Demokratët në Samitin në Munih do t’i kërkojnë Evropës t’i kundërvihet Trumpit

Demokratët amerikanë do të përdorin Samitin e Sigurisë këtë fundjavë për t’u bërë thirrje liderëve evropianë që të ngrihen kundër presidentit amerikan Donald Trump.
Demokratët në Konferencën vjetore të Sigurisë në Munih do të përfshijnë disa nga kritikët më të zëshëm të Trumpit, si guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, kongresistja nga New Yorku Alexandria Ocasio-Cortez, senatori i Arizonës Ruben Gallego dhe guvernatorja e Michiganit Gretchen Whitmer.
Newsom u ka bërë tashmë thirrje evropianëve të kuptojnë se “përulja ndaj kërkesave të Trumpit” i bën ata “të duken patetikë në skenën botërore”. Gallego ishte pothuajse po aq i drejtpërdrejtë: “Trump po shkatërron reputacionin tonë global ose potencialisht fuqinë tonë ekonomike në botë sepse po sillet mendjengushtë. Asgjë nga kjo nuk është racionale. Të gjithë duhet të ndalojnë së pretenduari se kjo është racionale”.
Megjithatë, delegacioni amerikan do të drejtohet nga Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio. Ndërsa liderët evropianë shpresojnë që ai të përcjellë një mesazh më pajtues sesa fjalimi i vitit të kaluar nga zëvendëspresidenti JD Vance, ata vetë janë të ndarë për mënyrën si duhet trajtuar Trumpi.
Fjalimi i Vance vitin e kaluar hapi një debat në kryeqytetet evropiane mbi pyetjen nëse SHBA-ja dhe Evropa ndajnë ende të njëjtat vlera, dhe nëse jo, sa shpejt mund të shkëputen nga njëra-tjetra.
Që atëherë, Trumpi e ka fyer vazhdimisht BE-në, ka ndjekur një formë imperializmi në mbarë globin dhe ka gjetur arsye për të justifikuar Vladimir Putin. Gjatë vizitës së tij në Evropë, Rubio ka zgjedhur të vizitojë Hungarinë dhe Sllovakinë, dy shtetet e BE-së më kundërshtare ndaj mbështetjes së bllokut për Ukrainën.
Tradicionalisht, delegacioni amerikan në Munih është përpjekur të mos i shfaqë dallimet e brendshme politike, por këtë vit ato duken të pamundura për t’u fshehur, dhe demokratët ka të ngjarë të rreshtohen me Evropën në refuzimin e asaj që e shohin si diplomaci shtrënguese të Trumpit.
Demokratët mund të tundohen t’i thonë Evropës të ketë durim dhe të presë rikthimin e “normalitetit”. Rënia e mbështetjes për Trumpin në sondazhe ka shtyrë tashmë disa republikanë në Kongres të sfidojnë presidentin për tarifat, një qëndrim që ata shpresojnë të forcohet me afrimin e zgjedhjeve afatmesme në nëntor.
Megjithatë, shumë në Perëndim besojnë se rendi i vjetër i bazuar në rregulla ka marrë fund, i zëvendësuar nga një rend i ri i bazuar në marrëveshje, ku fuqitë e mëdha veprojnë sipas interesit dhe forcës së tyre.
Pjesa më e madhe e konferencës treditore në Munih – ku pritet të flasin kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik Keir Starmer, ai francez Emmanuel Macron dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen – do të përqendrohet pikërisht në këtë.
Në një skaj qëndron Macron, i cili këtë javë tha se tensionet mes Evropës dhe SHBA-së mund të përshkallëzohen pas “momentit të Grenlandës”, kur Trump kërcënoi me tarifa kundër vendeve evropiane që kundërshtonin përpjekjen e tij për të marrë kontrollin e ishullit arktik nga Danimarka. Në skajin tjetër qëndron Rutte, i cili së fundmi tha: “Nëse dikush mendon se Bashkimi Evropian apo Evropa si e tërë mund të mbrohet pa SHBA-në, le të vazhdojë të ëndërrojë. Nuk mundet.”
Rruga drejt një mbrojtjeje evropiane më sovrane nuk është e lehtë. Shpenzimet për mbrojtjen po rriten, por riarmatosja efektive kërkon kohë. Sa i përket Ukrainës, Starmer këmbëngul se garancitë e sigurisë pas çdo marrëveshjeje me Rusinë kërkojnë ende angazhime ushtarake amerikane për të qenë të besueshme.
Megjithatë, në disa aspekte, distancimi nga Amerika tashmë ka nisur. Në muajt e fundit, Carney, Starmer dhe Macron janë përpjekur të riformësojnë marrëdhëniet me Kinën, duke ofruar dialog pa armiqësi. Pekini ka treguar se ka kapacitetin të riformësojë zinxhirët globalë të furnizimit dhe mund të përfitojë nga dobësimi i multilateralizmit.
Në një tjetër shenjë të vullnetit për një rrugë më të pavarur, Italia dhe Polonia – dy shtete tradicionalisht më pranë SHBA-së – janë bashkuar me shtete të tjera evropiane në refuzimin për t’iu bashkuar “Bordit të Paqes” të propozuar nga Trumpi, një strukturë që synon ta vendosë atë në qendër të proceseve të paqes në kurriz të OKB-së.
Si gjatë katër viteve të fundit, e ardhmja e Evropës mbetet e lidhur ngushtë me fatin e Ukrainës. Trump ka kërkuar një marrëveshje paqeje sipas kushteve të Putinit brenda pak muajsh – ndërsa Vance ka deklaruar se “nuk është lufta jonë” – duke e lënë Evropën përballë zgjedhjeve të vështira për prioritetet e saj. Siç mund të thoshte Macroni, pritja për rikthimin e demokratëve nuk do ta shpëtojë Kievin.



