Djali i deputetit të BDI-së përfundon në arrest

Njëmbëdhjetë persona janë privuar nga liria, mes tyre edhe biznesmeni Ratko Kapushevski dhe pronari i “Pucko Petrol”, Asmir Jahoski, për prokurime të dyshimta të derivateve. Ata janë dërguar për marrje në pyetje në Gjykatën Penale para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Në kallëzimin penal përfshihet edhe ish-drejtori i ESM-së, Vasko Kovaçevski, i cili ndodhet në arrati dhe kërkohet me fletarrest ndërkombëtar për rastin “Aditiv”. Duke vepruar mbi bazën e kallëzimit penal nga MPB, prokurori publik ka lëshuar urdhër për zhvillimin e një procedure hetimore kundër 13 personave fizikë dhe një subjekti juridik.

Ekziston dyshimi i bazuar se dhjetë persona, si bashkëkryes ose ndihmës, kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të procedurës për thirrje publike, dhënien e kontratës për prokurim publik ose partneritetin publiko-privat. Dy të dyshuarve dhe subjektit juridik u vihet në barrë edhe vepra penale e pastrimit të parave dhe përfitimeve të tjera nga një vepër e dënueshme. Një person tjetër dyshohet vetëm për pastrim parash, njoftoi Prokuroria Publike e RMV-së.

Në periudhën 2021-2023, dy të dyshuar, në cilësinë e themeluesve dhe menaxherëve të subjektit juridik përgjegjës penalisht, duke shkelur me vetëdije rregulloret për procedurën e thirrjes publike për furnizimin me mazut për nevojat e TEC Negotino, dorëzuan dokumentacion të rremë. Me synimin për të manipuluar kontratën, ata nuk i përmbushën detyrimet dhe shkelën rregullat, duke përfituar në përmasa të mëdha për subjektin juridik përgjegjës penalisht, ndërsa i shkaktuan dëm buxhetit shtetëror në shumën totale prej rreth 167.5 milionë eurosh, thuhet në njoftimin e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

Në këtë veprimtari të qëllimshme, ata u ndihmuan nga të dyshuarit e punësuar në AD ESM. Prokuroria i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Penale të Shkupit që ndaj pesë personave të caktohet masa e paraburgimit, ndërsa për të tjerët janë propozuar masa për sigurimin e pranisë së tyre, njoftoi Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button