Drejtori Gjeneral i Postës, Orhan Kurtishi, merr pjesë në promovimin e veprës së re të ITSHKSH

Drejtori Gjeneral i Postës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Kurtishi, mori pjesë sot në ceremoninë e promovimit të veprës më të re të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH).
Në fjalën e tij, Drejtori Kurtishi vlerësoi rolin e ITSHKSH-së në ruajtjen dhe promovimin e historisë, kulturës dhe identitetit shqiptar. Ai theksoi se ky institut është një shtyllë e rëndësishme në zhvillimin dhe pasurimin e dijes shkencore mbi trashëgiminë tonë dhe se përmes punës së tij po kontribuon në ndriçimin e shumë aspekteve të historisë sonë kombëtare.
“Institucione si ITSHKSH janë themel i rëndësishëm për dokumentimin dhe ruajtjen e identitetit tonë. Është detyrë e secilit prej nesh të mbështesim dhe të promovojmë punën e tyre,” u shpreh Kurtishi, duke shprehur vlerësimin e tij për studiuesit dhe akademikët që me përkushtim punojnë për të sjellë fakte dhe dëshmi të reja mbi të kaluarën tonë.
Ai gjithashtu shtoi se bashkëpunimi mes institucioneve publike dhe akademike është kyç për zhvillimin e një shoqërie të shëndoshë dhe të informuar. Në këtë kontekst, Posta e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë të mbështesë projekte që synojnë ruajtjen e kulturës dhe trashëgimisë kombëtare.
Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të shquara nga fusha e akademisë, politikës dhe kulturës, të cilët ndanë mendimet e tyre mbi rëndësinë e kësaj vepre dhe ndikimin e saj në pasurimin e dijes historike dhe kulturore.