Diplomati gjerman: “Ballkani i Hapur” u krijua për të anashkaluar Kosovën
Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka tronditur jo me pak me deklaratën e tij se Ballkani I Hapur u krijua për të anashkaluar Kosovën. Në një interviste për RTK Sarrazin ka shprehur shqetësim se nëse Samiti i Berlinit që do të mbahet më 14 tetor dështon të sigurojë një treg të përbashkët rajonal, mund të riaktualizohet ideja e “Ballkanit të Hapur”.
“Nëse ky samit nuk mbahet, nëse nuk sigurohet tregu i përbashkët rajonal dhe plani i madh i komisionit evropian që të ketë sukses dhe një gurthemel i kësaj do të jetë samiti më 14 tetor në Berlin, sigurisht që menjëherë vjen Ballkani i Hapur. Pra, Ballkani i Hapur është krijuar për ta anashkaluar Kosovën. Ne, kemi filluar të punojmë ashtu që Kosova të jetë në të njëjtën tryezë, me të njëjtat të drejta, me të njëjtin nivel si të tjerët. Duhet të ecim përpara, nuk mund ta lëmë gjithë rajonin që të presë për këtë bashkëpunim. Nuk mund të rrezikojmë tregun e përbashkët rajonal dhe nuk mund të ketë sukses Procesi i Berlinit. Pra nuk është në interes të Kosovës, por as tonin”, është shprehur Sarrazin për RTK.
Sarrazin ka theksuar se nëse Kosova refuzon të heqë ndalesat e mallrave, mund të përballet me pasoja të rënda, duke përfshirë mundësinë e përjashtimit nga mekanizmat e ardhshëm dhe ndikimet negative në integrimin në BE.
Nisma “Open Balkan-Ballkani i Hapur” është një bashkëpunim mes, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, që synon të zbatojë sa më shpejt të jetë e mundur në rajon, katër liritë e BE-së; lëvizjen e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.
Nisma, që fillimisht u quajt Mini–Shengen, nisi më 10 tetor 2019, në Novi Sad të Serbisë, dhe u firmos nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.