Drejtori i Inspektoratit të Punës, Gani Maksuti: Luftimi i ekonomisë gri mbetet prioritet për mbrojtjen e punëtorëve dhe konkurrencën e drejtë

Drejtori i Inspektoratit të Punës, Gani Maksuti, ka theksuar rëndësinë e formalizimit të ekonomisë informale gjatë një paneli diskutimi të mbajtur sot, ku u trajtuan sfidat kryesore të tregut të punës dhe forcimi i mekanizmave institucionalë për një ekonomi më të drejtë dhe të qëndrueshme.
Sipas Maksutit, formalizimi i ekonomisë është një hap kyç drejt rritjes së stabilitetit ekonomik dhe mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve.
“Në cilësinë e Drejtorit të Inspektoratit të Punës, sot isha i ftuar në një panel diskutimi ku tema qendrore ishte formalizimi i ekonomisë informale në vend. Diskutuam mbi sfidat e tregut të punës dhe rëndësinë e forcimit të mekanizmave institucionalë për një ekonomi më të drejtë dhe të qëndrueshme,” deklaroi ai.
Gjatë panelit, përfaqësuesit e disa inspektorateve nënshkruan një deklaratë të përbashkët, duke u zotuar që luftimi i ekonomisë gri të mbetet prioritet institucional.
“Së bashku me përfaqësuesit e inspektorateve të tjera, nënshkruam deklaratën e përbashkët duke u zotuar që luftimi i ekonomisë gri të mbetet prioritet. Ky angazhim synon mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, por edhe krijimin e një mjedisi të barabartë për bizneset që veprojnë në përputhje me ligjin,” tha Maksuti.
Ai shtoi se formalizimi i ekonomisë kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e besimit të investitorëve, duke mbrojtur njëkohësisht bizneset e rregullta nga konkurrenca e pandershme.
“Formalizimi i ekonomisë nxit zhvillimin ekonomik, rrit besimin e investitorëve dhe mbron bizneset e rregullta nga konkurrenca e pandershme, duke kontribuar në ndërtimin e një tregu më të qëndrueshëm dhe më të drejtë për të gjithë,” përfundoi drejtori i Inspektoratit të Punës.



