Djali i dyshuar për vrasjen e babait të tij tentoi të fshehë gjurmët

Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një personi të dyshuar për kryerjen e veprës penale – vrasje, sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 2 të Kodit Penal.
Gjatë ushtrimit të dhunës familjare në një shtëpi në lagjen Dutllok të Gostivarit, i dyshuari 33-vjeçar me dashje i ka marrë jetën babait të tij. Ata kishin nisur një debat për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme, pas së cilës djali e ka sulmuar fizikisht babanë, duke e goditur me dorë dhe me objekte të forta metalike, derisa i ka shkaktuar lëndime të rënda nga të cilat viktima ka ndërruar jetë.
Menjëherë pas ngjarjes, i dyshuari ka tentuar të fshehë gjurmët, duke larë trupin e të ndjerit dhe duke e përgatitur për varrim. Megjithatë, rasti është zbuluar pas një denoncimi nga një qytetar anonim përmes një numri të huaj telefonik, pas së cilës në vendngjarje kanë dalë zyrtarë policorë, ndërsa hetim ka kryer edhe prokurori publik, i cili menjëherë ka urdhëruar autopsi.
Prokurori publik i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Gostivarit caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, për shkak të rrezikut të arratisjes, si dhe mundësisë që ai të ndikojë te dëshmitarët dhe të fshehë gjurmët.



