Dosjet Epstein: Dorëhiqet drejtori ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror, Borge Brende

Drejtori ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror (WEF) Borge Brende, ka dhënë dorëheqjen, pasi forumi nisi një hetim të pavarur mbi marrëdhënien e tij me Jeffrey Epstein.
Brende, ish-ministër i Jashtëm i Norvegjisë, ka njoftuar se po largohet për të shmangur “shpërqendrimet”.
Në një deklaratë ai ka thënë se, pas shqyrtimit të kujdesshëm, kishte vendosur të tërhiqej nga posti i presidentit dhe CEO-s së forumit, duke e cilësuar periudhën 8 vjet e gjysmë në krye të WEF-s si “thellësisht shpërblyese”.
Ai ka theksuar se gjatë mandatit të tij, një numër rekord partnerësh iu bashkuan forumit dhe se takimi i fundit vjetor në Davos ishte shumë i suksesshëm, me pjesëmarrje të gjerë liderësh qeveritarë nga mbarë bota. Brende ka shtuar se beson se ky është momenti i duhur që forumi të vazhdojë punën e tij “pa shpërqendrime”.
Dorëheqja vjen pas publikimit të dosjeve nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, të cilat treguan se Brende kishte marrë pjesë në tri darka biznesi me Epsteinin dhe kishte komunikuar me të përmes emailit dhe mesazheve.
Largimi ndodh gjithashtu vetëm një muaj pas takimit vjetor të WEF-s në Davos.
Disa zyrtarë në Evropë kanë dhënë dorëheqje deri më tani nga pozicionet e tyre, për shkak të dyshimeve për lidhje të tyre me të dënuarin për abuzim seksual, Jeffrey Epstein.
Mes tyre është edhe këshilltari i kryeministrit sllovak, Robert Fico, Miroslav Lajçak, i cili më parë ka shërbyer edhe si ndërmjetës i bisedimeve Kosovë-Serbi.



