Demaçi, ideologu i rebelimit – njeriu që luftoi për… paqe

I burgosur herën e parë me një gjyq me nota komedie e grotesku – siç ndodh rëndom në diktatura ku për armikun nuk ka nevojë për fakte reale, por për njerëz që betohen se kanë fakte – Adem Demaçi arrestohet në vitin 1958, kur ishte vetëm 22 vjeç. Sajesa e akuzave kishte në thelb të qenurit të tij si pjesë e një organizate ilegale. Nën kumtin “në emër të popullit”, ai përfundon nën pranga. Arsyetimi i akuzës ishte se “kishte vepruar armiqësisht kundër rregullimit shtetëror dhe shoqëror të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, ngase është angazhuar për shkëputjen e territorit të Kosovës dhe bashkimit të saj me Shqipërinë”.

Agim BAÇI, Tiranë

Nuk ngurroi të luftonte, por kurrë nuk iu dorëzua fuqisë së urrejtjes. Madje, edhe me ata që nuk e fshehën kurrë urrejtjen ndaj shqiptarëve – serbët – ai duket sikur iu përgjigj çdo ditë me librin e ndaluar për dekada “Gjarpërinjtë e gjakut”, ku me ftesën për t’iu shmangur fenomenit të gjakmarrjes ai apelonte për t’iu shmangur po aq edhe urrejtjes.

Këtë jetesë të kundërtash brenda tij – një luftëtar i pandalshëm për paqen – ai e tregoi kur iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si zëdhënës politik, duke mbështetur përballjen me luftë nën armë, e menjëherë pas luftës nisi angazhimin për respektimin e të drejtave të pakicave joshqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre, duke kundërshtuar madje çdo gjuhë urrejtje që vinte nga ata me të cilët ai luftoi.

A ishte vdekja një shqetësim për vetveten?

I burgosur herën e parë me një gjyq me nota komedie e grotesku – siç ndodh rëndom në diktatura ku për armikun nuk ka nevojë për fakte reale, por për njerëz që betohen se kanë fakte – Adem Demaçi arrestohet në vitin 1958, kur ishte vetëm 22 vjeç. Sajesa e akuzave kishte në thelb të qenurit të tij si pjesë e një organizate ilegale. Nën kumtin “në emër të popullit”, ai përfundon nën pranga. Arsyetimi i akuzës ishte se “kishte vepruar armiqësisht kundër rregullimit shtetëror dhe shoqëror të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, ngase është angazhuar për shkëputjen e territorit të Kosovës dhe bashkimit të saj me Shqipërinë”. Në fakt, ai e kishte kundërshtuar zhvendosjen masive të shqiptarëve drejt Turqisë, pas marrëveshjes që ish udhëheqësi i kohës, Tito, kish bërë me turqit për këtë qëllim. Në mars të vitit 1959 Adem Demaçi dënohet dhe vuan tre vjet burgim.

Si për ironi, pas daljes nga burgu ai vë në zbatim atë për të cilën e kishin dënuar, duke u kthyer në ideologun e revoltës së shqiptarëve. Në një datë simbolike, më 28 nëntor 1963, Adem Demaçi e themelon organizatën Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Qëllimi, sipas dokumenteve të kohës, ishte “sigurimi i të drejtave për vetëvendosje, madje deri në pikën e shkëputjes së plotë, për zonat me shumicë shqiptare që ishin brenda Jugosllavisë”.

Marrja hov nga mbështetja që mori inciativa e tij solli daljen në publik. Dukej se vdekja fizike nuk ishte shqetësim. E vetmja vdekje, sipas tij, ishte të mos luftoje për të drejtën tënde për vendin dhe gjuhën e nënës. Kështu, nën peshën e “vdekjes pa atdhe”, në disa qytete të Kosovës, në prillin e vitit 1964 u valëvitën flamujt shqiptarë teksa shoqëroheshin me slloganin “Rroftë Shqipëria, nëna jonë”.

Në qershor 1964 Adem Demaçi dënohet për herë të dytë me dhjetë vjet burgim. Bashkë me të ishin dhe dhjetëra aktivistë të tjerë që i mbështesnin lëvizjet e tij. Dënimi i tij duket se e mbolli atë që nuk do ndalej më, për t’u kurorëzuar në vitin 1999.

Për të plotësuar paradoksin e akuzave, Adem Demaçi arrestohet vetëm 15 muaj pasi kishte dalë nga burgu prej dënimit të dytë. Gjykata e Qarkut në Prishtinë e akuzoi atë në shkurt të vitit 1974 se “pas lirimit nga burgu kishte nisur planifikimin e hartimit të statutit dhe planit të një organizate të paligjshme”. Bashkë me të u akuzuan edhe dhjetëra të tjerë, të cilët u cilësuan si bashkëpunëtorë të tij në këtë mision. Demaçi dënohet për herë të tretë, këtë herë me 15 vjet burg, për të plotësuar burgosjen prej 28 vitesh në burgjet e ish Jugosllavisë.

Fatmirësisht, ai arriti ta shijonte për 19 vite atë që e kishte ëndërruar gjithë jetën e tij – ai pa se si Prishtina nisi të shohë tërësisht nga Tirana, ndërkohë që Beogradi po formësohej tashmë vetëm si “fqinj”. Për fat, ai mundi ta drejtonte edhe shoqatën e shkrimtarëve të Kosovës, duke e ndërthurur kështu nevojën e fortë të njohjes së kujtdo me atë që kishte ndodhur me bashkëatdhetarët e tij kur Beogradi ushtronte dhunë-qeverisjen e tij.

Ka qenë i preokupuar me ndikimin e tij dhe me vdekjen e tij në historinë e shqiptarëve. Kjo e ka bërë padyshim unik”, shkruante kohë më parë profesori dhe shkrimtari Milazim Krasniqi, duke na dhënë ndoshta një nga panoramat se përse ky ideolog i revoltës zgjodhi heshtjen, rizgjodhi letërsinë për të folur sërish.

Ikja, si një rugë për kthim

Kur mbylli sytë për herë të fundit në këtë botë, shtatë vite më parë, në korrik 2018, thuajse për të u tha shumëçka. Por, ikja e tij nga kjo botë duket se vetëm sa e nisi nevojën për një rikthim të tijin – tashmë si një nga zërat për të cilën Kosova kishte nevojë për ta kuptuar fuqinë e paqes, pasi kish fituar luftën.

Demaçi ishte konsideruar “Mandela i Ballkanit”. Çmimi “Sakharov”, i akorduar në dhjetor të vitit 1991 nga Parlamenti Europian në Strasburg, ishte vula e munguar për atë që ai e kishte bërë gjerë në ato momente, duke mos e fshehur ëndrrën e shqiptarëve të Kosovës për të qenë me Shqipërinë. Demaçit i ishte akorduar në vitin 1992 çmimi kundër Racizmit e Ksenofobisë nga “Universidad de Complutense” i Madridit. Më pas, vetëm dy vite më vonë, ishte propozuar edhe për Nobelin për Paqe.

Por ai, ideologu i revoltës, u ndje i thyer nga modeli i qeverisjes, duke u tërhequr nga politika aktive e duke iu kushtuar më shumë letërsisë, ëndrrës së tij të rinisë, fushë edhe ku ishte lauruar. Krijimet e tij letrare më së shumti lidhen me vetëmohimin. Këtë vetëmohim ai e kërkoi me ngulm edhe në qeverisjen e shqiptarëve nga vetë shqiptarët, me të cilët ai luftoi.

Titullit “Hero i Kosovës”, që iu akordua në vitin 2010 nga qeveria e Kosovës, duket si i munguan debatet. Të ishte i tillë, më shumë dukej se ia rëndoi shpatullat, pasi tashmë ishte në grackën e heshtjes – fundja një Hero Kombëtar nuk mund të jetë edhe “kritikues kombëtar”. Arsyet e drejta të të shpallurit Hero Kombëtar atij i dukeshin jo aq të kuptuara në përditshmërinë e vendit të tij dhe ky moskuptim – siç edhe dëshmojnë shumë bashkëluftëtarë të cilët ai vijonte t’i takonte gjer në fund të jetës së tij – ishte ndoshta ajo mpakje e zërit publik.

Ikja e tij fizike duhej të ishte edhe kthimi i tij ideologjik. Jo i së majtës. Aq më pak i përuljes përpara dikujt që vjen përmes fuqisë, përmes armës. Ai ishte ideolog i revoltës për dashuri, i njeriut që diti ta lexonte nevojën për ta kuptuar “tjetrin ndryshe” atëherë kur mes bashkëqytetarëve të tij mund të mbretëronte urrejtja ndaj gjithë atyre që e kishin duartrokitur persekutimin dhe përndjekjen e shqiptarëve për dekada nga serbët. Por, te Adem Demaçi kishte fituar dashuria – dhe ky triumf është kthimi i nevojshëm i tij në përditshmërinë tonë, si një busull për të luftuar për… paqe.

Fundja, vdekja e dëshirës për të luftuar për një jetë me dinjitet është vdekja që duhet të na trembë të gjithëve – dhe ai këtë vdekje e kishte sfiduar që në rininë e tij.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button