Erdogan: Turqia do të monitorojë zbatimin e marrëveshjes për Gazën në terren

Turqia do të marrë pjesë në një grup pune për të monitoruar zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza në terren, tha sot presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, duke iu drejtuar ceremonisë së hapjes së vitit akademik të arsimit të lartë 2025-2026 në Ankara, raporton Anadolu.

Erdoğan e përshkroi ndihmën urgjente humanitare, shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve, si dhe ndalimin e menjëhershëm të sulmeve izraelite si “me rëndësi kritike”, duke shtuar se Turqia do të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të mbështetur përpjekjet e rindërtimit dhe për të ndihmuar në rindërtimin e Gazës.

“Qëllimi ynë është të ndalojmë gjenocidin në Gaza dhe të sjellim paqe në rajon sa më shpejt të jetë e mundur”, tha presidenti turk.

Ai theksoi se “askush në botë nuk e meriton paqen, sigurinë dhe stabilitetin më shumë se populli i Gazës”.

Deklaratat e presdientit Erdoğan erdhën pasi u arrit një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit të enjten herët në Sharm el-Sheikh, Egjipt, bazuar në një plan 20-pikësh të paraqitur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Faza e parë e planit kërkon një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e pengjeve dhe të burgosurve, tërheqje graduale të Izraelit nga një vijë e rënë dakord në Gaza dhe hyrjen e ndihmës humanitare, së bashku me mbështetjen ndërkombëtare për rindërtim.

Marrëveshja erdhi pas disa ditësh negociatash në qytetin e Detit të Kuq, me zyrtarë të lartë nga Katari, Turqia, Egjipti dhe SHBA-ja që iu bashkuan delegacioneve.

“Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar fazën e parë të Planit tonë të Paqes”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

“Falënderojmë ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia, të cilët punuan me ne për ta bërë të mundur këtë ngjarje historike dhe të pashembullt”, tha ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button