Është rritur interesimi i nxënësve për të mësuar në Medresenë “Isa Beu”

Akreditimi i Medresesë “Isa Beu” ka rritur dukshëm interesimin e nxënësve për të vazhduar arsimin e mesëm në këtë shkollë. Drejtori Islam Islami tha për Alsat se në vitin e ri shkollor 2025/26 procesin mësimor e kanë nisur gjithsej 105 nxënës në vitin e parë kundrejt 76 nxënësve që dolën maturantë. Sipas Islamit, viti shkollor ka nisur me planprogramin e ri mësimor në pajtim me statutin e ri.
“Ne kemi bërë përgatitjet shtesë të kuadrit të lëndëve të ndryshme në të cilat kemi orë shtesë, lënda e matematikës, gjuhë angleze, kimi, fizikë edhe pse ne i kemi pas por tash me akreditimin jemi detyruar ti shtojmë orët e saj. Kemi çdo ditë telefonata, interesime, dëshirojnë të transferohen nga shkollat e ndryshme vetëm për të ardhur në medresenë tonë. Numri bujshëm është rritur këtë vit shkollor për shkak të akreditimit të medresesë. Numri i përgjithshëm që sivjet vijojnë vitin e parë është 105 në të gjitha paralelet e shtrira”, tha Islam Islami, drejtor i Medresesë “Isa Beu”.
Ensar Xhemaili është nxënës i vitit të parë dhe vjen nga Tetova. Ai vlerëson se janë të shumta përfitimet që sjell statuti i ri shkollës duke ju ofruar nxënësve mundësi të shumta studimi.
“Në medrese vij me vetdëshirë. Jam shumë i lumtur për shkak të akreditimit të medresesë. Këtu, përveç lëndëve fetare I mësojmë edhe ato shkencore ku pastaj do të kemi edhe provimin shtetëror ku do ti matim dijet edhe me nxënësit tjerë të shkollave të mesme”, tha Ensar Xhemaili, nxënës i vitit të parë.
Ndërkohë, Jusuf Lazimi nxënës i vitit të dytë shpreson se akreditimi i Medresesë “Isa Beu” të përfshijë të gjithë nxënësit e kësaj shkolle”.
“Si nxënës shpresojmë që akreditimi i Medresesë “Isa Beu” të vlej edhe për vitet e dyta, të treta dhe të katërta që pastaj edhe nxënësit e kësaj shkolle të kenë të drejtën për tu regjistruar në fakultete të ndryshme. Ideja e parë para se të regjistrohem në Medresenë “Isa Beu” ka qenë të bëhem hoxhë dhe të shërbej në vendin tim por mund të ndryshoj dhe të merr një kahe tjetër, të bëhem një ekonomist i mirë”, shtoi Jusus Lazimi, nxënës i vitit të dytë
Më 29 korrik, në Kuvend me 80 vota “për” u miratua Ligji për institucionet e arsimit të mesëm të bashkësive fetare. Me këtë, Medreseja “Isa Beu” në Shkup u akreditua dhe barazua me të gjitha shkollat e mesme në vend, dhe diplomat e nxënësve të kësaj shkolle tashmë pranohen zyrtarisht. Përmes këtij ligji, nxënësit e shkollave të mesme fetare do të mund të kalojnë maturën shtetërore dhe të regjistrohen në universitetet e vendit, njëjtë si nxënësit tjerë./Alsat.mk