Delegacioni ukrainas mbërrin në Stamboll për negociatat

Delegacioni ukrainas mbërriti në Stamboll për negociatat me delegacionin rus, të planifikuara të mbahen sot, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ukrainase, George Tykhyi, njoftoi në një deklaratë me shkrim se delegacioni ukrainas ka mbërritur në Stamboll.
Takimi midis delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës është planifikuar të mbahet në Pallatin Çırağan në orën 13:00 me kohën lokale.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, më parë pati njoftuar se kishte përcaktuar që delegacioni ukrainas të merrte pjesë në bisedimet e paqes për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë që do të mbahen sot në Stamboll dhe se delegacioni do të kryesohej nga ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov.
Ndërsa, kryediplomati rus, Sergey Lavrov, tha se ata i propozuan Ukrainës që të zhvillojnë një raund të ri negociatash në Stamboll më 2 qershor dhe njoftoi se këshilltari i Presidentit rus Vladimir Putin, Vladimir Medinsky, do të kryesojë delegacionin.
– Turqia arriti t’i ulë palët në të njëjtën tryezë pas 3 vitesh
Menjëherë pas luftës së përgjakshme që filloi në shkurt të vitit 2022, Turqia i bashkoi Rusinë dhe Ukrainën në të njëjtën tryezë si në Antalya ashtu edhe në Stamboll në të njëjtin vit, dhe në maj të vitit 2025, ajo arriti t’i ulë delegacionet ruse dhe ukrainase në të njëjtën tryezë në Stamboll pas 3 vitesh.
Negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës u zhvilluan më 16 maj në Zyrën Presidenciale në Dolmabahçe të Stambollit.
Të dyja palët ranë dakord të kryenin një shkëmbim të madh të të burgosurve “1.000 persona për 1.000 persona”, paraqitja e pikëpamjeve të hollësishme mbi një armëpushim të mundshëm dhe më pas për të vazhduar negociatat.
Të dy vendet njoftuan se shkëmbimi i të burgosurve i rënë dakord në Stamboll u përfundua më 25 maj.