E kaluara si pengesë për të ardhmen – pragmatizmi i shndërruar në ideal!

Ta konceptojmë kombin tonë si një anije të përbashkët, të cilën duhet ta drejtojmë kah fryjnë erërat, në mënyrë që të lëvizim përpara, por njëkohësisht të jetë anije agjile e gatshme që me shpejtësi ta ndryshojë kahun, në varësi të drejtimit të erërave. Dhe, mbi të gjitha, anije autonome me simbolet autoktone dhe autentike tonat.
Shkruan: Enis BAFTIJARI, Shkup
Çështjen kombëtare shqiptare në vitin 2025 mund ta konsiderojmë ende të hapur. Ajo nuk është e mbyllur gjykuar sipas teorive të nacionalizmit, të cilat si parim kryesor e kanë harmonizimin e njësisë kombëtare me njësinë politike. Pikërisht këso projektimi për të ardhmen e çështjes kombëtare kishin bërë edhe rilindësit në fillimet e nacionalizmit dhe ndërtimit të vetëdijes ose identitetit kombëtar shqiptar. Por, ja që realiteti i kësaj bote ka rastisur të jetë i tillë që në, mungesë të idealizmit, marrëdhëniet ndërmjet kombeve ose shteteve udhëhiqen duke u bazuar në parime pragmatiste. Nuk dua të them që kishte mungesë pragmatizmi tek rilindësit, sepse kur ata i bënin projeksionet e tyre për të ardhmen e kombit shqiptar, nuk është se niseshin nga idealizmi i udhëhequr nga botëkuptimi i tyre për të vërtetën, por pikërisht duke dashur ta ndërlidhin fatin e shqiptarëve me atë që për momentin sipas tyre ishte më e dobishme për interesin kombëtar, pra kishin një qasje pastër pragmatiste. Por, ja që – fatkeqësisht – (pa)fuqia e tyre dhe rrethanat historike të kohës bënë që kombi shqiptar, pas ndryshimeve të mëdha që ndodhën pas luftërave ballkanike dhe botërore, të mos mund t’i realizojë aspiratat e tij politike në plotësinë e tyre.
Deri këtu faji i telasheve të shqiptarëve mund edhe t’u hidhet të huajve, të cilët qeverisnin me shqiptarët dhe e determinonin fatin e tyre, por problemi i çështjes shqiptare filloi të komplikohet pas arritjes së formimit të njësisë së cunguar politike, kur shqiptarët filluan ta marrin në duar fatin e tyre, kuptohet deri në atë masë sa ishte e mundur. Kur në horizont po shfaqeshin konturet e para të elitave të njoma dhe të papjekura politike shqiptare, ata filluan të rëndojnë më tepër nga pragmatizmi personal, duke i lënë interesat shtetërore e kombëtare në plan të dytë ose të tretë, nën pretekste të ndryshme, më së shpeshti me arsyetimin e pragmatizmit shtetëror, pra “ta forcojmë dhe mos ta rrezikojmë këtë që e kemi fituar”.
Çështja shqiptare filloi edhe më tepër të mjegullohet dhe errësohet në vazhdimësinë e konformizmit dhe adaptimit symbyllur të imitimit dhe pranimit të vlerave të tjetrit nën udhëheqjen ideologjike. Ky proces filloi të shndërrohej në hipokrizi skizofrenike dhe tashmë ajo që dikur shihej si pragmatizëm, më vonë filloi të shndërrohet në ideal. Kështu çështja kombëtare shqiptare u përhumb në labirintin e përplasjeve ideologjike disadekadëshe, deri kur më në fund arriti shpresa në horizont, sepse filloi të bjerë perdja e hekurt ideologjike. Por, tanimë filloi të kuptohej se ndoshta edhe ishte tepër vonë, gjykuar nga objektivi i idealit kombëtar të rilindësve. Ishte vonë, sepse tanimë shqiptari ishte tjetërsuar dhe kjo shqiptarizmë nuk përputhej ose nuk ngjasonte në shumë elemente kyçe identitare dhe kulturore me shqiptarizmën e rilindësve të Samiut. Tanimë ajo që dikur synohej nën petkun e pragmatizmit veçse ishte shndërruar ngadalë në ideal më madhor dhe përsëri çështja kombëtare vazhdoi të jetë në plan të dytë e të tretë, kurse vlerë sublime kishin vlerat ideologjike tani të ristrukturuara dhe rimodeluara.
Kështu, duke imituar të tjerët ose të fortit verbërisht nën petkun e pragmatizmit, me shpresë se edhe ne një ditë do të bëheshim të fortë, ne u shndërruam vetëm në një Frankenshtajn prej shoqërie dhe nga këndvështrimi i sotëm e kaluara jonë na shfaqet si pengesë për të ardhmen nëse atë e shohim nga vlerat e pikënisjes fillestare të rilindësve dhe themeluesve të kombit shqiptar. Pasojat janë të dukshme pothuajse në të gjitha fushat, duke filluar nga mjerimi i përgjithshëm si kombi më i varfër në Europë, e deri te degjenerimi i skajshëm moral i shoqërisë ose, thënë ndryshe, mungesa e busullës morale si pasojë e zbatimit ekstrem të normave ideologjike të importuara ose të huaja. Nga lufta e ashpër dhe e pamëshirshme ideologjike, ku për fat të keq duhet të theksohet se fituan rrymat ideologjike të huaja, dhe në mungesë të një opsioni ideologjik autokton dhe autentik shqiptar, sot kemi një katandisje të përgjithshme morale dhe kulturore të shoqërisë shqiptare, ku familja – si themeli kryesor i saj nga ndikimet ideologjike – ka filluar ta humbë kuptimin dhe peshën e saj fillestare si aktorja kryesore e udhëheqjes së moralit dhe identitetit.
Por, çdo të bëhet me të ardhmen, nëse e kaluara jonë si vazhdimësi e proceseve shkak-pasojë na ka sjellë deri në këtë gjendje?! Atëherë është e logjikshme që mund ta nxjerrim kuptimin nga kjo se e ardhmja jonë varet nga “revizionizmi i së kaluarës” sonë, jo në kuptimin se e kaluara mund të ndryshojë sepse ajo është e shkuar e kryer, por në kuptimin që të nxjerrim mësim nga gabimet e së kaluarës dhe të mos i përsërisim ato në të ardhmen. Në frymën e ish kryeministrit britanik, Dizrael, do të kisha thënë që ne nuk duhet të kemi miq të përhershëm, por interesa të përhershme. Dhe, më e rëndësishmja është që interesat tona të mos udhëhiqen ose hartohen nga ndikimet e huaja ideo-kulturore, por ato të përpilohen në bazë të nevojave të vlerave tona, duke mos e përjashtuar balancimin edhe në bazë të kontekstit tonë gjeopolitik.
Për dallim nga e kaluara jonë, kur ne përhumbeshim në imitimin e “miqve” tanë deri në tjetërsimin tonë, e pastaj deri në akuzimin nga ana jonë e “miqve” tanë se nuk u qëndrojmë besnik vlerave themelore të cilat ne i kishim huazuar nga ata, siç ka ndodhur në të kaluarën socialiste të akuzonim të tjerët për revizionistë ideologjikë, të mos na ndodhë dhe tani kur jemi dëshmitarë të lindjes së frymave të reja politiko-ideologjike në mesin e “miqve” tanë që t’i akuzojmë ata se po i tradhtojnë parimet dhe vlerat e liberalizmit ose demokracisë liberale. Të mos biem në kurthin e shndërrimit të pragmatizmit në idealizëm, të mos harrojmë se nga jemi nisur dhe cili ishte qëllimi ynë fillestar dhe destinacioni ynë final.
Ta konceptojmë kombin tonë si një anije të përbashkët, të cilën duhet ta drejtojmë kah fryjnë erërat, në mënyrë që të lëvizim përpara, por njëkohësisht të jetë anije agjile e gatshme që me shpejtësi ta ndryshojë kahun, në varësi të drejtimit të erërave. Dhe, mbi të gjitha, anije autonome me simbolet autoktone dhe autentike tonat.