Evropa ndërton fabrikë unike në një qytet estonez, por të gjithë kanë frikë për shkak të lokacionit

Në qytetin estonez të Narvës, që ndodhet në kufi me Rusinë, ka nisur punën fabrika e parë komerciale e magneteve tokësore në Evropë.
Në hapjen e saj, kryeministri i Estonisë, Kristen Mihal, e cilësoi këtë fabrikë si “të ardhmen e konkurrueshmërisë evropiane”.
Faza e parë e fabrikës së re, që është në pronësi të kompanisë “Neo Performance Materials”, do të prodhojë çdo vit magnete për një milion automjete elektrike dhe 1,000 gjeneratorë për industrinë e energjisë së erës. Këto magnete e bëjnë sistemin elektrik më efikas, ndërsa kërkesa për to po rritet me shpejtësi.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, madje solli një magnet të prodhuar në Narva në samitin e G7-s në Kanada, ku ia dorëzoi kryeministrit Mark Carney.
Për shkak se magnetet prodhohen nga elemente të rralla tokësore, metalet që nxirren përpunohen kryesisht në Kinë. Deri tani nuk kishte prodhim komercial të tillë në Evropë — derisa kompania Neo vendosi të investojë pikërisht në këtë qytet kufitar me Rusinë.
Fabrika, që përbën vetëm fazën e parë të një projekti potencialisht më të madh në Narva, do të punësojë 300 persona, me mundësi që numri të arrijë deri në 1,000. Ndërkohë, neodimiumi, përbërësi kryesor i magneteve të përhershme, do të importohet nga Australia.
Megjithatë, pavarësisht lajmeve të mira, shumë estonezë kanë frikë nga vendndodhja e saj.
Narva, me një popullsi të madhe rusishtfolëse, shihet nga disa si shënjestra e mundshme e Moskës, pas Krimesë, Donbasit dhe pjesëve të tjera të Ukrainës. Në rast se Vladimir Putini urdhëron trupat të hyjnë në Estoni, Narva do të ishte një nga objektivat e para.
“Është një vend anëtar i NATO-s. Jemi të bindur se aleanca do të reagonte, dhe shpresojmë që lufta ekzistuese të përfundojë sa më shpejt. E kemi vlerësuar mirë këtë vend”, ka thënë drejtori ekzekutiv i kompanisë, Rahim Suleman.