Errësirë në Berlin: Përsëri të majtët ekstremë?

Dhjetëra mijëra familje pa energji elektrike në Berlin – diçka që shumë pak kush mund të paramendonte. Në disa zona nuk ka energji elektrike, nuk ka internet, rrjetet celulare janë jashtë funksionit. Semaforët janë fikur, dyqanet, bankomatët nuk punojnë…

Jeta e përditshme është ndërprerë aq shumë, sikur të ishte në ndonjë skenar të filmave e serialeve të shumta në platformat televizive. Ky tmerr modern po ndodh në disa lagje të metropolit gjerman të Berlinit.

Pa energji elektrike, por edhe ngrohje me temperatura rreth zeros – në jugperëndim të kryeqytetit, mbeten të paktën 45,000 familje dhe rreth 2,200 kompani. Trafiku ishte ndërprerë – si në rrugët nëpër pjesët e prekura të qytetit, ashtu edhe trafiku i trenave të qytetit dhe rajonalë. Në dyqanet që janë të hapura – pagesat bëhen me para në dorë.
E gjitha filloi në orët e para të mëngjesit të së shtunës (3 janar) për shkak të një zjarri në kabllot e energjisë mbi kanalin lokal Teltow.

Zjarri në urën e kabllove jo vetëm që ndërpreu furnizimin me energji elektrike, por shkaktoi edhe ndërprerjen e sistemit të ngrohjes qendrore në lagjet e prekura. Edhe në ndërtesat që nuk ngrohen nga sistemi i ngrohjes qendrore pati ndërprerje, sepse shumica e përçuesve kërkojnë energji elektrike.
Spitalet, azilet e pleqve, shkollat, kopshtet e prekura…
Disa azile pleqsh dhe spitale në lagjen Zehlendorf u prekën po ashtu. Disa banorë të azileve të pleqve u transferuan në vende të tjera në qytet.

Për më tepër, në Berlin gjatë fundjavës ka rënë borë dhe ishte shumë ftohtë. Policia kumtoi: “Përdorni telefonat celularë me kursim. Mendoni për të moshuarit ose ata që kanë nevojë për ndihmë dhe ofrojeni atë. Kurseni dritat e baterisë për orët e mbrëmjes.”

Shkollat dhe kopshtet do të mbeten të mbyllura në fillim të javës.

Pjesët e prekura të Berlinit po rikthehen gradualisht në rrjetin e ngrohjes qendrore, së pari dhe më pas në rrjetin elektrik. Të dielën vonë në mbrëmje, 31,000 familje dhe 1,700 biznese ishin ende pa energji elektrike. Autoritetet presin që situata të kthehet në normalitet deri të enjten pasdite (8 janar).
Kundër një “mënyre jetese imperialiste”
Policia ka nisur një hetim, e bindur se zjarri ishte një zjarrvënie e qëllimshme. Ndërkohë është publikuar edhe një letër nga “Grupi Vulkan”, pak i njohur deri tani, i cili i atribuohet krahut radikal të majtë-të gjelbër. Grupi e përshkruan aktin e sabotimit si një “mbrojtje të nevojshme” kundër “mënyrës së jetesës imperialiste” dhe një akt “solidariteti ndërkombëtar me të gjithë ata që mbrojnë Tokën dhe jetën” duke luftuar lëndët djegëse fosile. Ata thonë se kanë përjashtuar mundësinë e dëmtimit të njerëzve nga veprimi i tyre dhe u kanë kërkuar falje “njerëzve më pak të pasur” për shqetësimin.

Policia e konsideron letrën të besueshme dhe autentike, tha një zëdhënëse e policisë.

Në aksionet e kërkimit janë angazhuar fillimisht 160 oficerë policie që po kërkonin edhe me drona. Ende nuk dihet se si prokuroria do ta kualifikojë aktin, por është e mundur që të konsiderohet një akt terrorizmi.
Në aksionet e kërkimit janë angazhuar fillimisht 160 oficerë policie që po kërkonin edhe me drona. Ende nuk dihet se si prokuroria do ta kualifikojë aktin, por është e mundur që të konsiderohet një akt terrorizmi.

Me motive të ngjashme dhe në një mënyrë të ngjashme pa energji ka mbetur në shtator një pjesë tjetër e Berlinit. Rreth pesëdhjetë mijë familje u prekën atëherë.

Nuk dihet se kush qëndron pas “Grupit Vulkan”, të cilin policia e klasifikon si një grup ekstremist të krahut të majtë, e nuk dihet as sa anëtarë ka apo si është i organizuar.
Atyre u atribuohet një sërë sabotimesh në pesëmbëdhjetë vitet e fundit – kryesisht ndaj infrastrukturës hekurudhore, linjave të energjisë elektrike e madje edhe ndaj një fabrike gjigante të prodhuesit amerikan të makinave Tesla afër Berlinit.

“Është e papranueshme që ekstremistët e krahut të majtë me sa duket po sulmojnë përsëri rrjetin e energjisë dhe në këtë mënyrë po rrezikojnë jetët e njerëvze”, tha kryebashkiaku Kai Wegner.

Senatorja e qytetit për punët e brendshme, socialdemokratja Iris Spranger, e quajti sabotimin “një sulm ndaj berlinezëve”.
Gjermania një objektiv i lehtë?
Përveç kësaj, cenueshmëria e infrastrukturës kritike të Gjermanisë po diskutohet përsëri gjerësisht në shtyp – një temë që është përsëritur që kur një grup i dyshuar komandosh ukrainas hodhën në erë tubacionet e gazit Nord Stream 1 dhe 2 pranë ishullit danez Bornholm në Detin Baltik në shtator 2022.

Me sa duket, autorët e krimit kanë vënë lehtësisht mjete shpërthyese nën strukturën metalike të urës që shërben për të transportuar kabllot nga termocentrali Lichterfelde në anën tjetër të kanalit.

“Sulmi ndaj rrjetit elektrik të Berlinit është një shenjë paralajmëruese”, shkruan gazeta lokale Berlin Morgenpost. “Pjesë të rëndësishme të infrastrukturës në Gjermani janë shumë pak të mbrojtura nga sulmet ose sabotimi”. Kërkohen masa mbrojtëse. /DW

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button