Drejtësia tranzicionale dhe demokratizimi: A është UDB-a “fati ynë”?

Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk i kanë hapur tërësisht dosjet e ish-shërbimeve komuniste. Maqedonia e Veriut në vitin 2008 nisi procesin e lustrimit, i cili u shndërrua në mjet për qërim hesapesh midis partive politike. As Shqipëria e as Kosova nuk kanë pastruar llogaritë me të kaluarën. Strukturat e padukshme, trashëgimtare të shërbimeve komuniste, vazhdojnë të funksionojnë në rrjete të fuqishme. Këto struktura të ish-republikave jugosllave kanë cerberë besnikë në Beograd. Atje, arkivat që do të hidhnin dritë për shumë ngjarje, ende mbahen në dry. Por, ky dry po ndryshket ashtu si Serbia po tërhiqet drejt integrimit në BE.
Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë
Bashkimi Europian (BE) ka kohë që kërkon nga Serbia një gjë shumë të thjeshtë, por aq të rëndësishme për demokratizimin e saj dhe të rajonit – hapjen e dosjeve të UDB-as dhe KOS-it. Me këtë akt, i bërë qëmoti në vendet e Europës Lindore që ishin pjesë e Paktit të Varshavës, përfundon epoka e zymtë e komunizmit dhe fillon periudha e demokratizimit. Është kjo një periudhë e pastrimit me të kaluarën e errët dhe ndërtimin e një të ardhmeje të ndritur. Njëjtë si ato minutat e përfundimit të natës dhe arritjes së rrezeve të para të diellit në sipërfaqen e tokës.
Kërkesa europiane për hapjen e dosjeve sekrete në Beograd
Kjo kërkesë e BE-së, vite me radhë, është përsëritur në raporte e rezoluta, por pa një reagim adekuat nga Beogradi zyrtar. Ky kryeqytet i dikurshëm i federatës jugosllave vazhdon t’i ruajë me besnikëri të madhe sekretet e kobshme të komunizmit, jo vetëm për Serbinë, por edhe për të gjitha republikat e tjera dhe krahinat e atëhershme autonome. Me këtë, Serbia i mban gjallë ende strukturat e ish-shërbimeve, jo vetëm në institucionet e saj, por edhe në ato të shteteve që dolën nga Jugosllavia. Një pjesë e tyre njihen si “shteti i thellë”, një grup tjetër si oligarkë monopolesh, e një tjetër si intelektualë. Mjaftueshëm për të shtrirë ndikimin keqdashës në secilin nga këto shtete.
Për ta demokratizuar rajonin, Brukseli ka kohë që e ka të qartë se duhet ta demokratizojë Serbinë. Për ta demokratizuar Serbinë, duhet të pastrohet me të kaluarën e saj. Që të pastrohet me të kaluarën, duhet hapur të gjitha dosjet. Në një raport të Parlamentit Europian për Serbinë, të vitit 2019-2020, u bëhet thirrje autoriteteve në Beograd që “të vazhdojnë me përpjekjet e tyre që ta eliminojnë trashëgiminë e ish shërbimeve sekrete të komunizmit me hapjen e dosjeve për publikun e gjerë”. Aty kërkohet saktësisht një qasje e plotë për këdo në materialet arkivore të ish Shërbimit Sekret Jugosllav (UDB) dhe Shërbimit Sekret të Ushtrisë Jugosllave (KOS), si dhe kthimin e të gjitha arkivave shteteve fqinje që deri në vitet e 90-ta ishin pjesë e federatës së përbashkët. Në pikën 99 të kësaj Rezolute thuhet: “(PE) Rikonfirmon thirrjen drejtuar autoriteteve serbe që të vazhdojnë përpjekjet për eliminimin e trashëgimisë së ish-shërbimeve sekrete komuniste, duke i bërë dosjet e tyre të hapura për publikun, si një hap drejt demokratizimit të Serbisë; i bën thirrje Serbisë ta intensifikojë procesin e suksesionit dhe zbatimin e detyrimeve që lidhen me ndarjen e arkivit të përbashkët të ish-Jugosllavisë; në këtë kontekst, rikonfirmon se qasja e plotë në të gjitha materialet arkivore, veçanërisht ato të ish-shërbimeve sekrete jugosllave (UDB) dhe Shërbimit Sekret të Ushtrisë Popullore Jugosllave (KOS), ka një rëndësi jetike; rikonfirmon thirrjen drejtuar autoriteteve që ta lehtësojnë qasjen në ato arkiva që kanë të bëjnë me ish-republikat e Jugosllavisë dhe t’ua kthejnë ato qeverive përkatëse, nëse këto të fundit e kërkojnë një gjë të tillë”.
E njëjta kërkesë përsëritet edhe në rezolutat dhe raportet për Serbinë në vitet në vijim. Në vitin 2021 PE-ja e përsërit thirrjen për hapjen e arkivave dhe kthimin e tyre në vendet e origjinës, ndërkohë që në vitin 2022 shton se kjo do të kontribuonte jo vetëm në demokratizimin e shoqërisë, por edhe në pajtimin e rajonit. Sërish i njëjti rekomandim përsëritet edhe në vitet 2023 dhe 2024.
Përderisa PEja kërkon hapje të arkivave, Komisioni Europian (KE) kërkon reforma në shërbimet e sigurisë. Raporti i i fundit i KE-së, i publikuar më 4 nëntor 2025, nuk kërkon taksativisht hapjen dhe deklasifikimin e dosjeve komuniste, por fokusi është te sundimi i ligjit, reformat politike, harmonizimi dhe rezultatet nga implementimi.
Sidoqoftë, Brukseli e ka detektuar problemin që e mban në regres rajonin, duke shpikur arsye dhe konflikte absurde, por efektive në arritjen e qëllimeve. BE-ja e ka të qartë se hapja e këtyre arkivave do të ishte një hap tepër i rëndësishëm për drejtësinë tranzicionale dhe demokratizimin. Kjo e hap rrugën e përballjes me trashëgiminë e ish-shërbimeve sekrete komuniste, ndërkohë që ka edhe implikime rajonale.
Ballkani – peng i së kaluarës
Nëse një popull nuk pastron me të kaluarën e zymtë, ai mbetet peng i saj. Këtë fat e kanë thuajse të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat ka kohë që përpëliten të integrohen në BE, por gjithmonë u shfaqen pengesa të papritura. Tentakulat e ish-shërbimeve vazhdojnë të mbajnë pozita të privilegjuara, nga ku tërheqin penjtë. Në vitet e 90-ta këto vende e përqafuan demokracinë, por nuk u demokratizuan. Nga sistemi me një parti, siç ishte në komunizëm, u kalua në sistem shumëpartiak. Por, mënyra e operimit mbeti e njëjtë, vetëm se nga një parti komuniste u formuan disa me mendësi të tillë. Njerëzit që punonin për Beogradin vazhduan të punojnë për këtë qendër. Në botën e tyre ende ekziston federata që u dha aq shumë fuqi.
Shpërbërja e Jugosllavisë filloi vetëm një vit pas vdekjes së Titos, kur në skenat politike të secilës republikë në pushtet erdhën udhëheqës me agjenda etno-nacionaliste, veçanërisht në Serbi, si republika më e madhe dhe më me ndikim në federatë. Këto politika të etno-nacionalizmit rezultuan në një shpërbërje të përgjakshme të Jugosllavisë, nga e cila dolën gjithsej shtatë shtete të pavarura: Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Me përjashtim të Kosovës dhe Malit të Zi, të cilat e fituan pavarësinë shumë më vonë, tranzicioni i pesë republikave u nxit, u kontrollua dhe u zbatua nga strukturat e mëparshme komuniste, të cilat i fituan edhe zgjedhjet e para demokratike – një skenar i ngjashëm me atë që ndodhi në Bullgari ose Rumani. Ndryshe nga Sllovenia dhe Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova përballen me kriza të vazhdueshme politike që burojnë nga dominimi i diskursit etnik, në vend të vlerave demokratike. Bosnja dhe Hercegovina është një federatë e përbërë nga tri njësi etnikisht kompakte: boshnjake (myslimane), serbe dhe kroate. Si e tillë, BeH-ja shpesh cilësohet si “shtet i dështuar”. Një etiketë e ngjashme përdoret edhe për Kosovën, e cila përballet me dy probleme kyçe të shtetësisë së saj: i pari është mosnjohja nga Serbia, brenda së cilës Kosova e kishte statusin e krahinës autonome gjatë Jugosllavisë, dhe i dyti – pakica serbe e përqendruar në një territor kompakt gjeografik në veri të vendit.
Republika e Maqedonisë së Veriut, që nga shpallja e pavarësisë, është përballur me paqëndrueshmëri politike për shkak të përpjekjeve të shqiptarëve etnikë për status të barabartë, pra si popull shtetformues. Përjashtimi nga ndërtimi i kombit maqedonas, i cili u bazua vetëm në veçoritë etnokulturore të maqedonasve si etni dominuese, çoi në rritjen e tendencave separatiste te shqiptarët etnikë. Konflikti gjashtëmujor i vitit 2001 ndërmjet strukturave të UÇK-së, të mbështetura nga shqiptarët etnikë, dhe strukturat shtetërore të sigurisë të përbëra kryesisht nga maqedonas etnikë, përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila u garantoi shqiptarëve më shumë të drejta etnike, duke e bërë shtetësinë e Maqedonisë së Veriut më përfshirëse.
Linz-i dhe Stepan-i pothuajse nuk e analizojnë Shqipërinë dhe tranzicionin e saj nga regjimi më brutal komunist në Europë, nën diktatorin Enver Hoxha, drejt një sistemi demokratik të organizimit shtetëror. Pas vdekjes së Hoxhës në vitin 1985, udhëheqja e re e Partisë Komuniste, e kryesuar nga Ramiz Alia, ishte dukshëm më e hapur, më tolerante dhe më e butë në ushtrimin e pushtetit. Reformat për hapjen graduale të vendit nisën pasi u shfaq vala demokratike e paralajmëruar nga Gorbaçovi. Në dhjetor të vitit 1990-të në Shqipëri shpërthyen protestat studentore, të cilat fillimisht kërkonin një standard më të mirë ekonomik. Kur ato u bënë masive, kërkesat përfshinë edhe reforma politike dhe vendosjen e një sistemi pluralist. Regjimi i Alisë pothuajse nuk përdori fare forcë ndaj studentëve. Lëvizja studentore nuk kishte lider dhe as nuk ishte e strukturuar politikisht, ndërsa asaj iu bashkuan edhe intelektualë dhe persona që për shumë vite kishin qenë pjesë e sistemit të mëparshëm. Para se të takohej me studentët, Alia vetë njoftoi se zgjedhjet e para do të organizoheshin në vitin 1992, pa formuar një tryezë të rrumbullakët. Zgjedhjet u organizuan nga qeveria komuniste e Alisë, por në to fitoi me shumicë dërrmuese Partia Demokratike opozitare e Sali Berishës, kundrejt Partisë Socialiste të Fatos Nanos, si trashëgimtare e Partisë Komuniste. Në këtë kontekst, Shqipëria përfaqëson një shtet post-totalitar të hershëm, pa përvojë të mëparshme opozitare, me liri të rreptësisht të kufizuara në të gjitha segmentet shoqërore dhe shtetërore. Ndryshe nga Bullgaria dhe ish-republikat jugosllave, partia e formuar nga ish-komunistët i humbi zgjedhjet.
Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk i kanë hapur tërësisht dosjet e ish-shërbimeve komuniste. Maqedonia e Veriut në vitin 2008 nisi procesin e lustrimit, i cili u shndërrua në mjet për qërim hesapesh midis partive politike. As Shqipëria e as Kosova nuk kanë pastruar llogaritë me të kaluarën. Strukturat e padukshme, trashëgimtare të shërbimeve komuniste, vazhdojnë të funksionojnë në rrjete të fuqishme. Këto struktura të ish-republikave jugosllave kanë cerberë besnikë në Beograd. Atje, arkivat që do të hidhnin dritë për shumë ngjarje, ende mbahen në dry. Por, ky dry po ndryshket ashtu si Serbia po tërhiqet drejt integrimit në BE. Protestat e fundit ishin tregues se gjenerata e re serbe nuk manipulohet më me ideologji arkaike, por kërkon vlera europiane. Kërkojnë shtet të së drejtës, drejtësi, zhvillim dhe transparencë. Kjo transparencë do t’i përfshijë edhe arkivat e mykura të shërbimeve. Kur ato të hapen, atëherë do të fillojë fundi i tranzicionit të gjatë në Serbi dhe rajon. Drejtësia tranzicionale do të vihet në vend, kurse demokratizimi do të mund të zbatohet realisht dhe të japë rezultate konkrete. Deri atëherë, strukturat e padukshme të ish-shërbimeve komuniste do të vazhdojnë të jenë “fati ynë”. Një thënie e përdorur në ish-Jugosllavi për të rikujtuar fuqinë e shërbimeve sekrete atëherë.



