Europoli: Grupi terrorist PKK i përfshirë në trafikun e drogës dhe kontrabandën e qenieve njerëzore në Evropë

Europoli, agjencia e zbatimit të ligjit e BE-së, raportoi sot se organizata terroriste PKK është e përfshirë në aktivitete kriminale si trafikimi i drogës dhe kontrabanda e qenieve njerëzore në Evropë, duke gjeneruar fonde në vlerë miliona euro, transmeton Anadolu.

Raporti i Europolit për situatën dhe tendencat e terrorizmit në BE për vitin 2024 theksoi se grupet terroriste etnonacionaliste dhe separatiste, përfshirë PKK-në, mbeten aktive në BE.

Raporti thotë se anëtarët dhe celulat e PKK-së në vendet e BE-së vazhdojnë mbledhjen e fondeve, rekrutimin, trajnimin dhe aktivitetet e tyre propagandistike gjatë gjithë vitit.

“Shumica e fondeve të mbledhura për PKK-në besohet se vijnë nga aktivitete në dukje legjitime (dhurime, ngjarje, tarifa anëtarësimi, shitje të mallrave dhe produkteve mediatike etj.), si dhe nga aktivitete kriminale si zhvatja, mashtrimi, shantazhi, pastrimi i parave apo trafiku i drogës”, thuhet në raport.

Raporti vuri në dukje se grupi terrorist mbledh miliona euro çdo vit nën maskën e “fushatave” në gjithë Evropën, me fondet që përdoren për propagandë dhe rekrutimin e terroristëve.

Raporti theksoi gjithashtu se si propaganda e PKK-së, veçanërisht duke synuar rininë kurde, përhapet përmes aktivistëve, gazetarëve, faqeve të internetit, televizioneve, mediave sociale dhe mediave të shkruara.

“Disa nga mediat e përdorura nga PKK-ja për të shpërndarë propagandën e saj janë me bazë në BE”, thuhet në raport.

Përmendet gjithashtu se ka prova se PKK-ja po rrëmben individë për t’i dërguar në zonat e konfliktit ose për t’i përdorur në celulat terroriste në BE.

Sipas raportit, në vitin 2023, forcat e zbatimit të ligjit të BE-së kanë kryer 25 arrestime në lidhje me terrorizmin separatist, nëntë prej të cilave ishin në mesin e anëtarëve të PKK-së.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button