Edhe pak operatori i tretë i telekomunikimit në RMV

Kompania hungareze e telekomunikacionit “4iG” themeloi kompaninë e saj në vend, duke filluar kështu zyrtarisht procedurën për t’u bërë operatori i tretë celular, njoftoi kompania. Regjistrimi i kompanisë “One Macedonia Telecommunications” ka përfunduar dhe qëllimi, siç thotë kompania hungareze, është që sa më shpejt të hyjë në tregun e telekomunikacionit në Maqedoni.
Tashmë kanë filluar konsultimet me Agjencinë për Komunikime Elektronike (AEK) si organ rregullator dhe janë përzgjedhur firma konsulente vendase dhe ndërkombëtare për të mbështetur zbatimin e strategjisë së grupit në vend.
“Ne jemi të përkushtuar që të hyjmë në tregun maqedonas të telekomunikacionit me të njëjtin përkushtim dhe risi që sollëm në Shqipëri dhe Mal të Zi. Themelimi i ‘One Macedonia Telecommunications’ është hapi ynë i parë domethënës dhe i prekshëm drejt shndërrimit në ofruesin kryesor të telekomunikacionit në Maqedoninë e Veriut”, thotë Tamash Tabori, drejtor ekzekutiv i “One Macedonia Telecommunications” dhe zëvendës drejtor ekzekutiv përgjegjës për strategjinë e telekomunikacionit në “4iG”. .
Grupi thotë se kanë mbështetjen e Qeverisë së Maqedonisë, e cila pret ardhja e një operatori të ri që të rrisë konkurrencën në treg, të përmirësojë cilësinë e rrjeteve telekomunikuese dhe me këtë të përshpejtojë digjitalizimin e vendit.
Qeveria më 4 gusht njoftoi se “4iG” është e interesuar për hyrje në tregun maqedonas të telekomunikacionit dhe ka dorëzuar një letër qëllimi. Kryeministri Hristijan Miçkoski më vonë tha se do të ketë thirrje publike për zgjedhjen e operatorit të tretë mobil, por nuk specifikoi se kur do të shpallet.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikoloski, disa herë në deklaratat e tij tha se Qeveria do të prezantojë operatorin e tretë mobil për të hequr monopolin që tani e kanë “Telekom” dhe “A1 Maqedoni”. Më 1 gusht ai bëri të ditur se gjatë vizitës së tij zyrtare në Hungari është takuar me presidentin e Grupit “4iG”, Gellert Jasai.
Fushëveprimi i biznesit të “One Macedonia Telecommunication” përfshin shërbimet e telekomunikacionit celular, fiks dhe satelitor, tregtinë me shumicë dhe pakicë të produkteve të telekomunikacionit dhe IT-së, si dhe shërbimet e këshillimit të biznesit.