“Epoka e artë e Amerikës po fillon”, Trump nënshkruan projektligjin për taksat dhe shpenzimet

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një projektligj të rëndësishëm që parashikon uljen e përgjithshme të taksave dhe shpenzimeve, gjatë një ceremonie të organizuar në Shtëpinë e Bardhë për Ditën e Pavarësisë.
Gjatë ceremonisë, avionë të Forcave Ajrore Amerikane, përfshirë bombarduesit strategjikë B-2 që morën pjesë në sulmet kundër Iranit fluturuan mbi Shtëpinë e Bardhë.
Duke e quajtur se “epoka e artë e Amerikës” po fillon, Presidenti Trump foli për arritjen e tij më të madhe që nga fillimi i mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.
“Nuk kam parë kurrë njerëz kaq të lumtur në vendin tonë”
“Nuk kam parë kurrë njerëz kaq të lumtur në vendin tonë për shkak të këtij (projektligji), sepse ai kujdeset për kaq shumë grupe të ndryshme në shoqëri: ushtarakë, qytetarë të të gjitha klasave, vende pune të të gjitha llojeve”, tha Trump në këtë aktivitet, duke falënderuar udhëheqësit republikanë në Kongres – Mike Johnson, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, dhe John Thune, udhëheqës i shumicës në Senat – për miratimin e projektligjit në të dyja dhomat.
“Pra, ja ku është ulja më e madhe e taksave, ulja më e madhe e shpenzimeve, investimi më i madh në sigurinë kufitare në historinë amerikane”, theksoi presidenti amerikan.
Çfarë përfshin projektligji?
Projektligji gjithëpërfshirës i buxhetit përmbush shumë nga premtimet e fushatës së Trump: rritjen e shpenzimeve ushtarake, financimin e fushatës së tij të deportimeve masive të emigrantëve të paligjshëm dhe zgjatjen e lehtësirave tatimore të miratuara gjatë mandatit të mëparshëm të manjatit republikan në Shtëpinë e Bardhë.
Për të kompensuar borxhin në rritje, programi federal i ndihmës ushqimore është planifikuar të reduktohet në mënyrë drastike dhe Medicaid, programi i sigurimeve shëndetësore për amerikanët me të ardhura të ulëta, do të shkurtohet ndjeshëm. Sipas disa vlerësimeve, deri në 17 milionë njerëz mund të humbasin aksesin në programet e kujdesit shëndetësor dhe të sigurimeve shoqërore.