Ese për veten dhe lirinë

Kur dështuam ta kuptojmë se na duhet sërish solidaritet kolektiv, pagjumësi e mund, ndoshta edhe dëshmorë për ta mirëmbajtur mrekullinë e fituar (lirinë, paqen dhe prosperitetin), aty rrezikuam të ndeshemi me një ligj të pamëshirshëm të botës – përjashtimin nga rrjedha normale dhe mbetja përballë meritokracisë, pra ti je aq sa bën për veten. Prandaj ekziston një shkarje e madhe në perceptimin tonë për lirinë, një dembeli e frikshme që bëhet pengesë fatale për t’u kthyer në origjinë si komunitet e për të besuar edhe një herë në vlerat dhe principet për të cilat dikur ishim të gatshëm të flijoheshim.
Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë
Botëkuptimi ynë i rëndomtë, më saktë, i shoqërisë sonë (natyrisht, me përjashtime) për ecurinë dhe drejtimin e botës është linear dhe tradicional. Ai mbështetet në narrativa të gatshme, deterministe dhe pothuajse të pandryshueshme. Ndoshta për shkak të mënyrës dhe natyrës së rrugëtimit tonë si popull, nga robëria në liri, nga varfëria dhe izolimi në një jetë ekonomikisht më të mirë dhe hapje ndaj botës, trendeve dhe modeleve të reja, nga një jetë konservatore në një jetë më moderne, edhe perceptimi ynë për botën, rrjedhimisht, është ndërtuar në këtë trajtë lineare. Një supozim i nënkuptuar se bota shkon drejt së mirës, lirisë, emancipimit dhe paqes, se edhe ato konflikte që janë aktualisht në botë, zgjidhen e mbarojnë, se civilizimi do ta mundë barbarinë. Ndoshta kjo buron edhe nga mënyra e edukimit tonë. Lirinë, paqen dhe mirëqenien – pasi e kemi arritur me aq sakrifica – e përjetuam si një mrekulli dhe e morëm si të përjetshme e të mirëqenë. Deri këtu është në rregull. Por, kur dështuam ta kuptojmë se na duhet sërish solidaritet kolektiv, pagjumësi e mund, ndoshta edhe dëshmorë për ta mirëmbajtur mrekullinë e fituar (lirinë, paqen dhe prosperitetin), aty rrezikuam të ndeshemi me një ligj të pamëshirshëm të botës – përjashtimin nga rrjedha normale dhe mbetja përballë meritokracisë, pra ti je aq sa bën për veten. Prandaj ekziston një shkarje e madhe në perceptimin tonë për lirinë, një dembeli e frikshme që bëhet pengesë fatale për t’u kthyer në origjinë si komunitet e për të besuar edhe një herë në vlerat dhe principet për të cilat dikur ishim të gatshëm të flijoheshim. Mund të tingëllojë si qasje moralizuese, por e vërteta është se një komunitet i cili nuk e di për çka jeton, për çka dhe kur duhet të sakrifikojë, në shërbim të cilit ideal është, nuk mund të jetë pjesë normale e botës sot, së paku jo e botës së këtij shekulli dhe këtij regjioni.
Oaza e vogël në fshatin e trazuar
Jemi dëshmitarë se bota ka ndryshuar shumë qysh prej shfaqjes së pandemisë Covid-19 dhe pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë. Shto kësaj ato vatra të luftërave dhe krizave ku të drejtat e njeriut nuk respektohen dhe vriten me mijëra njerëz të pafajshëm. Besimi në paqen e garantuar dhe në drejtësinë e cila buron nga principet e pranuara nga bota e civilizuar është shkundur në masë të madhe. Në aspektin ekomomik, bota hyri në një fazë të re, ku kriza ekonomike dhe strategjitë për të dalur nga kriza janë pjesë e shqetësimit të vendeve të cilat deri sot i kemi ditur si të pamposhtura. Këto zhvillime kanë ndikuar edhe shoqëritë tona në Ballkanin Perëndimor, e rrjedhimisht edhe arealin shqiptar, i cili ende po përpiqej të adresonte probleme të cilat i trashëgonte nga e kaluara. Kanë pësuar ndryshime të mëdha perceptimet për sigurinë, ekonominë, paqen dhe mirëqenien. Nëse vendet më të zhvilluara të botës kanë shqetësime të tilla, vendet tona janë edhe më joimune ndaj ndikimit nga zhvillimet negative në botë. Edhe ndryshimet në politikën ndërkombëtare, lëvizjet e forcave politike natyrisht se ndikojnë në themel funksionimin dhe tempin e konsolidimit të shteteve tona. Relacionet SHBA-Rusi, Europë-Rusi, e sidomos tani ato SHBA-Europë, të cilat nuk janë më të akorduara në nivelin e dëshiruar, duket të jenë shqetësuese për arealin shqiptar, e për Kosovën në veçanti. Bota jonë e mirëqenë po del të jetë e befasishme.
Në kërkim të zgjidhjeve
Teksa kemi një panoramë të tillë, kur (në planin nacional) shteti kosovar përpiqet të shmangë rreziqet që i kanosen çdo ditë nga destruktiviteti i shtetit dhe nacionalizmit serb, kur mundohet të plotësojë konsolidimin e shtetit në çdo sektor, shfaqja e dilemave (në planin ndërkombëtar) dhe prishja e rendit botëror përbën një pikëpyetje dhe goditje shqetësuese për ëndrrën e lirisë, prosperitetit dhe mirëqenies në arealin shqiptar dhe në Kosovë. Kjo situatë imponon reflektim shtetëror dhe kolektiv, për të kërkuar modalitetet dhe rrugët që shmangin rreziqet e drejtpërdreta dhe që minimizojnë dëmin atëherë kur ka zhvillime rreth nesh jashtë ndikimit dhe vullnetit tonë.
Pasi ta kemi kuptuar se liria dhe paqja nuk janë të mirëqena, por në masë të madhe janë takim i përpjekjes me fatin, dhe se bota po ndryshon shpejt, e kësaj radhe nuk ka premtime për askënd, një nga mënyrat e reflektimit përballë një panorame të tillë është rezonimi historik për veten, njohja e vetes historike si komunitet; rrugëtimi ynë ndër shekujt dhe pikëtakimet tona të mëparshme ndërmjet fatit dhe përpjekjes. Ky nivel i vetëdijes historike e vendos individin dhe komunitetin brenda një konteksti të dhënë me një njohje të thellë të vetes dhe tjetrit, me një perspektivë e cila i mundëson të shohë e njohë botën që e rrethon. Ky proces mundëson marrjen e hapave të bazuar në praxis (përvojën), duke e njohur ecurinë e vetes dhe botës, mënyrën se si erdhëm deri këtu. Një mënyrë tjetër e reflektimit është ndërtimi i qasjes vlerore dhe konceptuale mbi principet e panegociueshme si liria, barazia, drejtësia, sovraniteti dhe respektimi i rendit aktual botëror – i cili duket të jetë i vetmi premtues për projektin tonë nacional. Kjo qasje mundëson mobilizimin vleror për të besuar në botën që duhet të jetë. Çdo botë tjetër nuk na duhet. Një qasje tjetër është edhe ndërtimi i narrativës dhe aplikimi i qasjes për aleanca dhe partneritet në arenën ndërkombëtare me forca, pakte, shtete dhe agjenci që bazohen në principe dhe interesa të përbashkëta. Forcimi i kapaciteteve si shoqëri dhe shtet, prioritizimi i publikes dhe përjetimi i shtetit si çati e të gjithë neve, bën të mundur një proces të konsolidimit dhe themel të qëndrueshëm për shtetin dhe ekzistencën tonë. Riafirmimi në nivel kolektiv i frymës së aleancave tradicionale e strategjike me SHBA-në, BE-në, Britaninë e Madhe, Turqinë dhe shtete tjera mike në rajon dhe gjetiu, pavarësisht forcave politike që vijnë në pushtet atje dhe këtu, është po ashtu kruciale në procesin e adresimit të shqetësimeve për sigurinë dhe mirëqenien.
Përfundim
Ekzistojnë dy trajektore lineare, por të kundërta për arritjen e vetëdijes për t’u sjellur në mënyrën e duhur si shoqëri në situatën ku gjendemi: e para është historike – kthim prapa tek vetja historike: të jemi ata që ishim – në besimin e pakusht në principet njerëzore, si liria, drejtësia, barazia dhe paqja, për të cilat nëse nevojitet duhet sakrifikuar; dhe, e dyta, futuriste – të bëhemi de facto ata që mendojmë se jemi ose që jemi deklaruar se jemi (popull liridashës, popull europian, popull i pamposhtur, popull autokton, popull të cilin s’ka arritur askush ta asimilojë e ta mposhtë) dhe ta ndërtojmë të ardhmen pikërisht duke mos i bishtnuar perceptimit tonë për veten. Duke i takuar këto dy perspektiva, arrijmë një nivel solid të ndërgjegjes kolektive për t’i adresuar shqetësimet e sigurisë dhe mirëqenies, duke mos harruar se, për ne si popull, asgjë nuk ka filluar nga sot.