Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare shënohet me aktivitet solemn dhe shkencor në organizim të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës

Sot, në ambientet e Klubit të Deputetëve në Shkup, u mbajt aktiviteti solemn dhe shkencor me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, me temën: “Fjalori i ri i gjuhës shqipe, konteksti i përdorimit praktik”, në organizim të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës.
Aktiviteti u hap me fjalë përshëndetëse nga drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Granit Osmani, i cili theksoi rëndësinë e mbrojtjes, zhvillimit dhe zbatimit të drejtë të gjuhës shqipe në institucionet e vendit, si dhe rolin e fjalorit si instrument themelor për standardizimin dhe avancimin e saj.
Me fjalë rasti u drejtuan gjithashtu Zëvendës kryeministri i parë i Qeverisë, Bekim Sali, Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, si dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në RMV, Florian Qehaja, të cilët vlerësuan rëndësinë e gjuhës amtare si shtyllë identitare, kulturore dhe institucionale.
Referatin qendror mbi rëndësinë e gjuhës amtare e paraqiti, këshilltari shtetëror në AZGJ, Ahmet Selmani, i cili trajtoi dimensionin historik, kulturor dhe shoqëror të gjuhës shqipe, duke e theksuar rolin e saj në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në ndërtimin e diskursit bashkëkohor.
Në kuadër të pjesës shkencore, tryezës së rrumbullakët, të moderuar nga këshilltari shtetëror i lektutës Nebi Bilalli, u zhvilluan dy panele diskutimi me pjesëmarrjen e akademikëve dhe profesorëve universitar, ndër ta edhe akademik Valter Memisha. Diskutimet u fokusuan në çështje që lidhen me Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, leksikografinë në epokën digjitale, përdorimin praktik të fjalorit online, si dhe sfidat historike dhe bashkëkohore të gjuhës shqipe. Në kuadër të tryezës shkencore, profesorët pjesëmarrës trajtuan tema me rëndësi të veçantë për zhvillimin, pasurimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe.
Prof. dr. Idajete Sinani foli për përfaqësimin e leksikut dialektor nga të folmet e RMV-së në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së pasurisë gjuhësore vendore në fjalorin kombëtar. Prof. Dr.Berton Sulejmani u ndal te versioni online i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe dhe përdorimi praktik i tij në Maqedoninë e Veriut sot, duke vënë në pah qasjen më të lehtë dhe funksionalitetin në kohën digjitale.
Prof.dr. Ajtene Qamili trajtoi rëndësinë e fjalorit elektronik për brezat e epokës digjitale, duke theksuar rolin e teknologjisë në afrimin e të rinjve me gjuhën standarde. Prof. dr. Ismet Osmani e paraqiti fjalorin shpjegues si instrument fiksues të leksikut të gjuhës shqipe, me rol kyç në standardizimin dhe ruajtjen e saj.
Ndërsa Prof. dr. Qerim Lita solli një analizë historike mbi represionin ndaj gjuhës shqipe në RS të Maqedonisë gjatë viteve 1981–1990, duke ndriçuar sfidat dhe përpjekjet për ruajtjen e identitetit gjuhësor.
Prof.dr Izer Maksuti trajtoi temën “Leksikografia shqiptare në epokën digjitale: perspektiva mbi fjalorin e ri të shqipes”, duke ofruar një vështrim mbi drejtimet e reja të hartimit të fjalorëve në kontekstin teknologjik.
Ndërsa Prof. dr. Demush Bajrami me temën “Gjuha në epokën digjitale: Si e përjetojmë gjuhën në realitetin bashkëkohor” analizoi ndikimin e transformimeve digjitale në përdorimin dhe perceptimin e gjuhës sot.
Ky aktivitet shënoi një kontribut të rëndësishëm në promovimin e kulturës gjuhësore, në thellimin e debatit shkencor mbi leksikografinë dhe në fuqizimin e përdorimit praktik të fjalorit në kontekstin institucional dhe digjital.
Agjencia e Zbatimit të Gjuhës mbetet e përkushtuar në avancimin e statusit të gjuhës shqipe dhe në mbështetjen e iniciativave që forcojnë kulturën e përdorimit korrekt dhe profesional të saj në të gjitha nivelet e jetës publike dhe institucionale.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button