Dyshime për kriminalitet prej rreth 700 mijë eurosh në spitalin e Prilepit, të dyshuar 32 persona fizik dhe juridik

Dyshime për kriminalitet prej rreth 700 mijë eurosh. Prokuroria ka hapur hetim ndaj gjithsej 32 personave fizikë dhe juridikë për keqpërdorime gjatë prokurimeve publike në spitalin e përgjithshëm të Prilepit, shkruan Alsat.

Për gjashtë prej tyre kërkohet paraburgim efektiv. Sipas prokurorisë, të dyshuarit me vetëdije i kanë shkelur rregullat për prokurime publike për shërbime të ndryshme në nevojat e spitalit dhe me këtë kanë përfituar pasuri të konsiderueshme.

“Ish-drejtoresha, përgjegjësit, të punësuarit dhe drejtuesit e personave juridikë të dyshuar, përmes procedurave të prokurimeve publike për shërbime të servisit të automjeteve, pastrimin e hapësirave të punës, servisin e rrjetit të ujësjellësit, shërbime të lyerjejes e bojatisjes, sigurim fizik, si dhe rindërtimin e repartit infektiv – pra, përmes moszbatimit të detyrimeve kontraktuale dhe ndryshimeve të paligjshme të urdhrave për pagesë – kanë shkaktuar dëm të përgjithshëm në buxhetin e spitalit “Borka Taleski” në vlerë prej 42.726.978 denarësh”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike e Prilepit.

Hetimi për momentin përfshin 15 persona fizikë dhe 7 persona juridikë, ndërsa edhe nëntë të tjerë janë të dyshuar për vepra për të cilat do të ndiqen me procedurë të shkurtuar. Falsifikimi i librave afariste, përvetësimi në detyrë janë vetëm një pjesë e veprave për të cilat aktualisht akuzohen të dyshuarit.

“Ata dyshohen për vepra penale – Keqpërdorim të procedurës për thirrje publike, dhënie të kontratës për prokurim publik ose partneritet publiko-privat sipas nenit 275-v, si dhe Përvetësim në detyrë sipas nenit 354 të Kodit Penal. Me kallëzimin janë përfshirë edhe veprime të punës së pandërgjegjshme, keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare, falsifikim ose shkatërrim të librave afariste dhe vepra të tjera penale për një pjesë të të dyshuarve, të cilat prokuroria po i heton gjithashtu”, thonë tutje nga Prokuroria Themelore Publike e Prilepit.

Përveç kërkesës për paraburgim për gjashtë persona, prokuroria e Prilepit ka kërkuar nga gjykata masa kujdesi për të dyshuarit e tjerë. Prokuroria e hapi hetimin për këtë rast pas një kallëzimi nga Policia Financiare, ndërsa disa muaj më parë, kur rasti ishte në procedurë parahetimore, u kryen bastisje në tetë lokacione në Prilep.

Në fillim të vitit të kaluar, drejtori i spitalit të Prilepit, i cili atëherë mori detyrën, njoftoi se kishte trashëguar një borxh prej mbi 190 milionë denarësh./ Alsat.mk

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button