E djathta ekstreme në Europë: Efektet ekonomike dhe sociale

Për të qëndruar më fuqishëm kundër rritjes së ekstremizmit në vendet e rajonit, duhet të forcohen institucionet demokratike, ta promovojnë dialogun ndërkulturor dhe ndërfetar, si dhe t’i luftojnë pabarazitë ekonomike dhe sociale në këto shoqëri. Në këtë kontekst, integrimi europian është më i rëndësishëm se kurrë. Pa dyshim që një Europë e hapur do të përfaqësonte një vlerë kundër “ekstremit të djathtë”, duke kontribuar që Ballkani Perëndimor të stabilizohet dhe të përparojë ekonomikisht dhe politikisht.
Jyxhel SPAHI, Prizren
Zgjedhjet e fundit për Parlamentin Europian përfaqësojnë një moment kritik në historinë e pasluftës së Europës. Rritja e “së djathtës ekstreme” përbën një sfidë të madhe për demokracinë liberale dhe Bashkimin Europian (BE). Periudha e stabilitetit, gjatë së cilës BE-ja u shfaq dhe u zhvillua deri më tash, mund të jetë tronditëse me zhvillimet e fundit. Së këndejmi, shtrohet pyetja se sa e rëndësishme është me të vërtetë e djathta ekstreme dhe nëse duhet të shqetësohemi për një rrëshqitje të rrezikshme drejt autoritarizmit në Europë.
Rritja e “së djathtës ekstreme” filloi të paraqitet që nga fundi i viteve 1980-të, pas një heshtjeje deri në vitet 1930-të. Shenjat e para serioze të lëvizjeve të “së djathtës ekstreme” në zgjedhjet politike në Europë filluan të shfaqen në vitet 1990-të. Në Europën Perëndimore, veçanërisht pas krizës ekonomike të viteve ’70-të dhe ’80-të, u pa një dobësim i politikave tradicionale Keynesiane, që përfshinin ndërhyrjen aktive të shtetit në ekonomi dhe një kalim drejt politikave neoliberale, të cilat promovojnë privatizimin dhe tregun e lirë. Këto politika, megjithatë, jo vetëm që nuk i zgjidhën problemet ekonomike, por shpesh çuan në rritjen e pabarazisë sociale dhe të papunësisë së lartë. Në kushte të tilla sociale, partitë e së “djathtës ekstreme” filluan të fitojnë terren, duke përdorur narrativën e mbrojtjes së kombit nga emigrantët, duke sulmuar integrimin europian dhe duke nxitur identitete ekskluzive kombëtare dhe etnike. Këtu, në rritjen e ekstremit të djathtë, në masë të madhe kontribuan edhe grupet e caktuara me të ardhura të ulëta, të cilat kanë filluar t’i shohin partitë e “së djathtës ekstreme” si platformën e vetme që i përfaqëson ato dhe ku mund të dëgjohet zëri i tyre. Sipas tyre, partitë e djathtës ekstreme vlerësohen si parti që i japin përparësi autoritetit, duke krijuar diskurse radikale të mbështetura në homogjenitet kundër diversitetit kulturor, ndjenjës antiemigrante, diskriminimit racor ose fetar dhe nacionalizmit. Po ashtu, qëllimi i “së djathtës ekstreme” pandehej si mekanizëm për sigurimin e vazhdimësisë së homogjenitetit kombëtar.
Rritja e votave të partive të “së djathtës ekstreme” në zgjedhjet e fundit është një tregues i ndryshimeve politike në Europë. Politikat e tyre ndaj emigrantëve janë bërë një nga temat më të diskutuara në kohët e fundit. Ndërsa vështirësitë ekonomike globale të përjetuara pas Covid-19 po bëjnë që vendet të rishqyrtojnë politikat e tyre të imigracionit, retorika antiimigruese e partive të “së djathtës ekstreme” po fiton gjithashtu mbështetje në rritje. Nga ana tjetër, krizat e njëpasnjëshme të Bashkimit Europian duket se kanë një natyrë më shumë ekonomike sesa politike. Edhe pse BE-ja ka pasur suksese të vazhdueshme ekonomike, gjatë krizave është vërejtur se këto performanca nuk janë aspak të mjaftueshme për qytetarët e Europës. Në këtë shkrim do t’i shqyrtojmë arsyet e fuqizimit të së “djathtës ekstreme” në Europë, ndikimet e mundshme për Ballkanin Perëndimor dhe politikat që duhen ndërmarrë për ta forcuar imunitetin ndaj çdo situate të mundshme edhe për vendin tonë.
Çfarë po e shtyn rritjen e së “djathtës ekstreme” në Europë?
Sistemi ekonomik global mund të konsiderohet si shkaku kryesor i rritjes së pabarazive ekonomike dhe sociale në botë. Madje, sipas Bankës Botërore (BB), rreth 1 miliard njerëz në vendet më pak të zhvilluara nuk arrijnë t’i plotësojnë nevojat e tyre themelore. Kjo pabarazi dita-ditës është duke u thelluar në saje të globalizimit, e që është duke krijuar një shpërndarje të pasurisë vetëm për shtresa të vogla të shoqërisë ose për grupe elitare që e kanë timonin e financave në botë. Nga ana tjetër, kriza ekonomike e vitit 2008 ishte shkaktari kryesor i rritjes së papunësisë, shfaqjes së varfërisë, problemeve shoqërore, si dhe rritjes së krimit. Me fjalë të tjera, zhvillimet ekonomike globale i kanë rritur pabarazitë. Hendeku midis fituesve dhe humbësve të këtij procesi po zgjerohet në çdo fushë. Këto probleme u kanë ofruar hapësirë partive të “ekstremit të djathtë” për të qenë më të dukshëm në krahasim me të kaluarën.
Përpos këtyre, vendet e BE-së në tregtinë botërore dhe procese të prodhimit kanë shfaqur një tendencë rënieje. Industria prodhuese është zhvendosur nga shoqëritë e industrializuara perëndimore drejt vendeve në zhvillim, ku prodhimi është më i lirë, ligjet e punës më të lehta, pagat më të ulëta dhe të drejtat e punëtorëve më të dobëta. Ndërsa elitat e suksesshme përfitojnë nga fleksibiliteti i këtij tregu global, viktimat e kësaj periudhe janë punëtorët me aftësi të ulëta dhe të mesme, të cilët po përballen me rritje të papunësisë. Si rezultat i gjithë kësaj, është rritur pabarazia midis grupeve të aftësive dhe të ardhurave me një profil të ndryshëm rajonal. Në Europë, po ashtu, janë duke u zhvilluar debate të ndryshme lidhur me frikën për humbje të identitetit dhe tema të ngjashme si rezultat i migrimit, gjë që e ka fuqizuar retorikën nacionaliste dhe proteksioniste, që ka çuar në rritjen e partive ekstremiste, të cilat premtojnë rivendosjen e sovranitetit kombëtar dhe kufizimin e ndikimit të institucioneve ndërkombëtare. Nga kjo mund të thuhet se rritja e së “djathtës ekstreme” në Europë dhe në vende të tjera të botës është si rezultat i pabarazive ekonomike, pasigurisë sociale dhe ndryshimeve kulturore të shkaktuara nga globalizimi.
Zakonisht, kur njerëzit përballen me probleme ekonomike si humbja e punës ose humbja e të ardhurave, ata mund të përqafojnë zgjidhjet dhe diskutimet e krijuara nga partitë e djathta radikale dhe të shfaqin sjellje më të pamëshirshme dhe të ashpra ndaj grupeve që i kanë margjinalizuar me pretekstin e tejkalimit të krizave ekonomike. Për më tepër, papunësia mund të sigurojë një bazë legjitime për mbështetjen e politikave antiimigruese të partive të djathta radikale, pasi nivelet më të larta të papunësisë e rrisin besimin në nevojën për të mbrojtur fuqinë punëtore të atij vendi. Kështu, partitë e “së djathtës ekstreme” mund të inkurajohen të japin përgjigje më të ashpra, duke shfrytëzuar situatën ekonomike e sociale. Prandaj, pasiguria ekonomike dhe papunësia luajnë një rol të rëndësishëm në ngritjen e “së djathtës ekstreme”, por ndikimi i këtyre faktorëve mund të ndryshojë në varësi të gjeografisë, kontekstit politik dhe dinamikës specifike të shoqërisë.
Kriza ekonomike si një katalizator për fuqizimin e së “djathtës ekstreme” në Ballkanin Perëndimor
Ballkani Perëndimor, përfshirë Kosovën, është i predispozuar ndaj ndikimit të “ekstremit të djathtë”. Shikuar edhe historikisht, Ballkani Perëndimor ka qenë një terren që me lehtësi është përdorur për përfitime politike, duke përdorur elementet e nacionalizmit etnik. Rritja e diskursit të djathtë në Europë, mund të reflektojë edhe në rajonin tonë, në veçanti kur dihet se shtetet e Ballkanit Perëndimor ende janë në proces të integrimit europiane, ndërsa ballafaqohen me probleme të mëdha ekonomike, sociale dhe politike.
Kjo situatë, kur të shqyrtohet edhe në nivelin e Kosovës, si një vend me diversitet të theksuar etnik dhe me një të kaluar me tensione, por edhe gjendja e tanishme e papunësisë, si dhe situata ekonomike, ekziston rreziku real që narrativat e tilla nacionaliste dhe retorika e “ekstremit të djathtë” të gjejnë terren të përshtatshëm edhe në Kosovë. Në një skenar të tillë, pa mëdyshje, që edhe qytetarët e Kosovës mund të instrumentalizohen duke i përdorur pakënaqësitë e ndryshme ekonomike dhe sociale me të cilat përballen.
Nga ana tjetër, me forcimin e “së djathtës ekstreme” europiane mund të zvogëlohet mbështetja financiare dhe diplomatike për vendet e Ballkanit Perëndimor për procesin e integrimit europian të rajonit. Duke e njohur edhe qasjen e këtyre partive, si euroskeptike dhe të cilat në vazhdimësi kundërshtojnë zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, ekziston rreziku që procesi i integrimit europian të ngadalësohet ose të ndalohet plotësisht. Pra, një izolim i tillë do të mund të shkaktonte stagnim ekonomik dhe rritje të frustrimit shoqëror në Kosovë dhe në vendet fqinje.
Në aspektin kulturor e social, rritja e “ekstremit të djathtë” në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Kosovë mund të kontribuojë në polarizimin e shoqërisë, duke theksuar dallimet dhe jo ngjashmëritë ndërmjet grupeve të ndryshme. Për më tepër, një situatë e tillë do të mund të kontribuonte në rritjen e frikës tek të rinjtë, të cilët mund të marrin udhën e emigrimit masiv nga rajoni, duke e thelluar krizën demografike dhe ekonomike.
Cilët hapa duhen ndërmarrë për t’i sfiduar ndikimet e “ekstremit të djathtë” në Ballkanin Perëndimor dhe Kosovë?
Rritja e së “djathtës ekstreme” në Europë mund të cilësohet si një sfidë serioze jo vetëm për demokracinë europiane, por edhe për stabilitetin dhe zhvillimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën. Marrë në përgjithësi, me fuqizimin e “së djathtës ekstreme” do të ndryshojë edhe diskursi tregtar me shtetet tjera, që mund të ketë reflektime serioze për shkak se përpjekja e tyre është të kundërshtojnë hapjen ekonomike dhe integrimin ekonomik ndërkombëtar, e që nga ana tjetër në vazhdimësi promovon politika proteksioniste, që në një masë ka për qëllim edhe izolimin ekonomik dhe politik. Pa dyshim që kjo qasje mund të ndikojë negativisht në vende si Kosova, të cilat kanë ekonomi që shpesh edhe varen nga shtetet tjera. Si rezultat i politikave proteksioniste edhe Kosova si edhe shtetet e tjera me ekonomi relativisht të vogla, në këtë rast shtetet e Ballkanit Perëndimor, mund të kenë pasoja ekonomike, veçanërisht në Hungari, Itali, Francë dhe Poloni, ku partitë ekstreme janë forcuar politikisht dhe të cilat kanë filluar të imponojnë politika kundër tregtisë së lirë dhe liberalizimit ekonomik. Masat proteksioniste të këtyre vendeve, si tarifat e larta doganore dhe kufizimet ndaj ndërmarrjeve (kompanive) të huaja mund ta dëmtojnë bashkëpunimin ekonomik, gjë që rezulton në zvogëlimin e tregtisë ndërkombëtare dhe ndikon edhe në uljen e investimeve të huaja.
Duke e pasur para sysh se Republika e Kosovës ndër vite ka zhvilluar partneritete të rëndësishme tregtare me vendet e BE-së, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e eksporteve dhe importeve zhvillohen me shtetet e BE-së, në një situatë të tillë të ndryshimit të politikave ekonomike, pra ulja e bashkëpunimit me vendet e BE-së, në masë të madhe do të reflektojë edhe në ekonominë e Kosovës. Thënë më shkurt, politikat proteksioniste do të ndikojnë drejtpërdrejtë tek eksportuesit kosovarë, që do të mund të përballen me barriera tarifore dhe jotarifore, pengesa të ndryshme administrative ose edhe bllokada të ndryshme me arsye politike. Kjo do ta godiste në mënyrë të drejtpërdrejtë ekonominë e Kosovës, e cila edhe tashmë ballafaqohet me sfida të ndryshme strukturore.
Nga ana tjetër, politikat proteksioniste do të mund ta ulin interesin e kompanive ndërkombëtare për të investuar në vendet me ekonomi me tregje të paqëndrueshme dhe të vogla, si Kosova dhe vendet e tjera të ngjashme. Mes tjerash, një qasje e tillë po ashtu mund të reflektojë drejtëpërsëdrejti në projekte strategjike dhe investime në rajon, si dhe në Kosovë.
Nëse vazhdon ende trendi i rritjes së ndikimit politik të “së djathtës ekstreme” në BE, në masë të madhe mund të reduktohet edhe mbështetja financiare për Republikën e Kosovës. Arsyeja e kufizimit të mbështetjes financiare do të jetë si rezultat i skepticizmit të partive të “djathta ekstreme”, të cilat nuk e mbështesin zgjerimin e BE-së, ndërsa kjo mund të rezultojë me uljen ose ndaljen e mbështetjes financiare për rajone periferike si Ballkani Perëndimor. Në mënyrë të tërthortë, kjo mund ta ngadalësojë edhe procesin e integrimit ekonomik, që do të mund të rezultojë me dëmtimin e perspektivën ekonomike të Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Për të qëndruar më fuqishëm kundër rritjes së ekstremizmit në vendet e rajonit, duhet të forcohen institucionet demokratike, ta promovojnë dialogun ndërkulturor dhe ndërfetar, si dhe t’i luftojnë pabarazitë ekonomike dhe sociale në këto shoqëri. Në këtë kontekst, integrimi europian është më i rëndësishëm se kurrë. Pa dyshim që një Europë e hapur do të përfaqësonte një vlerë kundër “ekstremit të djathtë”, duke kontribuar që Ballkani Perëndimor të stabilizohet dhe të përparojë ekonomikisht dhe politikisht.
Përkundër sfidave me të cilat përballet Kosova, megjithatë duhet të përgatitet për t’u ballafaquar me këto situata në rast të rritjes së pushtetit të “ekstremit të djathtë” në Europë. Në këtë gjendje, Kosova duhet të kërkojë mundësi për diversifikim të bashkëpunimit ekonomik me partnerë jashtë BE-së, gjë që do të kontribuojë që ta zvogëlojë varësinë e saj me tregun europian. Po ashtu, Kosova duhet të kërkojë mundësi për rritje të bashkëpunimit ekonomik me vendet e rajonit, me qëllim që të jetë më e fuqishme ndaj ndikimeve të politikave proteksioniste të Europës. Me përjashtim të këtyre, përpjekja duhet të jetë edhe në forcimin e institucioneve dhe reformave ekonomike, që do të kontribuojnë në stabilitetin e brendshëm dhe në këtë mënyrë që Kosova të mund të tërheqë më tepër investime të huaja. Lufta kundër korrupsionit po ashtu është esenciale për të krijuar një mjedis më të favorshme për ndërmarrjet vendore dhe për investimet e reja të huaja. Së fundi mund të themi se Kosova duhet të hartojë plane strategjike për t’u ballafaquar me skenarë të ndryshëm në rast të rritjes së pushtetit të së “djathtës ekstreme” në Europë. Thënë ndryshe, Kosova duhet të jetë proaktive në mbrojtjen e interesave të saja, duke përdorur një kombinim të strategjive ekonomike dhe politike, me qëllim të garantimit të stabilitetit dhe prosperitet të saj në një mjedis ndërkombëtar, që mund ta ndryshojë në të ardhmen. Një e ardhme e qëndrueshme dhe paqësore për rajonin tonë mund të arrihet vetëm duke i trajtuar rrënjët e këtyre fenomeneve politike dhe sociale.
BIBLIOGRAFIA:
Allen, T. J. (2017). Exit to the right? Comparing far right voters and abstainers in Western Europe, Electoral Studies, 50: pp. 103-115.
Baumel, L. (2014). How to Reinvigorate Social Democracy to Fight Populism in Europe. İçinde: E Hillebrand (der), Right Wing Populism in Europe – How do we respond?. Berlin: International Policy Analysis.
Ertuğral, Y. (2016). Liberal Avrupa ve Sosyal Avrupa Tartışması Gölgesinde Avrupa’da Aşırı Sağ’ın Yükselişi. Euro Politika, (1), 6-13. https://dergipark.org.tr/tr/pub/europ/issue/44790/557163.
Gold, R. (2020). The economic causes of populism. Global Solutions Journal, (5), 72-77. https://www.global-solutions-initiative.org/wp-content/uploads/2020/04/GSJ5_Gold_Fetzer.pdf.
Hançer, Ö., & Uzgel, İ. T. D. Avrupa’da Aşırı Sağın Yükselişi ve Nedenleri Üzerine Bir İnceleme: Fransa ve Almanya Örnekleri (Doctoral Dissertation). Ankara Üniversitesi / Sosyal Bilimler Enstitüsü / Uluslararası İlişkiler Ana Bilim Dalı.
RYDGREN, J. (2005). Is extreme right-wing populism contagious? Explaining the emergence of a new party family, European Journal of Political Research, 44(3), pp. 413-437.
Shiraliyev, M. (2022). Avrupa’da Aşırı Sağ Partilerin Yükselişinin Temel Belirleyicileri. SDE Akademi Dergisi, 2(6), 140-159