Drafti i Ramës për “Zajednicën” më i zi se drafti i Serbisë

Shkruan: Arbër Zaimi
Nëse ai që është publikuar dje nga Gazeta Express është me të vërtetë drafti i propozuar nga Edi Rama për Zajednicën serbe në Kosovë atëherë, pasi e lexova kam këto bindje:
- Ky propozim maskon pafuqinë e nënshtrimin ndërkombëtar si bujari dhe zemërgjerësi kombëtare. Republika e Kosovës në atë draft përmendet vetëm dy herë në fillim kur sqarohen teknikisht definicionet, ndërsa në përmbajtjen politike të draftit përmendet bollshëm Republika e Serbisë si përfituese fuqish, levash e mundësish brenda në Kosovë.
- Drafti i Ramës kërkon që Kosova t’u japë serbëve aq të drejta sa që shqiptarët as nuk i ëndërrojnë. Jo vetëm shqiptarët në Serbi, po as shqiptarët në Shqipëri nuk kanë aq të drejta sa u mundëson serbëve ky draft. Nga ana tjetër, asnjë minoritet në Evropë nuk gëzon të drejta të tilla. A ia hap derën kërkesave, fjala vjen nga Athina, një propozim i tillë që qenka dërguar nga Tirana?
- Drafti është aq i keq sa që mundëson rikthimin e Serbisë në Kosovë dhe vërtet bën të duket copëtimi i Kosovës si zgjidhje më e mirë. A thua të ketë qenë ky qëllimi i Ramës kur propozoi këtë draft, meqenëse ai dikur dihet, ishte mbështetës i shquar i copëtimit të Kosovës?
- Drafti mundëson që komuniteti serb në Kosovë, i cili tashmë zotëron të drejtë vetoje në parlamentin e Kosovës si dhe mbipërfaqësim vertikal në çdo strukturë të hierarkisë qendrore a lokale, të ketë edhe një shtrirje horizontale e territoriale të ndarë, shoqëruar me elemente identitare, me kapacitete për të hapur zyra përfaqësuese jashtë vendit, me kapacitete për të ofruar shërbime të formës shtetërore paralel me shtetin, pra të ketë çdo element që pati edhe Serpska në Bosnjë.
- Në skenarin më të mirë të mundshëm, ky propozim përcakton që serbët brenda në Kosovë të ruajnë strukturat ilegale paralele dhe të jetojnë pa lidhje me Kosovën e në lidhje veç me Serbinë, duke pamundësuar çdo integrim brendashtetëror e çdo bashkëpunim të ardhshëm ndëretnik, nëse ai nuk i intereson Serbisë.
- Skenarët e këqij mund të jenë shumë sepse të shumta janë mundësitë që ofron drafti i Ramës, i cili Zajednicës i numëron të drejta e fuqi shtesë, ndërsa qeverisë së Kosovës i numëron detyrime shtesë. Skenari i parë i keq mund të ndodhë qysh në të propozuarën si “mbledhje konstituuese”, çka nëse aty ata zotërinj të cilëve u njihet flamur e territor i veçantë dhe shumë kapacitete për të ofruar shërbime në vend të shtetit, vendosin të proklamojnë edhe autonominë një hap më tej? Ç’do të ndodhë pastaj, apo do të priten hetimet ndërkombëtare siç po ndodh sa herë që sulmohet Kosova?
- Ky draft mundëson hyrjen në Kosovë të mallrave e financave të pataksuara e të pakontrolluara nga Serbia, e cila në rastin më pozitiv nuk kontrollon dot mafiozët e fashistët e armatosur brenda territorit dhe ushtrisë së vet, në rastin më të keq i ka ata nën kontroll dhe i përdor për destabilizim rajonal.
- Ky draft i ka të gjitha elementët që kanë provokuar protesta masive në Kosovë në kundërshtim të Zajednicës.
- Pse Rama të propozojë gjëra të tilla? A ka hequr dorë ai nga të aspiratat historike shqiptare? A ka hequr dorë nga Kosova? A ka hequr dorë nga interesat e Shqipërisë?
- Një propozim i tillë tregon se aparati diplomatik i propozuesit nuk ka më mendim njerëzor brenda, por vetëm mediokritetin robotik të inteligjencës artificiale, që i përgjigjet çdo urdhri “me konstruktivitet maksimal”. Ky draft është aq asimetrik në favor të Serbisë, sa që nuk do të ishte i mirë as nëse Scholz e Macron do t’ia dërgonin Ramës, e lëre më kur ky ua propozon atyre.



