Emiratet e Bashkuara Arabe: Interceptuam 13 raketa dhe 39 dronë të lëshuar nga Irani

Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore kanë interceptuar një valë raketash dhe dronësh të lëshuar nga Irani të mërkurën, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së vendit, transmeton Anadolu.
“Sistemet e mbrojtjes ajrore të Emirateve neutralizuan gjashtë raketa balistike, shtatë raketa lundruese dhe 39 mjete ajrore pa pilot të lëshuara nga Irani”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Autoritetet publikuan gjithashtu shifra kumulative që nga fillimi i sulmeve, duke theksuar se sistemet mbrojtëse të Emirateve kanë interceptuar 268 raketa balistike, 15 raketa lundruese dhe 1.514 dronë që nga fillimi i konfliktit.
Sipas deklaratës, sulmet kanë shkaktuar gjashtë të vdekur dhe 131 të plagosur nga kombësi të ndryshme.
– Sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit
Përshkallëzimi vjen pas sulmeve ushtarake kundër Iranit më 28 shkurt, të ndërmarra nga Izraeli dhe SHBA-ja, ndërsa negociatat mes Teheranit dhe Washingtonit ishin ende në zhvillim.
Irani u përgjigj me sulme hakmarrëse, duke shënjestruar Izraelin si dhe lokacione në disa vende të rajonit ku ndodhen baza ushtarake amerikane, përfshirë Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin.
Gjatë sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit u vra edhe udhëheqësi suprem Ali Khamenei, së bashku me disa zyrtarë të tjerë të lartë.
Autoritetet iraniane thonë se 1.332 persona janë vrarë nga sulmet amerikano-izraelite.



