Di Giovanni: Vazhdon martesa e vajzave të mitura në RMV

Përfaqësuesja e UNICEF-it Patricia Di Giovanni po bën thirrje për më shumë veprime për t’i dhënë fund martesës së fëmijëve në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Siç thuhet në deklaratën e saj me shkrim, përveç luftës për barazi gjinore dhe mirëqenie të grave, nuk duhet të harrohet edhe një pasojë e rëndë e pabarazisë së rrënjosur gjinore, martesa e fëmijëve.
“Edhe pse kjo praktikë e dëmshme është ulur ndjeshëm në dekadën e fundit, martesa e fëmijëve vazhdon të jetë problem për vajzat në Maqedoninë e Veriut. Tetë për qind e të gjitha grave të moshës 20 deri në 24 vjeç në vend janë martuar ose kanë bashkëjetuar para moshës 18 vjeç. Akoma më shqetësuese është se 45 për qind e grave rome të moshës 20 deri në 24 vjeç në vend ishin të martuara ose në një lidhje para moshës 18 vjeç dhe 15 për qind e grave të të njëjtit grup ishin të martuara ose në një lidhje para moshës 15 vjeç”, thekson Di Giovanni.