Dhuna e kolonëve ndërpret vjeljen e ullinjve në Bregun Perëndimor

Skena tronditi shumë njerëz dhe nxori në pah dhunën që po shoqëron këtë vit vjeljen e ullinjve në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli: një i ri me maskë sulmon me shkop një grua palestineze të moshuar që po mblidhte ullinj, e cila më pas bie përtokë.
Sulmi ndaj 55-vjeçares Um Saleh Abu Aliya është filmuar nga një gazetar amerikan në qytetin Turmus Aya, pranë Ramallahut.
“Të gjithë ikën me vrap sepse kolonët sulmuan papritur – ishin ndoshta rreth 100 veta,” tha dëshmitari Yasser Alkam për agjencinë AFP, duke shtuar se një aktivist suedez u plagos rëndë, duke pësuar fraktura në krah dhe këmbë nga kolonët.
“Rezistenca do të sillte vetëm më shumë dhunë, nganjëherë edhe me mbështetjen e ushtrisë,” u ankua Nael al-Qouq, një fermer nga Turmus Aya, të cilit iu ndalua të hynte në arat e tij me ullinj atë ditë.
Afarë Turmus Aya-s, në fshatin al-Mughayyir, një banor u pengua krejtësisht të vjelë.
“Kam 10 dunamë (një hektar) ullinj. Tani më kanë mbetur vetëm ullinjtë në kopshtin e shtëpisë… I kanë shkulur të gjithë,” tha për AFP 55-vjeçari Abdul Latif Abu Aliya.



