Drejtori i Medresesë: Qeveria e zgjidhi çështjen e diplomave tona

Drejtori i Medresesë “Isa Beu”, dr. Islam Islami, ka njoftuar sot me entuziazëm se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar Ligjin për shkollat e mesme fetare, një vendim që i hap rrugë njohjes formale të diplomave të kësaj medreseje pas dekadash të tëra pritjeje.

Në një postim publik, dr. Islami theksoi se ky është një moment historik për institucionin që ai drejton, por edhe për brezat e tërë të nxënësve dhe prindërve që kanë qenë viktima të një padrejtësie të gjatë arsimore.

“Diplomat e shkollës sonë tashmë do të njihen dhe pranohen nga të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë dhe jashtë. Kjo është një fitore e madhe për ne, pas një betejë disadekadëshe,” shkroi ai.

Drejtori i medresesë shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë proces, duke përfshirë kryeministrin për mirëkuptimin, zëvendëskryeministrin e parë për mbështetjen, ministren e Arsimit dhe Shkencës dhe zëvendësministrin për angazhimin e palodhshëm.

Ai gjithashtu bëri thirrje për përkrahje në fazën e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e kalimit të ligjit edhe në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut: “I inkurajoj deputetët dhe pres mbështetje prej të gjithëve.”

Miratimi i këtij ligji është parë nga komuniteti si një hap domethënës drejt barazisë dhe respektimit të të drejtave fetare e arsimore, dhe përbën një njohje zyrtare për një nga institucionet më të vjetra të arsimit islam në vend.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button