Erdogan: Veprimet e Izraelit po e çojnë rajonin drejt një katastrofe

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Izraeli udhëhiqet nga një rrjet që e konsideron veten superior ndaj të tjerëve dhe po e çon rajonin hap pas hapi drejt një katastrofe, raporton Anadolu.
“Të gjithë e dimë se sulmet që shënjestruan fillimisht Gazën, pastaj Jemenin dhe Libanin dhe së fundmi Iranin, nuk motivohen vetëm nga shqetësime sigurie”, tha Erdogan në një iftar të organizuar në Kompleksin Presidencial në kryeqytetin Ankara.
SHBA-ja dhe Izraeli kanë vazhduar një ofensivë të përbashkët kundër Iranit që nga 28 shkurti, duke vrarë deri tani më shumë se 1.200 persona, përfshirë liderin suprem të atëhershëm, Ali Khamenei.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë “asete ushtarake amerikane”, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe aviacionin.
Sipas ushtrisë libaneze dhe mediave shtetërore, forcat izraelite gjithashtu intensifikuan sulmet ajrore dhe bombardimet me artileri në të gjithë jugun e Libanit që nga mëngjesi i së martës, së bashku me një inkursion të kufizuar tokësor.



