficitin tregtar të SHBA-së.
Por Kina, e cila fillimisht u godit me tarifa amerikane prej 145 përqind, para se ato të uleshin për t’i hapur rrugë bisedimeve tregtare, ka dalë kryesisht e pa dëmtuar nga ky ngërç falë shtimit të eksporteve drejt tregjeve jashtë SHBA-së.
Pas fitores së Trump në zgjedhjet e 2024, Kina filloi të diversifikojë tregjet e saj të eksportit larg SHBA-së, duke u afruar më shumë me Azinë Juglindore dhe Bashkimin Evropian. Ajo gjithashtu ngriti qendra të reja prodhimi jashtë territorit kinez, për të siguruar akses me tarifa më të ulëta.
Pse Kina ka një suficit kaq të madh tregtar?
Eksportet e Kinës u rikthyen në rritje muajin e kaluar pas një rënie të papritur në tetor, duke u rritur me 5.9 përqind krahasuar me një vit më parë, shumë më shpejt se rritja 1.9 përqind e importeve, sipas Administratës së Doganave të Kinës.
Suficiti i mallrave për 11 muajt e parë të 2025 ishte 21.7 përqind më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje u nxitur nga zgjerimi i fortë i eksporteve të mallrave të teknologjisë së lartë, të cilat tejkaluan me 5.4 pikë përqindje rritjen e eksporteve totale.
Eksportet e automjeteve, veçanërisht të atyre elektrike, u rritën ndjeshëm ndërsa kompanitë kineze fituan terren ndaj rivalëve japonezë dhe gjermanë. Totali i makinave të eksportuara u rrit me më shumë se një milion, duke arritur në rreth 6.5 milion njësi këtë vit, sipas të dhënave të Automobility, një kompani konsulence me bazë në Kinë.
Dhe megjithëse Kina ende mbetet pas SHBA-së në çipat më të avancuar, si Nvidia, ajo po bëhet dominuese në prodhimin e gjysmëpërçuesve (të përdorur në gjithçka, nga makinat elektrike te pajisjet mjekësore). Eksportet e gjysmëpërçuesve u rritën me 24.7 përqind gjatë kësaj periudhe.
Përparimet teknologjike të Kinës kanë nxitur gjithashtu industrinë e ndërtimit të anijeve, ku eksportet u rritën me 26.8 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Pra, duke pasur parasysh sfondin armiqësor të tregtisë globale, si e ka arritur Kina këtë?
Rirregullimi dhe diversifikimi
Megjithëse Uashingtoni ka ulur tarifat ndaj importeve kineze muajt e fundit, ato mbeten të larta. Detyrimet doganore mesatare mbi mallrat kineze aktualisht janë 37 përqind. Për këtë arsye, dërgesat kineze drejt SHBA-së kanë rënë me 29 përqind në bazë vjetore deri në nëntor.
Disa kompani kineze kanë zhvendosur kapacitetet e tyre të prodhimit në Azinë Juglindore, Meksikë dhe Afrikë, duke u mundësuar t’i anashkalojnë tarifat e Trump mbi mallrat që vijnë drejtpërdrejt nga Kina. Megjithatë, tregtia e përgjithshme mes dy vendeve mbetet e ulët.
Në tetë muajt e parë të këtij viti, për shembull, SHBA importoi rreth 23 miliardë dollarë mallra nga Indonezia, një rritje prej gati një të tretës krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024. Kuptohet gjerësisht se kjo rritje vjen për shkak të ridrejtimit të mallrave kineze përmes Indonezisë.
“Roli i ridrejtimit të tregtisë në kompensimin e barrës nga tarifat amerikane duket se po rritet,” shkroi të hënën ekonomisti Zichun Huang nga Capital Economics në një shënim për klientët. Huang shtoi se “eksportet drejt Vietnamit, qendra kryesore e ridrejtimit të mallrave kineze, vazhduan të rriten me ritme të shpejta.”
Ndërsa tregtia me SHBA-në është ngadalësuar, Kina ka intensifikuar zhvillimin e lidhjeve me partnerë të tjerë të mëdhenj tregtarë. Kjo përfshin një rritje prej 15 përqind të dërgesave kineze drejt BE-së krahasuar me vitin e kaluar, si dhe një rritje prej 8.2 përqind të eksporteve drejt vendeve të Azisë Juglindore.
Monedhë më e dobët
Një arsye tjetër për suksesin tregtar të Kinës është se monedha e saj ka qenë e lirë krahasuar me të tjerat vitet e fundit. Një renminbi më i ulët e bën eksportin relativisht më të lirë për t’u prodhuar dhe importin më të shtrenjtë për t’u konsumuar.
Kina mban një “floating të menaxhuar” të renminbit – që do të thotë se banka qendrore ndërhyn në tregjet valutore për të mbajtur vlerën e tij kundrejt monedhave të tjera – me qëllim ruajtjen e stabilitetit të çmimit.
Prej vitesh, shumë ekonomistë argumentojnë se monedha kineze është nënvlerësuar. Sipas tyre, kjo i jep avantazh eksportuesve duke e bërë më tërheqëse mallin e lirë kinez në dëm të vendeve të tjera, duke krijuar kështu çekuilibra të mëdhenj tregtarë.
Në fakt, duke marrë parasysh dinamikat inflacionare globale, kursi efektiv real i këmbimit – një masë e konkurrueshmërisë së mallrave kineze – është aktualisht në nivelin më të ulët që nga viti 2012.
Si ka arritur Kina deri këtu?
Suficiti marramendës tregtar i Kinës prej 1 trilion dollarësh – i paprecedentë në historinë ekonomike – është kulmi i dekadave të politikave industriale që e kanë nxjerrë Kinën nga një shoqëri bujqësore me të ardhura të ulëta në vitet 1970, në ekonominë e dytë më të madhe të botës sot.
Kina u vendos si prodhues i besueshëm i mallrave të lira të prodhuara, si bluzat dhe këpucët, në vitet 1980. Që atëherë ajo është ngjitur shkallëve industriale drejt mallrave me vlerë më të lartë, si makinat elektrike dhe panelet diellore.
Sektori më i madh i saj për nga eksportet është elektronika. Në vitin 2024, Kina eksportoi më shumë se 1 trilion dollarë mallra elektronike nëpër botë. Kjo ndjek modelin e vendeve të tjera të industrializuara: fillimi me mallra të thjeshta dhe me punë intensive dhe kalimi gradual në sektorë më kompleksë. Megjithatë, Kina e ka bërë këtë me një shkallë dhe shpejtësi të pazakonshme, duke forcuar dominimin e saj në shumë zinxhirë furnizimi globalë.
Ajo gjithashtu dominon tregtinë e metaleve të rralla, të cilat janë thelbësore për prodhimin e një game të gjerë mallrash, nga telefonat inteligjentë te avionët luftarakë.
Dymbëdhjetë nga 17 metalet e rralla në tabelën periodike gjenden në Kinë dhe vendi nxjerr 60 deri në 70 përqind të rezervave botërore të metaleve të rralla. Ai gjithashtu kryen 90 përqind të përpunimit të këtyre metaleve për përdorim komercial.
Për kontekst historik, suficiti tregtar i Kinës në mallrat industriale është më i madh, si përqindje e ekonomisë së saj, sesa ai i Shteteve të Bashkuara në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, kur shumica e vendeve të tjera prodhuese po dilnin nga rrënojat e luftës.
Si po reagojnë vendet e tjera ndaj dominimit në rritje të Kinës?
Shumë vende po kërkojnë mënyra për ta rivendosur ekuilibrin.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili vizitoi Kinën javën e kaluar, paralajmëroi se BE-ja mund të ndërmarrë “masa të forta”, përfshirë vendosjen e tarifave më të larta, nëse Pekini nuk e adreson pabarazinë tregtare.
BE-ja tashmë vendos tarifa shtesë mbi automjetet elektrike (EV) të prodhuara në Kinë, të cilat variojnë nga 17 përqind deri në 35.3 përqind, përveç detyrimit ekzistues për import prej 10 përqind.
Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, mbërriti në Kinë të hënën për një vizitë dyditore, duke u bërë zyrtari më i fundit i lartë europian që viziton vendin në mes të zgjerimit të shpejtë të tregtisë së mallrave me Evropën.
Para udhëtimit, Wadephul tha se planifikonte të ngrinte çështjen e tarifave me homologët e tij kinezë, veçanërisht atyre që lidhen me metalet e rralla, si dhe shqetësimet për “mbikapacitetet” industriale, të cilat sipas tij po shtrembërojnë çmimet globale të mallrave industriale.
A do të vazhdojnë të rriten eksportet e Kinës?
Pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së dhe vendeve të tjera të pasura për t’u diversifikuar larg Kinës, pak ekonomistë presin që vrulli i gjerë tregtar i Kinës të ngadalësohet në një të ardhme të afërt.
Ekonomistët e Morgan Stanley parashikojnë se pjesa e Kinës në eksportet globale të mallrave do të arrijë në 16.5 përqind deri në fund të dekadës, nga 15 përqind që është aktualisht, duke reflektuar aftësinë e Kinës për t’u përshtatur shpejt me kërkesën globale në ndryshim.
Në planin afatshkurtër, performanca e fortë tregtare e Kinës nënkupton se objektivi vjetor i rritjes – i vendosur nga Pekini për të orientuar politikën ekonomike dhe për të sinkronizuar qeveritë rajonale – prej rreth 5 përqind ka gjasa të arrihet. /Al Jazeera/



