Demaçi, njeriu që përçoi idenë e çlirimit të Kosovës

Thirrja e Adem Demaçit për liri dhe barazi nacionale të shqiptarëve është dëgjuar dhe kuptuar si apel për shkatërrimin e Jugosllavisë dhe Serbisë. Në mendjen e shumë njerëzve, Jugosllavia nuk ka qenë vetëm parajsë kulturore dhe fuqi ekonomike, por edhe kështjellë e pashkatërrueshme, që ruhej nga një milici dhe armatë e fuqishme. Zëri i Adem Demaçit për liri ka qenë thirrje kundër kësaj fuqie. Prandaj, për disa, thirrja e Demaçit ka qenë iluzion, ndërsa për disa tjerë edhe trumpetë me zë të padëshiruar.
Shkruan: Daut DAUTI, Londër
Në dimrin e vitit 2000 me Adem Demaçin po shkonim në një takim që mbahej në Pallatin e Shtypit “Rilindja” në Prishtinë. Me një grup personalitetesh, sapo e kishim formuar Shoqatën për Mendim dhe Veprim të Lirë “Dardania”, ku Demaçi ishte kryetar, kurse unë sekretar. Në korridor e takuam Nexhmije Pagarushën. Që të dy, Nexhmija dhe Demaçi, nga larg i hapën krahët dhe gati sa nuk vrapuan ta përqafonin njëri-tjetrin. U përqafuan disa herë me ngrohtësi dhe shkëmbyen komplimente sipërore për njëri-tjetrin. Kurrë nuk kisha parë respekt dhe dashuri njerëzore të këtillë të shprehur për njëri-tjetrin, që vërehej në fytyrat dhe lëvizjet e trupave të tyre. Gjatë tërë kohës sa biseduan, ia mbanin duart njëri tjetrit. Akt i lartë njerëzor dhe i pabesueshëm që e shprehën dy gjigantët – Heroi dhe Bilbili i Kosovës. Ishte hera e parë që po e shihja “live” Nexhmije Pagarushën dhe që pata rast dhe kënaqësi të flisja me të.
Nuk ka pasur shumë njerëz që do ta përqafonin Demaçin dhe të shprehnin aq shumë respekt e dashuri për të. Adem Demaçi ishte njeri largpamës dhe nuk e dinte se çka është frika. Kjo cilësi e tij nuk reflektohej mirë në secilin shqiptar të ish Jugosllavisë. Gjuha e Demaçit ka qenë e ashpër dhe ai nuk e kursente askë nëse nuk pajtohej me të. Demaçi nuk ka qenë ilustrator për t’i lëmuar e vizëlluar gjërat. Ai nuk e thoshte atë që dëshironte ta dëgjonte masa ose turma dhe kurrë nuk ka folur apo vepruar për hatër apo për inati të dikujt. Demaçi nuk e konsideronte asnjë njeri për armik dhe nuk mbante inati as ndaj atyre që në proceset gjyqësore kishin dëshmuar kundër tij. Armiku i tij ka qenë shteti jugosllav, Projekti i Versajit, e më vonë ai serb – projekt i Londrës. Në këtë drejtim, Demaçi nuk ka bërë kompromis me asgjë dhe me askënd.
Trimërinë dhe dëshirën, largpamëse dhe deri diku profetike të Demaçit, e vërejmë në gjykimin e tij të parë në vitin 1959. Në fjalën përfundimtare në këtë gjykim, Demaçi kishte deklaruar: “Po ju them edhe një herë se nëse Serbia dhe Jugosllavia nuk tërhiqen nga okupimi i tyre ndaj Kosovës dhe nëse nuk lejojnë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia dhe t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë nuk do të ketë paqe na Ballkan e as në Serbi e Jugosllavi. Nëse Serbia vazhdon me këtë politikë, do të jetë shkaktare e shkatërrimit të plotë të Jugosllavisë dhe në fund nuk do ta ketë Kosovën. Kjo është tërë ajo që kam për ta thënë.”
Nuk duhet të harrojmë se në atë kohë nuk ka qenë lehtë të thuhen këto fjalë para institucionit të “drejtësisë” komuniste jugosllave. Duhet shtuar faktin se Demaçi mbrohej nga një avokat serb, për shkak se avokatët shqiptarë, duke e pasur parasysh frikën nga pasojat, i kishin ikur ftesës për mbrojtjen e një “armiku” të përbetuar të Jugosllavisë.
Me vitet që do të pasonin, barra e Adem Demaçit u bë shumë e rëndë. Kjo barrë përmbante peshën e kërkesës për barazim të shqiptarëve në Jugosllavi, e cila, në periudha të ndryshme, nënkuptonte bashkimin e territoreve shqiptare me Shqipërinë. Nuk lindin shpesh njerëz me trup dhe mendje të fuqishme si të Demaçit.
Prandaj, një masë e konsiderueshme e njerëzve nuk e kanë admiruar apo respektuar Demaçin.
Thirrja e Adem Demaçit për liri dhe barazi nacionale të shqiptarëve është dëgjuar dhe kuptuar si apel për shkatërrimin e Jugosllavisë dhe Serbisë. Në mendjen e shumë njerëzve, Jugosllavia nuk ka qenë vetëm parajsë kulturore dhe fuqi ekonomike, por edhe kështjellë e pashkatërrueshme, që ruhej nga një milici dhe armatë e fuqishme. Zëri i Adem Demaçit për liri ka qenë thirrje kundër kësaj fuqie. Prandaj, për disa, thirrja e Demaçit ka qenë iluzion, ndërsa për disa tjerë edhe trumpetë me zë të padëshiruar. Mbi të gjitha, thirrja e Demaçit ka qenë urdhër për konfrontim me armikun e fuqishëm, i cili në mendjen e jo pak njerëzve ka qenë i pamposhtur.
Deri në vitin 1990 në Jugosllavi ka qenë shumë vështirë të ishe Adem Demaçi ose si dikush që aspironte të ishte sikur ai. Kjo nënkuptonte që ideja e vështirë dhe barra e rëndë e çlirimit duhej të bartej në supe dhe si rezultat duhej ballafaquar me burgime të rënda e të gjata sikur edhe me masa tjera jonjerëzore që sanksiononte regjimi komunist nga Beogradi. Nuk ka pasur shumë njerëz të ndërtuar për këtë shërbim. Sipas realitetit dhe kuptimit të sotëm nuk do të kishte Kosovë sikur të mos ishte Demaçi, i cili e përçoi idenë e lirisë, rezistencës dhe mburrjes kombëtare deri aty ku kërkohej.
Tashti është e tepërt të kërkohet që personaliteti dhe vepra e Demaçit të respektohet nga të gjithë. Dihet që disa njerëzve u mungojnë ndjenjat patriotike ose nuk tregojnë interesim për këtë fakt, sepse u duket i parëndësishëm. Duhet ta kemi parasysh se nuk ka qenë i vogël numri i njerëzve, i cili, me apo pa vetëdije, ka ruajtur dashuri për Jugosllavinë. Dhe, nga këta njerëz, Demaçi është akuzuar si enverist ose marksist-leninist (çfarë ishte deri në një kohë) dhe është fajtori kryesor që akuzohet për shkatërrimin e “lumturisë” së tyre. Influencat krijohen vështirë dhe zhduken, po ashtu, vështirë.
Edhe pas viteve të 90-ta, Demaçi luajti një rol të rëndësishëm në vendosjen e hapave të parë të demokratizimit të shoqërisë, por edhe në procesin e luftës për çlirimin e Kosovës. Ai udhëhoqi disa organizata, të cilat i braktiste me po atë shpejtësi që i themelonte. Me punën e tij, shihej se ishte strateg i madh në parashikimin e gjërave në aspektin afatgjatë. Ngjarjeve të përditshme të aspektit afatshkurtër nuk u kushtonte rëndësi. Prandaj, disa veprime të tij shiheshin sikur gabime dhe ky fakt ndikonte negativisht në popullaritetin e tij. Jashtë sferës publike, në jetën private, Demaçi ka qenë njeri i këndshëm. Duke i pasur parasysh vuajtjet e tij të mëdha dhe vitet e gjata në burgjet jugosllave, ai e kishte ruajtur dhe zhvilluar mendjemprehtësinë, që e shoqëronte me një humor, që rrallë hasej te dikush tjetër.
Sidoqoftë, Demaçi mbetet frymëzuesi kryesor i lirisë dhe guri themelor i pavarësisë së Kosovës. Dhe, si i tillë, ndër personalitetet kryesore shqiptare në historinë e periudhës së shek. XX dhe fillimit të shek. XXI.