Dyshime për pasuri të paligjshme dhe pastrim parash – Në shqyrtim lëndët e gjyqtarit Gjoko Ristov

Kreu i Këshillit Gjyqësor Aleksandar Kambovski konfirmoi se është formuar një komision që po verifikon lëndët e gjyqtarit të Apelit, Gjoko Ristov, në shtëpinë e prindërve të të cilit u gjetën 350.000 euro të fshehura në mur, për të cilat Prokuroria dyshon se janë fituar në mënyrë të paligjshme.

“Është bërë kontroll i një pjese të lëndëve ku ka vepruar gjyqtari, por për momentin nuk kam të dhëna për të treguar nëse është konstatuar ndonjë mangësi apo jo, pasi komisioni ende po i shqyrton lëndët”, tha Aleksandar Kambovski, Kryetar i Këshillit Gjyqësor.

Rasti për Gjoko Ristovin është hapur pas një ankese anonime, ku janë përmendur disa lëndë konkrete. Ankesa është dorëzuar nga bashkëpunëtorë profesionalë të Gjykatës së Apelit në Shkup. Raportet e komisionit priten këtë javë.

“Këtë javë duhet të jenë gati, pasi bëhet fjalë për pesë ose gjashtë lëndë. Nuk është ndonjë numër i madh. Por siç ju kam paralajmëruar, së shpejti do të kontrollohet e gjithë puna e Gjykatës së Apelit – Shkup”, theksoi Aleksandar Kambovski, Kryetar i Këshillit Gjyqësor.

Gjyqtari Ristov dyshohet për fitim dhe fshehje të paligjshme të pasurisë dhe për pastrim parash. Ky aksion ishte vazhdim i hetimit nga dhjetori, kur u arrestua avokati Fehmi Stafa, i cili kishte kërkuar para nga një person i dyshuar për të dhënë ryshfet dhe për të ndikuar në rastin e të akuzuarit Ljupço Pecov “Djalli”, në rastin “Zinxhiri”./ Alsat.mk

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button