E ka fituar 5 herë, CR7: Topi i Artë e ka humbur besueshmërinë!

Në një prononcim për portugezen Record, Cristiano Ronaldo u ndal edhe te Topi i Artë. Çmim të cilin e ka fituar pesë herë gjatë karrierës së tij.
“Topi i Artë dhe FIFA The Best e kanë humbur besueshmërinë! Nuk po them që Messi nuk e meritoi, apo nuk e meritojnë lojtarë si Mbappe dhe Haaland.
Por, shifrat janë shifra: janë fakte. Numrat nuk mashtrojnë dot”, thekson 38-vjeçari që luan në Arabinë Saudite tek ekipi Al-Nassr.
Golashënuesi më i mirë në histori thekson se duhen vlerësuar performancat dhe statistikat e gjithë sezonit kur zgjidhen fituesit.
“Duhet marrë parasysh gjithë sezoni kur bëhen këto vlerësime në lidhje me fituesin e Topit të Artë apo FIFA The Best.
Nëse ktheheni pas dhe shikoni se çfarë ndodhi me mua te Manchester United dhe tek ekipi kombëtar, njerëzit më konsideruan të mbaruar.
Por e vërteta është se unë u përqendrova në punën time, prandaj shënova 54 gola me Al-Nassr. Nuk jam i befasuar për nivelin tim, sepse e di që kam ende shumë për të dhënë.
E di që mund të shënoj shumë gola për Al-Nassr dhe Portugalinë”, u shpreh sulmuesi luzitan.



