Ekipit të Elon Muskut i ndalohet qasja në sistemet e Departamentit të Thesarit

Urdhri erdhi në përgjigje të padisë të ngritur nga 19 prokurorë të përgjithshëm që e akuzojnë presidentin se ka dështuar të ekzekutoj ligjet e vendit me besnikëri pasi la Departamentin e Efiçiencës Qeveritare (DOGE) të përshkoj sistemet kompjuterike federale, raporton “The New York Times”.
Një gjykatës federal ka ndaluar përkohësisht qasjen e Departamentit për Efiçiencë Qeveritare (DOGE) të udhëhequr nga Elon Musk, në sistemet e të dhënave dhe pagesave të Departamentit të Thesarit, duke deklaruar se ka një rrezik për “dëm të pariparueshme”.

Politika e re e administratës së Trumpit për lejimin e të emëruarve politikë dhe “punëtorëve specialë të qeverisë” qasje në këto sisteme, që përmban informacione shumë sensitive, siç janë detaje bankare, rritë rrezikun e publikimit të tyre dhe bërjen e sistemit më të hapur ndaj sulmeve kibernetike se që ishte më herët, thuhet në një urdhër emergjent të gjykatësit të Qarkut të SHBA-së, Paul A. Engelmayer.

Gjykatësi Engelmayer urdhëroi që çdo zyrtar i tillë që ka pasur qasje në sistem që nga 20 janari të “shkatërrojë të gjitha kopjet e materialit të shkarkuar nga regjistrat dhe sistemet e Departamentit të Thesarit”. Po ashtu ai ndaloi qeverinë t’i garantojë qasje kësaj kategorie të zyrtarëve.

Të pandehurit, presidenti Trump dhe sekretari i Thesarit Scott Bessent duhet të paraqesin arsyetim më 14 shkurt para gjykatëses Jeannette A. Vargas, e cila po e trajton çështjen, ka deklaruar Engelmayer.

Urdhri erdhi si përgjigje ndaj padisë së ngritur të premten nga Letitia James e New Yorkut bashkë me 18 prokurorë të përgjithshëm demokratë, duke akuzuar se kur presidenti Trump i dha Muskut qasje në sistemet kompjuterike të qeverisë, ai kishte thyer mbrojtjet e rregulluara me Kushtetutë dhe “ka dështuar të ekzekutojë me besnikëri ligjet e dhëna nga Kongresi”.

Prokurorët e përgjithshëm deklaruan se presidenti kishte dhënë “qasje praktikisht të pakufizuar” në informatat më sensitive të qeverisë federale te këshilltarët e rinj që punojnë për Muskun, i cili udhëheqë Departamentin e Efiçiencës Qeveritare ose DOGE, edhe pse nuk është një departament.

Derisa emërimi i grupit ishte bërë me supozimin e kursimit, anëtarët janë “duke tentuar të qasen në të dhënat e qeverisë për të mbështetur nismat për të bllokuar fondet federale për të arritur disa përfitues të pafavorizuar”, sipas padisë. Musku kishte deklaruar publikisht se qëllimi i tij ishte “të ngrij financimet federale pa paralajmërim”, thuhet në padi, duke iu referuar postimeve në rrjetet sociale ditëve të fundit.

Përpjekjet për të arritur përfaqësuesit për media në Shtëpinë e Bardhë nuk ishin të suksesshme menjëherë.

Ekipit të Muskut i ishte dhënë qasje në të dhënat më fondamentale kompjuterike të qeverisë, duke përfshirë sistemin e pagesave të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, që përdoret për shpërndarjen e fondeve përfshirë përfitimet e Sigurisë Sociale, përfitimet e veteranëve dhe pagat e punëtorëve federalë.

Sistemi – i cili kryen rreth 90% të pagesave të qeverisë së SHBA-së, e cila ka shpenzuar rreth 6.5 trilionë dollarë vitin e kaluar – paguan njerëzit direkt në shtete, si dhe qeveritë e shteteve, sipas padisë.

Para se presidenti Trump të merrte detyrën muajin e kaluar, qasje u garantohej vetëm një numri të limituar të shërbyesve civilë me karrierë të gjatë dhe leje për informacione mbi sigurinë. Por, përpjekjet e Muskut kishin penguar financimet federale për klinikat shëndetësore, çerdhet dhe nismat klimatike, sipas padisë.

Paratë veçse ishin ndarë nga Kongresi. Kushtetuta ua ngarkon detyrën ligjvënësve që të vendosin për shpenzimet qeveritare.

“Presidenti Trump nuk e ka fuqinë t’ia jap informatat private të amerikanëve çdokujt që ai zgjedh, dhe ai nuk mund të shkurtoj pagesat federale të aprovuara nga Kongresi”, ka deklaruar Jamesi. “Musk dhe DOGE nuk kanë autoritet të qasen në informatat private të amerikanëve dhe disa prej të dhënave më sensitive të vendit”, theksoi ajo.

Padia ishte ngritur në bashkëpunim me prokurorët e përgjithshëm të Arizonas, Californias, Colorados, Connecticutit, Delaëareit, Haëaiit, Illinoisit, Maineit, Marylandit, Massachusettsit, Minnesotas, Nevadas, New Jerseyit, North Carolinas, Oregonit, Rhode Islandit, Vermontit dhe Wisconsinit.

Tre sindikata këtë javë kanë paditur Zyrën e Menaxhimit të Personelit të SHBA-së, divizioni i burimeve njerëzore i qeverisë, për të bllokuar përpjekjet për shtyrjen e afër dy milionë punëtorëve federalë të dorëhiqen.

Dy grupe anonime të Byrosë Federale të Hetimeve, agjentë dhe punëtorë kanë paditur administratën e Trumpit për të ndaluar publikimin e identiteteve të njerëzve që punuan në hetimin e trazirave në Kapitol të 6 janarit të 2021-tës. Ata fituan një urdhër të premten, që detyron administratën të mbaj emrat sekret.

James dhe prokurorët e tjerë të përgjithshëm kanë sfiduar urdhrin ekzekutiv të Trumpit në përpjekje për të ndaluar të drejtën e marrjes së shtetësisë pas lindjes. Këtë javë ajo paralajmëroi spitalet e New Yorkut që përmbushja e një urdhri ekzekutiv të Shtëpisë së Bardhë, që parasheh ndalimin e mbulimit të kujdesit mjekësor për të mbështetur transgjinorët e rinj, mund të shkelë ligjin shtetëror.

Veprimet e DOGE – duke kaluar me forcë përmes qeverisë federale – kanë qenë të papritura dhe shqetësuese për ligjvënësit demokratë dhe punëtorët federalë.

Me licencën e Trumpit, mandati i Muskut po shihet të jetë i gjerë: ekipi i tij provoi të mbyllë Agjencinë e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtarë (USAID), burim kyç ndërkombëtar i ndihmave të huaja. Të premten, një gjykatës federal në Washington urdhëroi pezullimin e kërkesës për të vendosur 2,200 punonjës të USAID-it në pushim dhe për të tërhequr shpejt punonjësit e stacionuar jashtë vendit.

Trumpi të premten ka deklaruar se Musku do të kthejë vëmendjen nga Pentagoni, që ka kontrata miliardëshe me kompanitë e Muskut.

Qendra e padisë të vendosur nga koalicioni i Jamesit të premten, ishte e fokusuar në qasjen e Muskut në Departamentin e Thesarit. Sistemi i departamentit ruan informatat më sensitive të amerikanëve, përfshirë numrat e sigurisë sociale dhe numrat e llogarive bankare, që prokurorët e përgjithshëm deklaruan se i vendosë banorët e shteteve të tyre në rrezik personal.

Përmes një video mesazhi, të premten James deklaroi se presidenti “nuk e ka fuqinë t’i japë informata tona private kujt të dojë ai”.

“Si prokurorë të përgjithshëm demokratë, ne jemi duke paditur për të ndaluar këtë sulm të paprecedentë dhe të paautorizuar”, shtoi ajo.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button