Dogana pranë Postës së Maqedonisë bëhet me skaner të ri, me inteligjencë artificiale do të detektohen pakot e dyshimta!

Njësia Doganore në Postën e Maqedonisë së Veriut mori një skaner të ri, i cili pritet të ndihmojë në parandalimin e trafikut të drogës, armëve, municionit dhe pjesëve të tyre, përcjell TV21. Skaneri, i prodhuar nga kompania amerikane “Astrophysics”, ka kapacitet mbi 200 kg, fuqi 180 kW, rezolucion të lartë dhe funksionon me gjashtë ngjyra. Ai mund të kontrollojë qindra dërgesa në minutë dhe përdor inteligjencë artificiale për të sinjalizuar pako të dyshimta.
Ky skaner është dhuratë nga Gjermania, Suedia, Holanda, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia, përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara kundër Drogës dhe Krimit, në kuadër të projektit Hermes 2. Përveç skanerit, do të dhurohen edhe kompjuterë personalë për operatorët.
Drejtori i Doganave, Boban Nikolovski, theksoi rëndësinë e pajisjes në kohën e rritjes së tregtisë online pas pandemisë, duke theksuar se ajo do të ndihmojë në detektimin e armëve, drogës dhe eksplozivëve në kohë reale. Drejtori i Postës, Orhan Kurtishi, falënderoi donatorët dhe u shpreh se skaneri është një mjet kyç për sigurinë e dërgesave postare.



