Dëshmitar i guximshëm i epokës

Adem Demaçi nuk ishte thjesht një protagonist i ngjarjeve të rëndësishme të shekullit XX, por edhe një dëshmitar i jashtëzakonshëm i një epoke të mbushur me sfida të mëdha kombëtare. Si intelektual i angazhuar dhe veprimtar politik, ai ishte dëshmitar i pasojave të rënda të asimilimit, diskriminimit dhe shkeljes së të drejtave themelore të shqiptarëve. Përmes shkrimeve, fjalimeve dhe veprimtarisë së tij politike, ai jo vetëm që i dokumentoi këto realitete, por i sfidoi ato me guxim dhe vendosmëri.

Shkruan: Ardian MUHAJ, Tiranë

Adem Demaçi, një nga figurat më të spikatura të historisë së shqiptarëve në shek. XX, mbetet simbol i rezistencës, lirisë dhe drejtësisë, duke mishëruar shpirtin e qëndresës ndaj padrejtësisë. Përkushtimi i tij ndaj çështjes kombëtare, pavarësisht nga kostoja personale e madhe, e bën atë një pikë referimi për brezat.

Lindur në vitin 1936, një periudhë e trazuar për kombin shqiptar, gjatë fëmijërisë dhe shkollimit fillor ai përjetoi periudhën e Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria dhe Kosova u bashkuan nën pushtimin italian dhe, më vonë, atë gjerman. Këto rrethana historike jo vetëm që ndikuan në realitetin e përditshëm të familjes, por gjithashtu e formësuan botëkuptimin dhe vetëdijen e tij kombëtare. Bashkimi i përkohshëm i Shqipërisë gjatë kësaj periudhe duhet të ketë pasur një ndikim të madh në formimin e vizionit të Demaçit për një komb shqiptar të bashkuar. Megjithëse ky bashkim ishte rezultat i pushtimit të huaj, për shumë shqiptarë ai përfaqësonte një realizim të ëndrrës së bashkimit kombëtar, sado i përkohshëm dhe i paqëndrueshëm të ishte. Gjatë periudhës së shkollimit fillor, Demaçi u rrit nën një sistem arsimor që, ndonëse i ndikuar nga pushtuesit, kishte elemente të promovimit të kulturës dhe gjuhës shqipe. Për Demaçin e ri, kjo do të ketë qenë një periudhë vendimtare për të zhvilluar një lidhje të fortë me frymën e bashkimit kombëtar duke formësuar një bazë të fortë intelektuale dhe emocionale që do të përvijonte gjithë jetën e tij. Këto përvoja të hershme e bënë atë një dëshmitar dhe protagonist të pathyeshëm të epokës së vet. Adem Demaçi u shqua për angazhimin e tij politik qysh herët, duke sfiduar autoritetin e Jugosllavisë me vendosmëri dhe pa frikë. Rezistenca e tij ndaj shtypjes dhe asimilimit të shqiptarëve në Kosovë u shpreh jo vetëm në veprime konkrete, por edhe në mesazhe që i sfidonin hapur liderët politikë të kohës. Ai besonte se bashkimi kombëtar ishte një domosdoshmëri historike, një vizion që shpesh u keqkuptua ose u nënvlerësua nga elitat e kohës. Pavarësisht kritikave, Demaçi mbeti konsistent në qëndrimet e tij, duke refuzuar kompromise që e cenonin identitetin dhe lirinë e kombit shqiptar.

Demaçi i kaloi plot 27 vite në burgjet serbe dhe jugosllave, duke paguar një çmim të lartë për bindjet e tij. Pavarësisht kësaj, ai arriti ta ruante integritetin personal dhe ta zhvillonte më tej personalitetin e tij intelektual. Veprat e tij letrare janë të mbushura me simbolikë të thellë dhe mesazhe për rezistencë, liri dhe humanizëm. Shkrimet e tij tregojnë qartë një njeri që, megjithë izolimin fizik, refuzoi të dorëzohej shpirtërisht apo intelektualisht.

Për Adem Demaçin, bashkimi kombëtar ishte një vizion i patjetërsueshëm. Ky ideal shpesh u ndesh me pragmatizmin e liderëve të kohës, të cilët ndonjëherë e konsideronin të pamundur ose të panevojshëm. Njëkohësisht dhe vazhdimisht u tregua i palëkundur në qëllimin e tij për të siguruar drejtësi dhe liri për popullin shqiptar. Përmes përkushtimit ndaj kauzës kombëtare, Demaçi tregoi se si sakrifica personale mund të sjellë ndryshim të vërtetë në shoqëri. Ai nuk ishte thjesht një njeri i kohës së tij, por një vizionar që reflektonte përtej kufijve të saj. Ai mbetet një shembull frymëzues i qëndresës, guximit dhe idealizmit. Ishte intelektuali i thellë dhe guximtar par excellence, që pikërisht për këtë fliste gjithnjë pa dorashka, një gjë e rrallë për kohën dhe rrethanat në të cilat jetoi.

Falë kësaj vetie të tij për të folur haptas e pa frikë, e ndërthurur me qenien e tij dëshmitar i shumë ngjarjeve thelbësore politike e historike dhe i personazheve të rëndësishme, kemi disa përkufizime dhe deklarime të cilat rrallë i ndeshim në opinionin tonë publik. Në vitin 1946, kur Demaçi sapo i kishte mbushur 10 vjet dhe sapo e kishte përfunduar shkollën fillore, në kuadër të marrëdhënieve të ngushta mes Beogradit dhe Tiranës ishte njëri nga tre shqiptarët në mesin e 100 nxënësve pionerë nga Jugosllvaia, që u përzgjodhën për të kaluar pushimet e verës në bregdetin e Shqipërisë, në zonën e Durrësit. Me këtë rast, edhe pse në moshë të vogël, nuk i shpëton një detaj shumë i veçantë dhe shumë me rëndësi. Ai kujton se kishin qëndruar dy muaj e gjysmë në bregdetin e Durrësit, ku “jemi mbledhë të gjithë pionerët me çdo mëngjes të ri dhe, ndërsa e kemi ngritë flamurin jugosllav, e kemi kënduar himnin e Jugosllavisë”, gjatë gjithë asaj kohe “s’ma ka zënë syri as edhe një fotografi të vetme të Enver Hoxhës. Ishte qitë vetëm ajo e Titos, çka dëshmon se asokohe Jugosllavia e kishte futë Shqipërinë krejtësisht nën kontroll”. (Shkëlzen Gashi, Adem Demaçi. Një biografi e pauatorizuar, f. 10.)

Jo vetëm në kujtimet e tij ishte guximtar për të kujtuar, por edhe në vuajtjen dhe persekutimin e tij ishte po aq guximtar për ta thënë mendimin e vet. Në fjalën e fundit para dhënies së dënimit të parë nga regjimi jugosllav në moshën 23 vjeçare, në sallën e gjyqit që fillon në 19 shkurt 1959 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Demaçi flet guximshëm haptas duke dëshmuar për epokën, jo për epokën e tij, por atë që do të vinte. “Po ju them edhe një herë se nëse Serbia e Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi i Kosovës dhe nëse nuk lejojnë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia dhe t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë nuk do të ketë paqe as në Ballkan, as në Jugosllavi, as në Serbi. Nëse Serbia do të vazhdojë me këtë politikë ndaj shqiptarëve, një ditë Serbia ka për t’u bërë shkaktare e shpartallimit të krejt Jugosllavisë dhe në fund do të mbetet edhe pa Kosovën.” (Sh. Gashi, f. 27)

Pavarësisht dënimit të parë dhe përballjes së parë gati epike me regjimin, Demaçi nuk ndjehet i përkulur dhe as i fajshëm. Përkundrazi, ai dënim ia shton edhe më shumë bindjen se ishte në rrugën e duhur të përpjekjes për çështjen kombëtare. Në vitin 1964, si themelues i “Lëvizjes Revolucionare për Bashkim me Shqipërinë”, u arrestua dhe u dënua me burgim bashkë me shumicën e anëtarëve të saj. Kjo vendosmëri për ta sfiduar vetëdijshëm regjimin shtypës e diskriminues ndaj shqiptarëve, tashmë e kishte shndërruar në një legjendë të gjallë në mesin e shqiptarëve të Kosovës. Një nga parullat e demonstratave të studentëve të vitit 1981 ishte “Rroftë Adem Demaçi”.

Më tej, në kushtet e lirisë personale, por jo kombëtare, me rastin e bisedimeve të marrëveshjes së Rambujesë (Rambouillet), Demaçi ishte kundër në shumë aspekte. Pavarësisht se e ka mohuar se ka ndikuar në shtyrjen e nënshkrimit të saj, ishte krijuar ideja në opinionin publik se Demaçi ishte bërë pengesë për nënshkrimin e saj të shpejtë. Me këtë rast, ai saktësonte se këtë thashethem e kishte nisur Ismail Kadare ose sikurse e përkufizon thumbueshëm vetë Demaçi “njeriu i vogël e shkrimtari i madh”, i cili “më akuzoi për tradhti pse nuk e pranova Rambujenë, por synimi i tij i vërtetë ishte Çmimi Nobel dhe pikërisht për këtë edhe i flijoi kosovarët”. (Sh. Gashi, f. 166.)

Në vijim, me rastin e dorëheqjes nga detyra si Përfaqësues i Përgjithshëm Politik i UÇK-së më 2 mars 1999, ai sërish shprehet pa dorashka në lidhje me dorëheqjen e tij dhe për mosmarrëveshjet me Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, të cilët – sipas tij – “nuk marrin vesh nga politika. Ata kanë filluar të përzihen në politikë sepse janë frikësuar se mos Adem Demaçi po e merr bajrakun e pavarësisë, e se ata për vete po mbesin pa u bërë liderë historikë. Ata kanë luajtë futboll me fatin e Kosovës në Rambuje dhe kanë heqë dorë nga pavarësia e Kosovës, duke e pranuar sovranitetin e Serbisë/Jugosllavisë mbi Kosovën, jo pse ne s’kemi pasë me çka të luftojmë, por pse ata janë karrieristë e frikacakë. Ata nuk kanë qenë të gatshëm të vdesin për Kosovën, sepse kanë menduar që bëhet kiameti po qe se vdesin”. (Sh. Gashi, f. 170).

Kjo veti e spikatur e Demaçit për të folë pa dorashka duket se ka qenë fati dhe fatkeqësia e tij, sepse edhe pse nga njëra anë i jepte vlerë si karakter, nga ana tjetër përdorej si nga kundërshtarët e tij politikë ashtu edhe nga kureshtarët e bjerraditjes publike shqiptare. Pak ditë pas demonstratës së 10 shkurtit 2007, organizuar nga LVV-ja, ku u vranë dy shqiptarë dhe ku Demaçi mban një fjalim, ai shprehej se nuk do të punonte krah për krah me mafiozë, duke shtuar disa karakterizime të cilat vetëm një personazh si Demaçi mund t’i bënte për bashkëkohësit e vet: “Agim Çeku është viktimë e butësisë dhe e dëshirës së vet që ta shpëtojë këtë popull. Hashim Thaçi është mafioz i kulluar, sepse ai po ngritet kundër LVV-së… Ramush Haradinaj është i ndotur me lloj-lloj mafiozësh. Veton Surroi është mafioz i madh, sepse ai ka vjedhë miliona euro. Fatmir Sejdiu është viktimë e butësisë së vet. Kur erdhi në fuqi u mundua t’i largonte mafiozët, ndonëse disa i largoi, por të tjerë iu afruan”. (Sh. Gashi, f. 205).

Pas daljes përfundimtare nga burgu, Demaçi nuk ngurroi të aktivizohej në jetën formale politike, duke qenë krahas me Rugovën një nga protagonistët e zhvillimeve politike në Kosovën e viteve 1990. Në një koment të “Radio France International” i bëhej një koment interesant jetës politike në Prishtinë: “Ibrahim Rugova ka qëllime radikale, por mjete më të matura për arritjen e pavarësisë së plotë të Kosovës… Adem Demaçin e karakterizojnë metoda më radikale dhe qëllime të matura, për status federativ ose konfederativ nëpërmjet pavarësisë e mosbindjes së shqiptarëve.”

Ky binom politik që e karakterizon dekadën e fundit të shek. XX, do të vijojë të merret si i mirëqenë deri në çlirimin e Kosovës në vitin 1999. Kështu, më 30 janar 1999, kur presidenti Klinton e dha miratimin për marrëveshjen e Grupit të Kontaktit, e cila kërkonte që serbët dhe shqiptarët të takohen në Francë, kur edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së i dha përkrahje kërkesës që zgjidhja për Kosovën të arrihet deri më 20 shkurt 1999, kur tashmë edhe Ministria e Jashtme e Rusisë e përkrahu marrëveshjen dhe Millosheviqit nuk i mbetej tjetër vetëm se të premtonte “se po studion me kujdes propozimet e Grupit të Kontaktit dhe se do të përgjigjet shpejt”, Robin Kuku takohet me Rugovën dhe Demaçin në Shkup.

Figurën e tij si guximtar i ngjarjeve, por edhe i mendimit dhe i fjalës, nuk e zbeh as ajo që do të mund të konsiderohej si gabimi më i madh ideor i tij: Ballkania. Veçoria që e karakterizonte vërtetohet edhe në këtë rast, duke i mbrojtur mendimet e veta me guxim, qofshin të drejta, qofshin gabim. Pa dyshim, gabimet e njerëzve të tillë ia vlen të harrohen përderisa nuk marrin formë dhe kur realiteti i zhbën akoma që në embrion. Megjithatë, nuk duhen lënë pa u analizuar dhe kontekstualizuar në atë mënyrë që të mos përsëriten dhe të mos rimerren nga harresa për t’u rikthyer në realitet. Gabime të tilla duhen evidentuar dhe kuptuar, por pa i arsyetuar. Në kohë të trazuara natyrisht që është më e lehtë të gabosh se sa t’ia qëllosh. Mirëpo, kur risjellim në vëmendje se edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në të njëjtën kohë me Ballkaninë, miratoi për botim dhe botoi një të ashtuquajtur platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, ku nuk kërkohej pavarësia e Kosovës, por rregullimi i statusit të shqiptarëve në kuadër të Jugosllavisë, dhe për më tepër kur “Ballkani i Hapur” u shndërrua në politikë zyrtare të periudhës së qeverisë socialiste të kryeministrit Rama, atëherë mund të thuhet se vërtet njeriu është i gabueshëm, por institucionalizimi i gabueshmërisë shndërrohet në lajthitje dhe faj. Për fatin e Demaçit, ideja e tij e gabuar nuk u institucionalizua sikurse në rastet e sapocekura dhe prandaj mbetet brenda caqeve të gabueshmërisë personale, krejtësisht njerëzore dhe e kuptueshme.

Për fund mund të thuhet se Adem Demaçi nuk ishte thjesht një protagonist i ngjarjeve të rëndësishme të shekullit XX, por edhe një dëshmitar i jashtëzakonshëm i një epoke të mbushur me sfida të mëdha kombëtare. Si intelektual i angazhuar dhe veprimtar politik, ai ishte dëshmitar i pasojave të rënda të asimilimit, diskriminimit dhe shkeljes së të drejtave themelore të shqiptarëve. Përmes shkrimeve, fjalimeve dhe veprimtarisë së tij politike, ai jo vetëm që i dokumentoi këto realitete, por i sfidoi ato me guxim dhe vendosmëri. Ai ishte dhe mbetet një dëshmitar i gjallë i epokës së tij, jo vetëm si një protagonist i historisë, por edhe si një pasqyrë e kohës së tij, si një njeri që refuzoi të heshtte përballë padrejtësive dhe që vazhdoi të luftonte deri në fund për lirinë dhe të drejtat kombëtare.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button