Deputetët votuan për interpelancat ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor

Deputetët votuan për interpelancat ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të zgjedhur pikërisht nga Kuvendi. Kjo do të thotë se u është votuar mosbesimi anëtarëve Vesna Dameva, Selim Ademi, Pavlina Crvenkovska, Tanja Çaçarova Ilievska dhe Miljazim Mustafa. Sipas shumicës qeveritare, disa prej tyre e kanë dëmtuar plotësisht integritetin e këshillit.
“Ne duhet të bëjmë atë që është në kompetencat tona për të rritur integritetin e kësaj institucioni, të cilën anëtarë si Selim Ademi dhe Vesna Dameva e shkatërruan dhe e ulën në nivelin më të ulët të mundshëm, si në opinion ashtu edhe mes gjyqtarëve”, deklaroi Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE.
Nga ana tjetër, opozita sot përsëriti qëndrimin se interpelancat janë të paligjshme dhe, gjatë votimit, deputetët e LSDM-së dhe BDI-së e braktisën sallën.
“Kjo interpelancë është pa bazë ligjore dhe pa efekt juridik. Edhe nëse miratohet dhe votohet në Kuvend, do të përfundojë njësoj si interpelancat e mëparshme dhe sërish do të presim që pas debatit t’i kërkojmë të japin dorëheqje”, deklaroi Oliver Spasovski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.
Pavarësisht këtij qëndrimi të opozitës, për shumicën qeveritare ishte e qartë se përmes interpelancave duhej të tregohej se gjendja në sistemin e drejtësisë është plotësisht e dëmtuar.
“Fakti është se ju nuk jeni funksionalë si këshill dhe se keni dështuar në këtë sistem, dhe për këtë ne e konstatojmë këtë situatë. Nëse nuk konstatojmë që një shtëpie i janë hequr shtyllat, më pas do të çuditemi pse ajo është rrëzuar, prandaj ne e konstatojmë gjendjen aktuale”, tha Halil Snopçe, deputet i VREDI.
Pavarësisht votimit të mosbesimit, në fund vetë anëtarët e këshillit duhet të vendosin nëse do të tërhiqen nga pozitat e tyre apo jo. Sipas përgjigjeve të dorëzuara në Kuvend mbi interpelancat, asnjëri prej tyre nuk ka shprehur gatishmëri për t’u tërhequr nga posti i anëtarit të Këshillit Gjyqësor.