Do të paguajmë fatura më të larta për rrymë!

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut përsëri do të paguajnë fatura më të larta të energjisë elektrike. Blloqet tarifore 3 dhe 4 për energjinë elektrike do të zgjerohen si përgjigje e Qeverisë ndaj vërejtjes së FMN-së se vendi shpenzon shumë para për subvencionimin e energjisë elektrike. Këtë e ka konfirmuar dje zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi. Megjithatë, ai tha se ata që shpenzojnë më pak do të paguajnë më pak.
– Do të zgjerojmë bllokun tarifor 3, me shumë mundësi edhe bllokun tarifor 4, në mënyrë që mbulimi për ata që shpenzojnë më shumë të jetë më i madh. Dhe për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve, për njerëzit që realisht kursejnë energjinë elektrike, modeli tarifor duhet të mbetet i njëjtë dhe çmimi i energjisë elektrike apo ndryshimi i mundshëm i çmimit të mos bien mbi barrën e atyre që janë në bllokun e parë apo të dytë”, ka deklaruar Bytyqi.
Blloku tarifor 3 përfshin konsumatorët që konsumojnë nga 631 deri në 1050 kilovat orë energji elektrike dhe blloku tarifor 4 përfshin të gjithë ata që konsumojnë më shumë se 1050 kWh. Nuk dihet se si do të jenë kufijtë e bllokut tarifor 3 dhe nëse do të përfshijë familjet që konsumojnë më pak se 631 kilovat energji elektrike në muaj.
Komisioni Rregullator i Energjisë do të duhet të bëjë përllogaritje se si duhet të duket orari i ri i konsumit të energjisë elektrike dhe çfarë rrezesh duhet të ketë blloku 3 dhe 4.
Vitin e kaluar subvencionimi i energjisë elektrike për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël ka qenë deri në 80%, dhe sipas Bytyqit, kjo është e paqëndrueshme për një vend të vogël si yni. Këtë vit subvencioni është ulur në rreth 60%.



