Erdogan: Ankaraja vazhdon të marrë masa të rrepta kundër shkeljeve të hapësirës ajrore

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha sot se Ankaraja vazhdon të marrë masa të forta kundër shkeljeve të hapësirës ajrore dhe për të forcuar sigurinë kombëtare, transmeton Anadolu.

“Me vetëdijen se mbajmë përgjegjësinë e 86 milionë njerëzve, ne nuk e braktisim kurrë kujdesin dhe maturinë. Ndërsa mbajmë një qëndrim shumë të vendosur kundër veprimeve që shkelin hapësirën tonë ajrore, ne gjithashtu vazhdojmë të ndërmarrim hapa për të forcuar paqen dhe sigurinë e kombit tonë”, tha Erdogan.

Presidenti i bëri këto komente në një video-mesazh duke përshëndetur qytetarët turq me rastin e Bajramit të Ramazanit, i njohur edhe si Fitër Bajrami, festë kjo që vjen pas muajit të shenjtë të Ramazanit.

Ai shprehu urimet e tij që Bajrami t’i sjellë mirësi, bekime dhe bukuri vendit, botës islame dhe gjithë njerëzimit dhe gjithashtu përmendi situatën në Lindjen e Mesme.

“Vëllezërit dhe motrat tona në Gaza po përpiqen të festojnë Bajramin e Ramazanit nën sulmet e Izraelit, të cilat shkelin rregullat e armëpushimit dhe bllokojnë ndihmën humanitare. Në pjesë të ndryshme të Palestinës, veçanërisht në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor si dhe në jug të Libanit, politikat e pushtimit dhe shkatërrimit vazhdojnë me intensitet të plotë”, tha ai.

Erdogan theksoi se sulmet e nisura kundër Iranit më 28 shkurt, së bashku me hakmarrjet e Iranit me raketa dhe dronë ndaj vendeve të treta, kanë përshkallëzuar më tej tensionet rajonale.

“Përballë kësaj pamjeje shqetësuese, me vetëdijen se mbajmë përgjegjësinë e 86 milionë njerëzve, nuk e braktisim kurrë kujdesin dhe maturinë”, tha Erdogan duke shtuar se Turqia vazhdon të marrë masa të forta kundër shkeljeve të hapësirës ajrore dhe për të forcuar sigurinë kombëtare.

Duke iu referuar iniciativës “Turqia pa Terror” të nisur 17 muaj më parë, Erdogan tha se ata kanë kapërcyer shumë pragje kritike pa probleme. “Me zgjidhjen e çështjes në Sirinë veriore përmes pajtimit, shqetësimet tona për sigurinë janë lehtësuar dhe integriteti territorial i Sirisë është ruajtur”, tha ai.

“Qëllimi ynë është ta çojmë këtë proces të dobishëm që kemi filluar në një përfundim të sigurt, duke marrë parasysh skenarët e përgjakshëm që kërkohen të inskenohen në rajonin tonë”, theksoi presidenti turk.

Erdogan përmendi gjithashtu se në një periudhë kur pasiguria globale po rritet, Turqia arriti të rrisë ekonominë e saj me 3.6 për qind vitin e kaluar, duke u bërë vendi i tretë me rritjen më të shpejtë midis vendeve të OECD-së në vitin 2025.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button