Etiketat ideologjike

Në tre dekadat e fundit, propaganda izraelite i etiketon palestinezët si ekstremistë islamikë dhe i godet ushtarakisht pa dallim, fëmijë, gra, pleq. Elementi fetar në etiketimin negativ është futur për të maskuar motivin e vërtetë të sjelljes izraelite, që është spastrimi etnik i territorit nga palestinezët dhe krijimi i një shteti vetëm për hebrenjtë. Hebraizimi, për ata që nuk e dinë, është feja e hebrenjve. Pra, ekstremizmin fetar në realitet e përfaqëson shteti i Izraelit dhe jo palestinezët, por etiketat ideologjike janë keqinformuese me qëllim.
Çelo HOXHA, Tiranë
Në dekadat e fundit, koncepti i ekstremizmit është përdorur gjerësisht për nisje ose avancim konfliktesh ushtarake në rajone të ndryshme të botës. Sipas përkufizimit gjuhësor, ekstremizmi është mbajtja e pikëpamjeve politike ose fetare ekstremiste, të cilat shumica i konsideron të paarsyeshme dhe të papranueshme.
Në ligjërimin politik, ekstremizmi është më së shumti një instrument ideologjik, i cili përdoret për të arritur qëllime të caktuara, kryesisht në mënyrë abuzive. Koncepti ideologjik më i përhapur në dekadat e fundit është ai i ekstremizmit fetar islamik, i cili është përdorur gjerësisht nga shtete të veçanta për të arritur objektiva të caktuara politike dhe ekonomike, përmes instrumenteve ushtarake, në vendet e tyre ose ato myslimane.
Ka raste kur të njëjtat shtete nuk u japin ngjyrim fetar sjelljeve të ngjashme. Vendet perëndimore, për shembull, të cilat e përdorin gjerësisht etiketën e ekstremizmit islamik, nuk i etiketojnë si ekstremistë katolikë luftëtarët baskë në Spanjë ose ata irlandezë në Irlandën e Veriut. Në Irlandë, të paktën, konflikti është mes katolikëve dhe protestantëve.
Etiketa ideologjike funksionon si të gjitha etiketat: jep informacion, sinjalizon, nxit një veprim. Për shembull, nëse ndeshim një objekt që përmban etiketën “reçel qershie”, ajo që kuptojmë është se brenda atij objekti ka një lëndë të ëmbël dhe veprimi që nxitet është pozitiv, hapja e objektit për të shijuar përmbajtjen e tij. Nëse objekti ka një etiketë që thotë “bombë me sahat”, ajo që kuptojmë është se ai objekt përbën kërcënim dhe ndjenja që nxit ai informacion është paniku, distancimi, arratisja, etj.
Efekti i etiketimit ideologjik, për individët, është ky: nëse dikush etiketohet si ekstremist, ai person është një objektiv për t’u ndjekur nga shërbimet e fshehta, për t’u arrestuar nga policia, për t’u hetuar nga prokuroria, për t’u gjykuar nga gjykatat, nëse arrin të ndiqet kjo rrugë, ose për t’u asgjësuar nga ushtria. Për njerëzit e thjeshtë, një person i tillë përbën rrezik dhe kudo që mund të shfaqet shihet me dyshim ose panik, duke i detyruar njerëzit të kalojnë aleancë me autorët e etiketimit.
Rasti më i njohur i abuzimit me konceptin e ekstremizmit është rasti i regjimit pushtues izraelit. Për parantezë: shteti që sot quhet Izrael dikur quhej Palestinë. Hebrenjtë europianë emigruan aty dhe më 1948 e shpallën shtetin e Izraelit. Që atëherë izraelitët dhe palestinezët janë në një përplasje të vazhdueshme, kryesisht një marrëdhënie dhune që shteti i Izraelit ushtron ndaj palestinezëve me qëllim largimin e tyre prej atdheut të tyre. Në tre dekadat e fundit, propaganda izraelite i etiketon palestinezët si ekstremistë islamikë dhe i godet ushtarakisht pa dallim, fëmijë, gra, pleq. Elementi fetar në etiketimin negativ është futur për të maskuar motivin e vërtetë të sjelljes izraelite, që është spastrimi etnik i territorit nga palestinezët dhe krijimi i një shteti vetëm për hebrenjtë. Hebraizimi, për ata që nuk e dinë, është feja e hebrenjve. Pra, ekstremizmin fetar në realitet e përfaqëson shteti i Izraelit dhe jo palestinezët, por etiketat ideologjike janë keqinformuese me qëllim.
Ekstremizmi, si koncept politik, është thjeshtë një etiketë verbale që i vishet një objekti të caktuar për t’u goditur politikisht ose ushtarakisht dhe ka origjinë të hershme. Në rastin shqiptar, ekuivalenti i konceptit ekstremizëm është koncepti kolaboracionizëm, i përdorur gjerësisht nga komunistët gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, me urdhër të Kominternës, në Shqipëri u krijua Partia Komuniste Shqiptare (PKSH). Qëllimi i krijimit të saj ishte që edhe në Shqipëri të krijohej një vatër komuniste, e cila do të angazhohej në konfliktin botëror duke ndihmuar sa të mundej Bashkimin Sovjetik, i cili u sulmua nga Gjermania naziste. Sulmi ndaj Bashkimit Sovjetik ndodhi më 22 qershor 1941, ndërsa PKSH-ja u krijua më 8 nëntor 1941. Dhe, komunistët e filluan aktivitetin e tyre kriminal, duke varë shqiptarë që mund të kishin ndonjë pozicion në administratë, me pretendimin se ata bashkëpunonin me pushtuesin, të cilët i quanin kolaboracionistë. Nuk ka rëndësi në ishin apo jo kolaboracionistë në realitet, por koncepti përdorej si etiketë. Në atë rast e kurdoherë, etiketa ideologjike përdoret për të zëvendësuar fajësinë.
Etiketa e kolaboracionizmit, si një instrument për dënimin e kundërshtarëve politikë, vazhdoi të përdorej dhe pas lufte. Ja disa shembuj të nxjerrë nga Fjalori i Viktimave të Terrorit Komunist, botuar nga ISKK në Tiranë: Jakov Milaj – “U arrestua në vitin 1945 dhe u dënua me 15 vjet burgim si kolaboracionist” (vëllimi 5); Dalan Ferhati – “U arrestua më 31 nëntor 1944. Më 11 shtator 1946, Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës e deklaroi kriminel lufte, armik të popullit, anëtar të Ballit Kombëtar, kolaboracionist me Nuri Dinon” (vëllimi 2); Dedë Çoku – “U padit për ‘kolaboracionizëm’ me gjermanët” (vëllimi 1).
Edhe sot po ta kërkoni në Google kuptimin e fjalës kolaboracionizëm, do të dalë ky shpjegim: “Bashkëpunim i tradhtarëve të Atdheut ose i përfaqësuesve të klasave sunduese me pushtuesit fashistë e nazistë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare”. Ndërsa për fjalën kolaboracionist do të dalë ky shpjegim: “Ai që ka bashkëpunuar me pushtuesit fashist e nazist dhe e ka tradhtuar Atdheun gjatë Luftës Nacionalçlirimtare”. Nëse shikon profilin e Ballin Kombëtar në Wikipedia, varianti anglisht, thuhet që Balli Kombëtar “ishte një lëvizje rezistence shqiptare nacionaliste kolaboracioniste dhe antikomuniste”.
Në të gjitha rastet e cituara këtu, termi kolaboracionizëm është përdorur si etiketë nga propaganda komuniste, e cila është ende në veprim për t’i njollosur kundërshtarët politikë. Këto përkufizime janë përdorur fillimisht në fjalorët e gjuhës shqipe të krijuar gjatë regjimit komunist nga Akademia e Shkencave dhe tani janë hedhur dhe në internet, pa asnjë ndryshim.
Për krijuesit e etiketave negative ideologjike e vërteta nuk ka rëndësi. Termi kolaboracionizëm në Shqipëri ose ekstremizëm islamik në vende të tjera janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren me të njëjtin qëllim, si shenja identifikimi për t’u goditur, me propagandë ose plumb. Etiketa ideologjike e mbush boshllëkun e krijuar nga mungesa e fajësisë.