Departamenti Amerikan i Drejtësisë: Ka gabim në datën për vdekjen e Jeffrey Epstein

BBC Verify raporton se Departamenti amerikan i Drejtësisë ka konfirmuar një gabim në datën e një drafti të brendshëm të një komunikate për shtyp lidhur me vdekjen e Jeffrey Epstein në vitin 2019.
Sipas Departamentit, dokumenti, i cili ka qarkulluar vetëm brenda institucionit, mbante gabimisht datën 9 gusht 2019, ndërkohë që Epstein vdiq nga vetëvrasja më 10 gusht. Drafti u bë publik pas publikimit të faqeve të reja të dosjes së çështjes.
Njoftimi paraprak deklaronte se Epstein ishte “gjetur pa ndjenja në qelinë e tij” në Metropolitan Correctional Center në Nju Jork dhe ishte shënuar për publikim më “të premten, 9 gusht 2019”. Ndërkohë, raporti i deklasifikuar i FBI-së, autopsia, dokumentet e brendshme të burgut dhe fotografitë konfirmojnë se ai u gjet i vdekur të shtunën, më 10 gusht 2019.
“Deklaratat zyrtare lidhur me vdekjen e Jeffrey Epstein u redaktuan dhe u qarkulluan në disa zinxhirë emailesh brenda Distriktit Jugor të Nju Jorkut duke filluar nga 10 gushti 2019. Ndonëse draftet fillestare të deklaratës përmbanin datën e mëparshme, ishte thjesht një gabim fatkeq shtypi, i cili u korrigjua më pas për të pasqyruar datën e saktë para se të bëhej publik. Çdo sugjerim se departamenti ka përgatitur një deklaratë përpara vdekjes së Jeffrey Epstein është i pavërtetë”, thuhet në reagimin e Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Sipas BBC Verify, ky gabim ka nxitur teori konspirative, përfshirë pretendime se Epstein është ende gjallë, imazhe të gjeneruara nga inteligjenca artificiale që e paraqesin atë në Izrael, si edhe pretendime të rreme për aktivitet të tij online pas vdekjes.



