Është rritur në mënyrë enorme konsumi i ujit në Shkup, qytetarët ta përdorin në mënyrë racionale dhe të ndërgjegjshme

Ndërmarrja publike “Ujësjellësi dhe kanalizimi” – Shkup informoi se edhe sot vazhdohet me konsumin e rritur enorm dhe të pakontrolluar të ujit në nivel ditor që shkakton çrregullim të sërishëm të stabilitetit të sistemit të ujësjellësit. Si pasojë e tërë kësaj, siç theksojnë, sistemi i ujësjellësit të qytetit funksionon me presion të zvogëluar dhe me ndërprerje të kohëpaskohshme të ujit në disa pjesë të qytetit.

“Duke e pasur parasysh faktin se Qyteti i Shkupit furnizohet nga burim natyror me sasi të kufizuar të ujit të pijshëm me vlerë të paçmueshme, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Qytetit të Shkupit për përdorim racional dhe të ndërgjegjshëm të ujit të pijshëm, si dhe evitim të shpenzimit të panevojshëm të ujit për ujitje të gjelbërimit, oborreve dhe fushave, për larje të automjeteve, për mbushje të pishinave dhe të ngjashme. Njëherit u bëjmë thirrje edhe organeve të vetëqeverisjes lokale, në pajtim me kompetencat e tyre, përmes shërbimeve me të cilat disponojnë, si dhe përmes bashkësive lokale në territorin e komunave, të angazhohen në ngritjen e vetëdijes tek banorët e komunave për shfrytëzim racional të ujit të pijshëm”, thuhet në kumtesë.

Nga ndërmarrja u bëjnë thirrje qytetarëve të Qytetit të Shkupit nëse vërejnë kyçje ilegale, ta paraqesin në 02 3073 010, kontakt@vodovod-skopje.com.mk apo www.vodovod-skopje.com.mk

“Me kyçjet pa leje i shkaktohet dëm sistemit të furnizimit me ujë dhe cilësisë së furnizimit të shfrytëzuesve në Qytetin e Shkupit”, ceket në kumtesë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button