Etnonacionalizmi serb dhe propagandimi i Kosovës si qendër ekstremizmi

Kohëve të fundit, Serbia ka përfituar nga rritja e islamofobisë në Europë për ta portretizuar Kosovën si një kërcënim për vlerat kristiane. Në këtë drejtim, ajo ka krijuar lidhje me partitë e djathta ekstreme europiane, të cilat e kundërshtojnë njohjen dhe integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Megjithatë, pavarësisht kësaj propagande të vazhdueshme, Kosova e ka ruajtur mbështetjen e fortë të aleatëve perëndimorë dhe ka vazhduar ta konsolidojë rolin e saj si një shtet i angazhuar për sigurinë dhe stabilitetin global.
Shkruan: Festim RIZANAJ, Prizren
Serbia e ka përdorur vazhdimisht propagandën dhe dezinformimin për ta portretizuar Kosovën si një vatër të ekstremizmit islamik, një narrativë që ka filluar që nga periudha e ish-Jugosllavisë dhe është intensifikuar në dekadat e fundit. Kjo fushatë dezinformuese synon ta dëmtojë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke shpërndarë akuza të pabazuara për lidhjet e Kosovës me terrorizmin. Një pjesë e kësaj strategjie është përdorimi i platformave, si Telegram, të cilat kanë shërbyer si kanale për përhapjen e ideve ekstremiste dhe nacionaliste. Këto rrjete i kanë rritur tensionet etnike dhe kanë kontribuar në rritjen e ekstremizmit etnonacionalist, veçanërisht në veri të Kosovës. Në të njëjtën kohë, dezinformimi është shfrytëzuar si një mjet propagandistik për ta lidhur Kosovën me terrorizmin ndërkombëtar, duke manipuluar me informacionin dhe duke krijuar një perceptim të gabuar për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
Propaganda serbe për ta portretizuar Kosovën si qendër e ekstremizmit islamik
Serbia ka ndjekur një strategji të vazhdueshme për ta paraqitur Kosovën si vatër të ekstremizmit islamik, një narrativë që i ka rrënjët që nga periudha e ish-Jugosllavisë. Përmes kësaj propagande, institucionet serbe kanë tentuar ta lidhin luftën politike të shqiptarëve për liri dhe barazi me radikalizmin fetar, duke anashkaluar faktin se këto lëvizje kishin një natyrë thelbësisht politike dhe shoqërore. Ky diskurs ishte veçanërisht i pranishëm gjatë protestave të viteve 1968 dhe 1981, të cilat Serbia i paraqiti si përpjekje për krijimin e një shteti islamik në Ballkan, me qëllim që ta bëjë minimizimin e rëndësisë së kërkesave për të drejta dhe barazi. [1]
Gjatë viteve të 90-ta, kjo strategji u përshkallëzua, duke u përdorur kundër lëvizjes paqësore të udhëhequr nga Ibrahim Rugova dhe më pas kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pavarësisht se Rugova promovonte rezistencën paqësore dhe kërkonte pavarësinë përmes mjeteve demokratike, Serbia e paraqiste këtë lëvizje si pjesë të një agjende islamike. Kulmi i kësaj propagande arriti gjatë luftës së Kosovës, kur Serbia tentoi ta shpallte UÇK-në si organizatë terroriste islamike, duke e krahasuar me lëvizjet xhihadiste në Lindjen e Mesme. [2] Kjo strategji dezinformimi, e mbështetur nga Rusia, u intensifikua veçanërisht pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Në atë periudhë, Serbia dhe Rusia u përpoqën ta justifikonin dhunën serbe në Kosovë duke e krahasuar me konfliktin në Çeçeni dhe duke pretenduar se mbështetja perëndimore ndaj Kosovës do ta shndërronte atë në një “strehë të sigurt për terroristët islamikë.”
Edhe pas shpalljes së pavarësisë më 2008, Serbia dhe aleatët e saj vazhduan ta promovojnë këtë narrativë në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, Kosova ka arritur ta sfidojë këtë propagandë përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët perëndimorë, duke u dëshmuar si një aktor serioz në luftën kundër ekstremizmit dhe si një faktor stabiliteti në rajon. Përmes këtyre përpjekjeve, Kosova ka arritur ta mbrojë legjitimitetin e saj dhe ta forcojë imazhin e një shteti demokratik dhe paqedashës. [3]
Kohëve të fundit, Serbia ka përfituar nga rritja e islamofobisë në Europë për ta portretizuar Kosovën si një kërcënim për vlerat kristiane. Në këtë drejtim, ajo ka krijuar lidhje me partitë e djathta ekstreme europiane, të cilat e kundërshtojnë njohjen dhe integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Megjithatë, pavarësisht kësaj propagande të vazhdueshme, Kosova e ka ruajtur mbështetjen e fortë të aleatëve perëndimorë dhe ka vazhduar të konsolidojë rolin e saj si një shtet i angazhuar për sigurinë dhe stabilitetin global.
Dezinformimi si mjet propagandistik për paraqitjen e Kosovës si e lidhur me terrorizmin
Në epokën e informacionit, lajmet e rreme dhe dezinformimi janë bërë mjete të fuqishme propagandistike, të përdorura nga qeveri dhe aktorë të ndryshëm për tëa ndikuar opinionin publik dhe për të arritur qëllime politike. Kjo dukuri është veçanërisht e pranishme në platforma si Facebook, X (ish-Twitter), YouTube, Instagram, TikTok dhe Telegram, ku shpesh qarkullojnë narrativa të fabrikuara për të përhapur frikë dhe panik. Një shembull i kësaj propagande është artikulli i portalit serb “Kosovo Online”, i cili pretendon pa fakte se “rrjeti i islamistëve radikalë në Kosovë është zgjeruar ndjeshëm, duke përfshirë midis 5000 dhe 6000 terroristë islamikë”. Ky pretendim nuk bazohet në të dhëna të verifikuara dhe synon të dëmtojë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.[4] “Kosovo Online” është një portal i regjistruar në Kosovë, por me lidhje të forta me qeverinë serbe dhe individë që kanë shërbyer si këshilltarë të zyrtarëve të lartë në Beograd. Ky medium operon në tri gjuhë – serbisht, shqip dhe anglisht – dhe ndonëse prezantohet si një platformë e pavarur, ai mbështet drejtpërdrejt narrativat serbe, duke promovuar propagandë dhe gjuhë urrejtjeje, si dhe duke minimizuar ose mohuar ngjarje të konfirmuara historikisht, si gjenocidi në Srebrenicë. Përmbajtja e këtij mediumi jo vetëm që manipulon me të dhënat mbi situatën në Kosovë, por gjithashtu përpiqet të depërtojë në opinionin shqiptar përmes përkthimeve të përzgjedhura. Për më tepër, ky medium nuk është anëtar i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, gjë që shton shqetësimet mbi ndikimin e tij në dezinformimin e publikut dhe në tensionimin e marrëdhënieve ndëretnike në rajon.[5]
Artikujt fact-checking, të publikuar në platformën për kontroll të fakteve, Hibrid.info tregojnë qartë se pretendimet mbi lidhjet e Kosovës me islamistët radikalë janë të pabazuara dhe pjesë e një strategjie dezinformuese. Këto narrativa të rreme, të cilat shpesh promovohen nga media serbe dhe aktorë të tjerë me interesa të caktuara politike, synojnë ta dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe të krijojnë një perceptim të gabuar mbi sigurinë dhe stabilitetin e saj.
Hibrid.info i ka demaskuar disa nga këto lajme të pavërteta, si pretendimet për “trajnime të ISIS-it në Kosovë”[6], për “përdorimin e islamistëve nga autoritetet e Prishtinës kundër serbëve”[7] ose për “përdorimin e ekstremistëve islamikë nga shërbimet perëndimore për të sulmuar serbët”[8]. Këto akuza nuk mbështeten nga asnjë burim i besueshëm dhe janë pjesë e një propagande të vazhdueshme për të paraqitur Kosovën si një vatër të ekstremizmit islamik, gjë që bie ndesh me realitetin në terren.
Propaganda dezinformuese që synon të lidhë Kosovën me terrorizmin ndërkombëtar është intensifikuar vitet e fundit, duke përfshirë pretendime të pabaza për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në aktivitete terroriste. Sipas analizave të Hibrid.info, këto akuza janë pjesë e një fushate dezinformuese të orkestruar nga mediat dhe zyrtarët serbë e rusë, pa asnjë provë konkrete. Një shembull i tillë është pretendimi i rremë se Hamasi ka blerë armë nga UÇK-ja,[9] një narrativë e paargumentuar që synon ta dëmtojë imazhin e Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe ta paraqesë atë si një aktor i lidhur me konflikte globale. Po ashtu, media ruse ka publikuar artikuj me pretendime të pabazuara se ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë përfshirë në terrorizmin ndërkombëtar.[10] Këto akuza janë përcjellë edhe nga zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, e cila deklaroi se Ukraina e ka tejkaluar Kosovën në aspektin e terrorizmit[11], pa paraqitur asnjë provë që mbështet këto pretendime. Këto përpjekje, për ta ndërlidhur Kosovën me terrorizmin, nuk mbështeten nga asnjë burim i besueshëm dhe përbëjnë një shembull të qartë të keqinformimit politik të synuar për ta dëmtuar legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës.
Kosova ka dëshmuar vazhdimisht përkushtimin e saj në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit, duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Falë këtyre përpjekjeve, Kosova është pozicionuar si një faktor stabiliteti në rajon dhe një partner i besueshëm në luftën kundër terrorizmit. Megjithatë, propaganda serbe dhe rrjetet e dezinformimit vazhdojnë të promovojnë narrativa të rreme për ta minuar legjitimitetin e Kosovës, një strategji që mund të luftohet vetëm përmes transparencës, faktimit dhe demaskimit të lajmeve të pavërteta.
Ekstremizmi etnonacionalist në Kosovë dhe “Telegrami” si platformë e dezinformimit Top of Form
Vitet e fundit, shqetësimet për ekstremizmin e dhunshëm të krahut të djathtë në Ballkanin Perëndimor janë shtuar, veçanërisht në kontekstin e historisë politike të paqëndrueshme të rajonit. Në Kosovë, ndikimi i këtij ekstremizmi ka qenë i kufizuar, por ai mbetet i lidhur ngushtë me etnonacionalizmin. Etnonacionalizmi në Kosovë buron nga interpretimet e ndryshme historike të shqiptarëve dhe serbëve, veçanërisht lidhur me luftën e viteve 1990-të. Shqiptarët e shohin atë si një betejë për çlirim nga shtypja serbe, ndërsa serbët e përshkruajnë si një përpjekje mbrojtëse kundër kryengritjes shqiptare, duke e portretizuar veten si viktima.[12]
Në vitet e fundit, natyra e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë ka pësuar ndryshime të rëndësishme. Deri në vitin 2018, kërcënimi kryesor buronte nga ekstremizmi islamik, por sot sfida më e madhe vjen nga grupet e ekstremizmit etnonacionalist. Ekstremizmi etnonacionalist, i manifestuar si formë e ekstremizmit të së djathtës së skajshme, është kthyer në një kërcënim të madh për sigurinë kombëtare të Kosovës, sidomos në veri të vendit. Këto grupe, të mbështetura nga rrjete të krimit të organizuar dhe kontrabandës në veri të Kosovës, marrin ndihmë financiare dhe logjistike nga struktura shtetërore të Serbisë dhe Rusisë. Organizatat si “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, të cilat u shpallën terroriste nga Qeveria e Kosovës në vitin 2023, janë shembuj konkretë të këtyre rrjeteve ekstremiste. Gjatë katër viteve të fundit, Kosova është përballur me më shumë se 17 sulme të klasifikuara si terroriste, të drejtuara ndaj institucioneve shtetërore, trupave të KFOR-it dhe popullsisë civile. Këto sulme janë kryer kryesisht nga anëtarë të grupeve ekstremiste të lidhura me Serbinë. Pavarësisht propagandës serbe që synon ta paraqesë Kosovën si një vatër të ekstremizmit islamik, faktet tregojnë se rreziku më i madh vjen nga strukturat e financuara dhe të trajnuara nga shteti serb.[13]
Rusia ka pasur ndikim negativ në Kosovë, duke përhapur dezinformata dhe duke i përkeqësuar tensionet etnike, veçanërisht në veri, duke mbështetur pretendimet e Serbisë dhe duke nxitur shpresa për rikthimin e ushtrisë serbe, çka kontribuon në rritjen e tensioneve, dhe mund të çojë në një konflikt të armatosur.[14]
Dezinformatat ruse shpërndahen përmes mediave lokale dhe elektronike në veri të Kosovës, të cilat e paraqesin qeverinë e Kosovës si një antagoniste ndaj popullatës serbe. Këto platforma shpesh e përforcojnë narrativën e mbështetur nga Kremlini, duke shpërndarë pretendime të rreme si ato që thonë se qeveria e Kosovës dëshiron ta eliminojë Listën Serbe dhe ta krijojë Shqipërinë e Madhe. Këto dezinformata, që nxisin tensionet etnike, kanë një ndikim të madh në forcimin e ndjenjave nacionaliste dhe ekstremiste, duke e rritur pasigurinë dhe polarizimin midis serbëve dhe shqiptarëve.
Fushatat dezinformuese të mbështetura nga Rusia kanë luajtur një rol kritik në rritjen e etnonacionalizmit në Ballkanin Perëndimor, duke shpërndarë narrativa që e portretizojnë KFOR-in dhe NATO-n si kërcënim për serbët në Kosovë. Këto kanale shpesh përhapin histori për mundësinë e kthimit të ushtrisë serbe dhe për ndihmën që Rusia u ofron serbëve në Kosovë, duke e paraqitur atë si mbrojtëse të popullatës serbe. Propaganda, gjithashtu, pretendon se mercenarët nga Kosova janë të përfshirë në luftime në Ukrainë, duke i përdorur këto pretendime për t’i justifikuar sulmet ruse dhe për t’i shtuar tensionet në rajon, duke e penguar integrimin e Kosovës dhe Ballkanit në strukturat ndërkombëtare si NATO dhe BE.
Në vitet e fundit, kanalet në Telegram me përmbajtje proserbe dhe proruse janë rritur ndjeshëm në Ballkanin Perëndimor, duke u fokusuar veçanërisht në Kosovë. Edhe pse nuk ka grupe proruse që synojnë t’i mobilizojnë shqiptarët e Kosovës, këto kanale janë bërë qendra për serbët, përfshirë ata nga Kosova, ku promovohen ide nacionaliste për rikthimin e “Serbisë së Madhe” dhe ndërhyrjen e ushtrisë serbe. Krizat e vazhdueshme në komunat me shumicë serbe që nga viti 2021 i kanë intensifikuar përmbajtjet nacionaliste dhe kanë shërbyer si mjet për mobilizimin e barrikadave kufitare. Përmbajtjet e këtyre kanaleve amplifikohen përmes rishpërndarjes së ndërsjellë dhe, përveç Kosovës, ato i trajtojnë edhe narrativat ruse për luftën në Ukrainë, propagandën kundër NATO-s, SHBA-së, BE-së dhe Perëndimit.[15]
Organizata dhe individë të lidhur me ekstremizmin etnonacionalist kanë hapur shumë llogari në Telegram për të shpërndarë propagandë që nxit urrejtje dhe destabilizim midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. Kanale të tilla, si “БУНТ је стање духа (Rebelimi është një gjendje shpirtërore)”, shpërndajnë narrativa të rreme që i paraqesin serbët në Kosovë si të rrezikuar dhe nën sulme nga institucionet e Kosovës, duke i stimuluar aktet e dhunshme si mjet reagimi. Këto kanale përhapin ide se Serbia mund të ndërhyjë në Kosovë dhe mbështesin lëvizje ekstremiste, duke promovuar grupe si “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut,” të cilat janë përfshirë në sulme terroriste.
Po ashtu, platforma si “КОРИДОР (Koridor)”, “БУНКЕР (Bunker)”, “СРПСКИ ГЛАСНИК (Gazeta Serbe)” dhe “Српски вукови (Ujqërit Serb)” promovojnë narrativa që e paraqesin Kosovën si një burim të rrezikut nga ekstremizmi islamik dhe i glorifikojnë heronjtë serbë të luftës. Këto kanale shpërndajnë mesazhe që nxisin urrejtjen ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, duke përshkruar situatën si një “spastrim etnik” dhe duke mbështetur luftën e Rusisë në Ukrainë. Mbi 90 kanale aktive në Telegram përhapin këso mesazhe, duke i rritur tensionet etnike dhe radikalizmin në rajon, me fokus në forcimin e ekstremizmit etnonacionalist dhe ndikimin rus në Ballkan.[16]
Bottom of Form
[1] Perteshi, Skender. (2025). Nga dezinformimi serb tek faktet: Kosova dhe përballja me ekstremizmin e dhunshëm. Instituti Prevent.
[2] Po aty.
[3] Po aty.
[4] Radikalni islam na Kosovu: Zloupotreba vere u službi terorizma (2025). https://www.kosovo-online.com/vesti/analize/radikalni-islam-na-kosovu-zloupotreba-vere-u-sluzbi-terorizma-26-1-2025 (Akcesuar 16.03.2025)
[5] Kosovo Online dhe Qeveria Serbe: Një aleancë dezinformatash. (2024). https://hibrid.info/kosovo-online-dhe-qeveria-serbe-nje-aleance-dezinformatash/ (Akcesuar 16.03.2025)
[6] Pretendohet pa fakte se në Kosovë po organizohen trajnime të ISIS-it. (2021). https://hibrid.info/pretendohet-pa-fakte-se-ne-kosove-po-organizohen-trajnime-te-isis-it/ (Akcesuar 16.03.2025)
[7] Pretendohet pa fakte se “autoritetet e Prishtinës po përdorin islamikët radikalë për të ushtruar presion ndaj serbëve të Kosovë” (2023). https://hibrid.info/pretendohet-pa-fakte-se-autoritetet-e-prishtines-po-perdorin-islamiket-radikale-per-te-ushtruar-presion-ndaj-serbeve-te-kosove/ (Akcesuar 16.03.2025)
[8] Pretendimi se shërbimet perëndimore mund të përdorin islamistët radikalë për të sulmuar serbët në Kosovë, tërësisht i pabazuar. (2022). https://hibrid.info/pretendimi-se-sherbimet-perendimore-mund-te-perdorin-islamistet-radikale-per-te-sulmuar-serbet-ne-kosove-teresisht-te-pabazuara/ (Akcesuar 16.03.2025)
[9] Pretendim i rremë se Hamasi ka blerë armë nga UÇK-ja. (2023). https://hibrid.info/pretendim-i-rreme-se-hamas-i-ka-blere-arme-nga-uck-ja/ (Akcesuar 16.03.2025)
[10] Pretendime dezinformuese për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në terrorizmin ndërkombëtar. (2024) https://hibrid.info/pretendime-dezinformuese-per-perfshirjen-e-ish-pjesetareve-te-uck-se-ne-terrorizmin-nderkombetar/ (Akcesuar 16.03.2025)
[11] Zaharova e përmend pa fakte Kosovën në krahasimin me Ukrainën ndërlidhur me terrorizmin (2024). https://hibrid.info/zaharova-e-permend-pa-fakte-kosoven-ne-krahasimin-me-ukrainen-nderlidhur-me-terrorizmin/ (Akcesuar 16.03.2025)
[12] Hasani, Adelina (2025). LUFTA KUNDËR EKSTREMIZMIT NË KOSOVË: Prirjet, sfidat dhe kundërmasat. Sbunker.
[13] Perteshi, Skender. (2025). Nga dezinformimi serb tek faktet: Kosova dhe përballja me ekstremizmin e dhunshëm. Instituti Prevent.
[14] Hasani, Adelina (2025). LUFTA KUNDËR EKSTREMIZMIT NË KOSOVË: Prirjet, sfidat dhe kundërmasat. Sbunker.
[15] Telegrami: Parajsa e kanaleve pro-ruse, tema e Kosovës mobilizon nacionalistët serbë pro-rusë. (2024). https://hibrid.info/telegrami-parajsa-e-kanaleve-pro-ruse-tema-e-kosoves-mobilizon-nacionalistet-serbe-pro-ruse/ (Akcesuar 16.03.2025)
[16] Perteshi, Skender. (2024). Ekstremizmi dhe platformat për radikalizim online në Kosovë. Instituti Prevent.