Edukimi në disiplinë dhe vetëkontroll gjatë Ramazanit

Shkruan: Abdusamed Zeqiri, Shkup

Islami erdhi për të çliruar njeriun nga tirania e vetes dhe e pasioneve të tij, ng tirania e njeriut mbi njeriun, nga tirania e materializmit, ng tirania e Shejtanit dhe nga çdo tirani tjetër që e kufizon lirinë e njeriut për të ndjekur rrugën e mirësisë ose që e kufizon udhëtimin e tij drejt kënaqësisë së Zotit.

Ndërsa monoteizmi (teuhidi) e bashkon fokusin e njeriut drejt Zotit të tij, duke e bërë universin të nënshtruar ndaj tij dhe duke e mundësuar atë të arrijë nderin që Zoti e dëshiroi për të. Aktet e adhurimit, ritualet dhe të gjitha ligjet e tjera të Islamit bazohen në pastrimin dhe ngritjen e njeriut në aspektin e sjelljes,atë shpirtëror, intelektual, psikologjik dhe fizik. Kjo siguron që njerëzimi ta ruajë natyrën e tij të pastër, ashtu siç e krijoi Zoti, duke e mundësuar atë ta realizojë potencialin e tij, ta kuptojë veten dhe Zotin e tij, të sjellë të mira në Tokë dhe të mbajë përgjegjësinë me kompetencë, duke kontribuar kështu në zhvillimin e jetës në këtë botë.

Ramazani është një shtyllë e fesë, e cila përfaqëson një shkollë për kultivimin e vetëkontrollit, përsosjes dhe disiplinës. Agjërimi nuk është thjesht një ritual fizik, por një proces edukimi që kërkon disiplinë në mendime, fjalë dhe vepra. Besimtari agjëron në orare të caktuara, falet në kohë të përcaktuara dhe përmbahet nga gjëra të lejuara gjatë pjesës tjetër të vitit, vetëm sepse Allahu e ka urdhëruar këtë.

Një nga aspektet më të dukshme të disiplinës në Ramazan është përpikëria në kohë. Agjërimi fillon me imsakun dhe përfundon me perëndimin e diellit (iftarin). Kjo e mëson besimtarin të respektojë kohën dhe rregullin. Në sjetin që e lexuam në fillim Allahu xh.sh. thotë: “Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja” (El-Bekare: 187).

Agjërimi është një stërvitje rigoroze në kontrollin e dëshirave dhe pasioneve të njeriut, dhe në disiplinimin e vetes për të kënaqur Zotin dhe për të përmbushur nevojat njerëzore. Është një ndërtim i vullnetit, në mënyrë që një person të frenojë jo vetëm dëshirat e ndaluara, por edhe ato që konsiderohen të dëshirueshme, duke u përmbajtur prej tyre pavarësisht nevojës së tij. Ky vetëkontroll kultivohet përmes vullnetit të ndërtuar nga Ramazani, një muj të cilin njeriu e agjëron me dëshirë, bindje, besnikëri dhe duke kërkuar shpërblim nga Zoti i Plotfuqishëm.Një person që i nënshtrohet një përvoje të tillë edukative ka të ngjarë të jetë i lirë nga  shtypja (tirania) e dëshirave të tij të jashtme dhe të brendshme. Kështu njeriu bëhet i përshtatshëm të mbajë përgjegjësitë e zhvillimit shoqëror dhe qytetërues me kompetencë, në mënyrë që shpirti i tij të mos dëshirojë më atë që nuk është me të drejtë e tij. Lidhur me vetëkontrollin që duhet të arrihet përmes agjërimit, Muhamedi a.s. ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për një person në Ditën e Ringjalljes. Agjërimi do të thotë: ‘O Zot, e pengova nga ushqimi dhe dëshirat gjatë ditës, prandaj prano ndërmjetësimin tim për të.’ Dhe, Kurani do të thotë: ‘E pengova nga gjumi natën, prandaj prano ndërmjetësimin tim për të.’ pastaj tha: ‘Kështu që ata do të ndërmjetësojnë’”.

Ramazani gjithashtu e stërvit një person për ta shtypur zemërimin dhe për të anashkaluar mosmarrëveshjet, duke kërkuar shpërblim nga Zoti dhe duke dëshiruar kënaqësinë e Tij. Tregohet se Muhamedi a.s. ka thënë: “Thotë Allahu i Lartësuar: ‘Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, sepse ai është për Mua, dhe Unë do ta shpërblej për të. Agjërimi është mburojë, andaj (agjëruesi) të mos flasë fjalë të ndyta e as të mos sillet me injorancë. Nëse dikush e sulmon ose e shan, le t’i thotë: Unë jam agjërues! – dy herë’’. (Buhariu dhe Muslimi).

Ndërsa hadithi i mëparshëm na nxit të përmbahemi nga mosmarrëveshjet dhe zemërimi, hadithi në të cilin Muhamedi a.s. thotë: “Kush i jep të hajë iftar një agjëruesi, ai ka për ta marrë shpërblimin e agjëruesit për atë ditë, pa iu pakësuar agjëruesit asgjë nga shpërblimi i tij” e kultivon bujarinë, veprat e mira dhe dhënien. Ai nxit unitetin midis zemrave dhe na stërvit në vetëmohim, sepse shpirti është i prirë ndaj kopracisë. Kur bujaria, mirësia dhe vetëmohimi përhapen midis njerëzve, mbizotëron mbështetja e ndërsjellë, siç ndodhi midis Muhaxhirëve dhe Ensarëve, struktura e shoqërisë forcohet dhe anëtarët e saj bëhen si anëtarët e një trupi të vetëm, të lidhur nga dashuria, dhembshuria dhe empatia. Ky është besimtari fisnik të cilin e kultivon rituali i agjërimit.

Të reflektojmë së bashku mbi hadithet e Profetit a.s, që i kemi përmendur, dhe shumë të tjera që nuk i kemi përmendur, për të parë se ky ritual i madh është një akademi e madhe për kultivimin e virtyteve dhe pastrimin e vetes nga veset.

O Allahu i Lartësuar, na ndihmo që mësimet e Ramazanit t’i kuptojmë dhe ti pratikojmë, që ato pastaj të ndikojnë tek ne dhe të na ndryshojnë! Amin, ashtu qoftë!

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button