Demokratët e Bajdenit i kërkojnë 3,9 milion dollarë për ta mbështetur LGBT-në Ballkan

Bllokada financiare e qeverisë amerikane, e cila ka nisur më 1 tetor, po i shkakton “dëm real popullit amerikan”, deklaroi Majk Johnson, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan.
Në një konferencë për media të mbajtur të martën në orën 16:00 sipas kohës në Maqedoninë e Veriut, Johnson akuzoi demokratët se “po festojnë vuajtjet e qytetarëve” dhe se për t’i dhënë fund bllokadës, ata kërkojnë 1,5 trilionë dollarë nga buxheti federal.

Kërkesat e demokratëve sipas Johnsonit
Johnson prezantoi një listë me kërkesa që, sipas tij, demokratët kanë vendosur si kushte për zhbllokimin e financimit të qeverisë federale:

200 miliardë dollarë për mbrojtje shëndetësore falas për emigrantët e paligjshëm;
Heqjen e kërkesës që përfituesit e ndihmës shëndetësore falas të jenë të punësuar ose në kërkim aktiv të punës;
Shkurtimin e 50 miliardë dollarëve nga fondet për spitalet rurale;
Rikthimin e 500 milionë dollarëve për “mediat liberale” dhe organizatat që, sipas tij, promovojnë ideologji të majta;
Dërgimin e 5 miliardë dollarëve në projekte jashtë SHBA-së, përfshirë “rezistencën ndaj ndryshimeve klimatike”, “organizimin feminist” dhe “grante për demokraci LGBT+” në Ballkanin Perëndimor.
“Këto janë propozime joserioze”
Në fjalimin e tij, Johnson theksoi se demokratët kërkojnë shpenzime të reja prej 1,5 trilionë dollarësh, që do të paguhen nga taksapaguesit amerikanë.

“Ata duan të zhbëjnë reformat e arsyeshme që ne bëmë për të ulur tatimet dhe për të ndaluar shpenzimin e fondeve të kujdesit shëndetësor për të huajt e paligjshëm. Po kërkojnë të zgjerojnë përfitimet për emigrantët që nuk janë shtetas, gjë që do t’u kushtonte taksapaguesve 200 miliardë dollarë,” deklaroi Johnson.

Ai shtoi se demokratët synojnë të eliminojnë kërkesën për punë për të rinjtë që përfitojnë ndihmë shëndetësore, gjë që, sipas tij, “do të kushtonte 358 miliardë dollarë të tjera”.

“Ata do të heqin 50 miliardë dollarë nga spitalet rurale dhe do t’i dërgojnë gjysmë miliardë dollarë mediave liberale. Po ashtu, duan të shpenzojnë miliona dollarë në projekte të huaja që s’kanë lidhje me interesat e amerikanëve,” shtoi ai.

Shembuj të projekteve të përmendura
Sipas Johnsonit, disa nga projektet ndërkombëtare që demokratët kërkojnë të financohen janë:

24,6 milionë dollarë për “rezistencë ndaj ndryshimeve klimatike” në Honduras;
13,4 milionë dollarë për “angazhim qytetar” në Zimbabve;
3,9 milionë dollarë për “grante për demokraci LGBT+” në Ballkanin Perëndimor;
2,9 milionë dollarë për “uljen e rrezikut nga karkalecat e shkretëtirës” në Bririn e Afrikës;
2 milionë dollarë për “organizim të parimeve feministe demokratike” në Afrikë.
“Këto janë propozime joserioze nga njerëz joseriozë. Ata luajnë lojëra politike ndërsa amerikanët e zakonshëm vuajnë nga bllokada e qeverisë,” përfundoi Johnson.

Pasojat e bllokadës
Bllokada qeveritare në SHBA nisi pasi demokratët dhe republikanët nuk arritën marrëveshje për financimin e vazhdueshëm të qeverisë.
Kjo situatë ka bërë që mijëra nëpunës federalë të mbeten pa paga, përveç në disa shërbime të domosdoshme.

Javën e kaluar, prokurorja e përgjithshme Pamela Bondi paralajmëroi se bllokada po pengon punën e institucioneve të drejtësisë, duke theksuar se prokurorët nuk mund ta kryejnë punën e tyre për shkak të mungesës së fondeve.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button