Edhe një pikë në ujanën e diturisë

(Për librin “Gamifikimi (lojëzimi) si qasje e re komunikimi në mësimdhënien dhe të nxënit e gjuhës së huaj” të autores Gzime Ramadani)
Shkruan: Iljasa Salihu
Askush nuk është i zhveshur nga ngjizja dhe themeli i diturisë. Çdo njeri më e pakta lind me mundësinë për të nxënë dituri dhe pastaj varet prej tij se sa do ta kultivojë dhe zhvillojë diturinë. Dituria merret përmes përvojës, leximit, lojës, mendimit, shoqërimit me njerëz të ditur, mësimit të gjuhëve të huaja, shkrimit dhe përmes vazhdimësisë së kërkimit të diturisë dhe të përsëritjes së asaj që tashmë është nxënë. Dituria është e begatshme, ngaqë vetëm gjërat e begatshme shtohen kur ndahen me të tjerët. Ngjashëm është edhe me librin; ai bëhet më i vlefshëm vetëm pasi ta sheh dritën e botimit dhe mikpritjen e banimit nëpër dhomat e atyre që duan ta zgjerojnë dhe ta thellojnë pellgun e diturisë. Madje, jo vetëm pellgun, por edhe rrugën deri tek ai pellg. Thelbi dhe përparësia e çdo libri të shenjtë ishte dituria. Pasi Krijuesi i dha njeriut mundësinë e mësimit, njeriut i zbriti fjalë si shenja më të rëndësishme për të mos e humbur udhën e jetës. Dituria është një pikë në ujanë dhe fatmirë është ai që prej diturisë ka mbërritur ta merr këtë pikë. Mos të harrojmë se edhe ujana është e mbushur prej pikave. Një ditë, ashtu sikurse njerëzit, edhe ajo ishte një pikë uji. Edhe shiu bie në formë të pikave. Edhe fjalitë e bukura përfundojnë me një pikë, mbase edhe thëniet e arta fillojnë pas dy pikave. Dituria është pikënisja e çdo pune të dobishme dhe çdo punë një ditë do të përfundojë me një pikë në fund, si shenjë e kurorëzimit të asaj pune. Një ditë, edhe jetës sonë do t’i vendoset një pikë, porse askush nuk mund t’i vendosë pikë dëshirës sonë për të marr sa më shumë dituri në këtë ujanë të diturisë, mbase do të vdesim me shkulm në zemër që të kishim marr edhe pak dituri. Për fatin tonë të mirë, këto ditë ujanës së diturisë iu shtua edhe një pikë uji, një pikë gjallëria e një atmosferë freskie, kurse pellgut tonë ia shtua dhe iu shtrua edhe një rrugë. Doli nga shtëpia botuese “Armagedoni” në Prishtinë libri “Gamifikimi (lojëzimi) si qasje e re komunikimi në mësimdhënien dhe të nxënit e gjuhës së huaj” i autores Gzime Ramadani, motrës sime, që në vete ngërthen një prurje të re në ujanën tonë të diturisë. Njerëzit në përgjithësi dhe nxënësit në veçanti, mund të mësojnë edhe përmes lojërave, madje jo vetëm që mund të mësojnë, por në kuadër të argumenteve, përvojave dhe përfundimeve në këtë libër, del që kjo mënyrë e të mësuarit është shumë e frytshme si për nga mënyra e marrjes së diturisë, ashtu edhe në kuptimin e mbajtjes së diturisë apo mësimit, sepse mjafton të kujtohet lloji i lojës për t’u kujtuar pastaj në tërësi mësimi apo teoria. Me theks të veçant, në këtë libër vihet rëndësia e mësimit të gjuhës së huaj përmes lojëzimit, ose gamifikimit, fjalë kjo që tashmë gjenë përdorim të gjerë gjithandej nëpër botë. Mësimi, ashtu sikurse produkti, përpos që duhet të kenë cilësi, ato duhet të jenë joshës përgjatë shpërndarjes, larg monotonisë, sa më pak amulli dhe ujë të ndenjur të llakën e shkollave tona. Pikërisht këtë gjë e mëton dhe këtu ngulmon ky libër i shkruar me një gjuhë dhe metodologji të qartë, aq sa mund ta kuptojnë me pak shpërpushje dhe përpëlitje edhe ata që nuk i përkasin fushës së pedagogjisë.

Kjo është urtësia e diturisë, që nuk përfundon dot edhe me përfundimin e gjithë jetëve njerëzore. Paralelisht me këtë, kështu është edhe me urtësinë e librit që është një copë në mozaikun e diturisë dhe gjurmë e pashlyeshme e punës kërkimore të autores. Përkundër kësaj madhështie, shumë sosh ende sillen mospërfillës ndaj kësaj begatie të pazëvendësushme dhe të pambarueshme. Mjerisht, nuk u vjen marre t’i kalojnë dy ditë në të njëjtën shkallë të injorancës, kësaj të keqe që është burim i detit të të gjitha të këqijave. Megjithatë, ujana e diturisë mund ta mposhtë edhe këtë lloj përroske, vetëm se duhet ditur që në ditën e sotme duhet të jemi më të ngritur me dituri sesa në ditën e djeshme dhe se nesër duhet të ngritemi dhe të ndritemi në dituri më shumë se sot. Më shumë se libri këtë ngritje askush nuk e ndihmon, ndaj e falënderojmë autoren që përmes botimit të këtij libri e fuqizojë murin tonë mbrojtës nga injoranca dhe ia dhurojë një mjet tepër të dobishëm gjithë mësimdhënësve përmes të cilit do ta rrisin dukshëm shkallën dhe mundësinë e mësimnxënies.



