Duka: Me Serbinë ndeshje e veçantë, kam besim në rezultat pozitiv

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është shprehur optimist përpara ndeshjes së rëndësishme që Kombëtarja Shqiptare do të zhvillojë ndaj Serbisë, në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2026.
Në një prononcim për FSHF TV, kreu i institucionit më të lartë të futbollit shqiptar e cilësoi këtë përballje si “tepër të rëndësishme”, jo vetëm për aspektin sportiv, por edhe për rrugëtimin drejt fazës së “play-off”-it.
“Është një ndeshje e veçantë, me shumë ngarkesë emocionale, por ajo skuadër që do të tregojë më shumë qetësi dhe përqendrim, do të ketë përparësi. Uroj që Serbia ta ndjejë më shumë këtë presion sesa ne. Kam shumë besim se mund të marrim një rezultat pozitiv në Serbi,” – deklaroi Duka.
Presidenti i FSHF-së shtoi se gjatë takimit me lojtarët të martën, u ka kërkuar atyre të ruajnë qetësinë dhe të fokusohen vetëm në aspektin sportiv të sfidës.
Deklaratat e Dukës u bënë për FSHF TV, kanalin e ri të federatës, i cili do të ofrojë hapësira për çdo aktivitet të futbollit shqiptar, nga ndeshjet e kampionateve dhe futbolli amator, te skuadrat e vajzave dhe projektet zhvillimore të FSHF-së.