Deklarata e Trumpit për “fitoren” ndaj Iranit ngre shqetësime midis aleatëve dhe ndihmësve

Deklarata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për “fitore të plotë” në Iran ka shkaktuar shqetësim te disa aleatë dhe ndihmës të tij të lartë pas një armëpushimi dyjavor të rënë dakord së fundmi, sipas një raporti nga “The Wall Street Journal”, transmeton Anadolu.

Duke cituar zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm, raporti i publikuar të mërkurën tha se shqetësimet përqendrohen nëse administrata po e ekzagjeron rezultatin e një konflikti që e ka lënë Iranin të dobësuar, por ende të aftë të projektojë forcë ushtarake.

Zyrtarët paralajmëruan se armëpushimi mbetet i brishtë dhe mund të dështojë nëse çështjet kryesore, të tilla si qasja detare dhe siguria rajonale nuk zgjidhen. Pozicioni i Iranit mbi kufizimet në Ngushticën e Hormuzit është shfaqur si një pikë e veçantë tensioni, me frikën se ndërprerjet atje mund të shkaktojnë përshkallëzim të ri.

Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar në raport, sulmet amerikane dhe izraelite kanë degraduar ndjeshëm infrastrukturën ushtarake të Iranit, përfshirë sistemet e raketave, mbrojtjen ajrore dhe pjesë të programit të tij bërthamor.

Megjithatë, ata vunë në dukje se një pjesë e këtyre aftësive, veçanërisht lëshuesit e raketave dhe rezervat e uraniumit të pasuruar mbeten të paprekura dhe në disa raste të fshehura nën tokë.

Besohet se Irani ruan aftësi asimetrike, përfshirë njësi të vogla detare që mund të kërcënojnë korridoret e transportit detar dhe një arsenal të reduktuar, por operativ, raketash dhe dronësh të aftë për të synuar vendet fqinje dhe forcat amerikane në rajon.

Përderisa Shtëpia e Bardhë e përshkroi fushatën si një sukses dhe potencoi përfitimet në prag të bisedimeve diplomatike, disa zyrtarë shprehën shqetësim se një narrativë tepër optimiste mund të nënvlerësojë rreziqet që presin.

Raporti thotë se mbeten të shihet se si Irani mund të përgjigjet në javët e ardhshme, veçanërisht nëse negociatat ngecin ose tensionet rajonale intensifikohen, duke lënë pasiguri nëse armëpushimi mund të përkthehet në një zgjidhje të qëndrueshme.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button